Dosja e atentatit kundër Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit ka mbërritur nga policia në prokurorinë e Tiranës vetëm me 20 fletë, në të cilat pasqyrohet shumë “thatë” dhe pa detaje të qartësuara situata e goditjes me armë të dy personave në autostradë.
Sipas burimeve pranë prokurorisë së kryeqytetit ende nuk janë njohur me të gjithë ekspertizat që kanë urdhëruar të kryhen, ndërkohë që e paqartë mbetet dhe fakti se cili ka qenë personi që ka transportuar Shullazin dhe Danin në spitalin Ushtarak.
Po aq e paqartë është dhe se çfarë automjeti është përdorur për lëvizjen e Shullazit dhe Danit nga vendi i atentatit në spital. Sipas prokurorisë, policia ka dorëzuar vetëm një material referues për ngjarjen ku përshkruhet vendi i krimit dhe pasojat e saj, si dhe gëzhojat e gjetura pranë vendin nga ku është qëlluar makina tip “GOLF” me të cilën po udhëtonte Shullazi dhe Dani. Në këtë material referues, thuhet se ngjarja nuk ka autor dhe personat e dëmtuar janë Emiljano Shullazi dhe shoku i tij Gilmando Dani.
Në dosjen e ardhur në prokurori, thuhet se policia ka marr njoftimin për ngjarjen e ndodhur në “Qafë Kashar” në ora 19 e 30 minuta, kohë kjo kur dy të lënduarit janë paraqitur pranë urgjencës së spitalit. Kjo ka qenë edhe ora e regjistrimit të njoftimit të ngjarjes, por policia nuk ka gjetur ende personin që ka sjell dy të lënduarit në Spital për mjekimet e marra. Në këtë kohë, mësohet se në spital, kishte mbërritur me makinën e policisë rrugore i plagosuri në këmbë Pajtim Serjani, i cili fatmirësisht i shpëtoi atentatit të ndodhur në rrugën “Islam Alla”.