HYRJE Sport Shqipëria e nisi aventurën e saj të 11-të me një barazim 1-1...

Shqipëria e nisi aventurën e saj të 11-të me një barazim 1-1 në Rumani

0
103

Shqipëria e nisi aventurën e saj të 11-të në kampionatet europiane me një barazim madhështor 1-1 në Rumani, ndaj një skuadre ndaj së cilës nuk merrnin një rezultat pozitiv qysh prej 23 tetorit të vitit 1949, kur edhe atëherë kishim barazuar po 1-1 (gol i Pal Mirashit).

Nisja e tretë pozitive në Europiane pas barazimeve 1-1 me Zvicrën për Euro 2004 (në Tiranë, trajner Dosena) dhe 2-2 Bjellorusinë për Euro 2008 (në Minsk, trajner Oto Bariç).

Nga ana tjetër, kjo është ndeshja e pestë radhazi që Shqipëria e nis me rezultat pozitiv një fushatë ndërkombëtare, duke futur në këtë llogari edhe fitoren 2-1 kundër Greqisë për Botërorin 2006 (trajner Hans Peter Brigel) dhe barazimin 0-0 me Suedinë për Botërorin e vitit 2010 (trajner Ari Han).

Golit të minutës së 80-të të Rumanisë të realizuar nga zëvendësuesi Bogdan Stançu, iu kundërpërgjigj në minutën e 87-të një tjetër zëvendësues Gjergji Muzaka, në të parin gol të tij zyrtar me Kombëtaren, duke mos harruar golin e tij të mrekullueshëm në trofeun “Taçi Oli Cup” kundër Milanit.

Një barazim i madh i trajnerit Josip Kuzhe, në rezultatin e tij të gjashtë pozitiv radhazi, përshirë edhe pesë miqësoret përgatitore në prag të fushatës kualifikuese të Europianit.

Fitorja e pritshme e 7 shtatorit në “Qemal Stafa” kundër Luksemburgut modest do të na çojë në kuotën e katër pikëve, përpara se të përballemi me Bosnjën në 8 tetor, por që ajo vetë do të vijë nga sfida e fortë me Francën.

Për Shqipërinë, barazimi 1-1 ishte i dyti kundër Rumanisë në 14 ndeshje direkt, por më e rëndësishmja se Kombëtarja fshiu përgjithmonë atë kujtim të hidhur të humbjes 6-1 në eliminatoret e Euro 2008-s.

Pjesa e parë

Trajneri Kuzhe – si gjithmonë me shallin e tifozëve kuqezinj, në qafë, e mban qysh nga ndeshja kundër Malit të Zi -rreshtoi një Shqipëri me karakter të theksuar mbrojtës, madje me gjashtë, nëse dhe Lorik Canën dhe Debatik Currin, do ta konsideronim të tillë, ndërkohë që Bogdani (ashtu edhe siç pritej, ishte i vetmi në sulm, i mbështetur nga kapiteni Ervin Skela dhe Klodian Duro.

Një start, që prodhoi qysh në minutën e parë një rrezik të jashtëzakonshëm për portën tonë, kur rumunin Ciprian Marica nga shumë afër goditi shtyllën e djathtë pingule të portës së mbrojtur nga Arjan Beqaj.

Vetëm Zoti e shpëtoi Shqipërinë nga një gol shumë i shpejtë.

Momenti i dytë i vështirë për portën tonë erdhi në minutën e 12-të, kur Beqaj priti në dy kohë (por pa rrezikuar), një gjuajtje nga jashtë zonës të Mirel Radoit.

Goditja e parë e Shqipërisë drejt portës rumune të mbrojtur nga Lobont u fiksua në minutën e 14-të, kur Ansi Agolli lëshoi nga larg një silurë, por jashtë kuadratit.

Shqipëria e barazpeshoi lojën në njëzet minutat e para, duke u rreshtuar mirë në mesfushë, dhe përveç rastit të minutës së parë, Rumania nuk pati ndonjë rast të artë për të shënuar (përveç fitimit të disa goditjeve nga këndi).

Në minutën e 24-t, një pasiguri e mbrojtjes sonë i dha mundësi mesfushori të Shalke 04, Ciprian Deac të shenjestronte portën tonë me një gjuajtje brenda zonës, por Beqaj, në gatishmëri, e devijoi topin në goditje kendi.

Rumania e rriti forcën goditëse, duke provuar gjuajtjet nga distanca, por Beqaj, sërish e devijoi topin në goditjen e pestë nga kendi për vendasit.

Dhjetë minutat e fundit të pjesës së parë, sollën edhe disa përpjekje të Shqipërisë drejt portës rumune, edhe pse pa ndonjë shqetësim serioz të kundërshtarit.

Një pjesë e parë 0-0 e administruar nga Rumania, por e përballuar me qetësi nga Shqipëria, kjo falë dhe rreshtimit të ideuar nga trajneri Kuzhe dhe disiplinës së taktike së lojtarëve, veçanërisht në gjysmëfushën tonë.

Pjesa e dytë – Nisi pa asnjë ndryshim për të dyja skuadrat.

Në minutën e 53-të, Ciprian Marica shënoi për Rumaninë, por gjyqtari austriak Shërgenhofer e anuloi golin për pozicion jashtëloje. Sa për kujtesë anësori ishte shqiptaro-austriaku Alain Hoxha.

Dy trajnerët ishin mesa duket në një mendje për zëvendësimet, pasi si Razvan Luçesku ashtu dhe Josip Kuzhe i bënë ndërrimet në n në të njëjtën minutë, 56’.

Mureshan zëvendësoi veteranin Kontra dhe Salihi hyri në vend të veteranit Erjon Bogdani.

Në të 64’, Luçesku i pakënaqur nga forma e të tijve, realizoi zëvendësimin e dytë, duke hedhur në fushë Stançu në vend të Nikuale.

Në të 64’, Ansi Agolli u shndërrua në shpëtimtarin e madh të Shqipërisë kur hoqi një top që dukej se do të kalonte vijën e portës, madje i vështruar nga afër nga Marika. Një rast i madh goli për Rumaninë, por i shpërdoruar keq.

Ansi Agolli në vijën fundore të sulmit tonë harkoi brenda zonës për Hamdi Salihin dhe sulmuesi shqiptar rrezikoi seriozisht portën rumune në minutën e 73-të. Rasti i pare i Shqiperise per gol.

Në minutën e 80-të Rumania prodhoi golin e shumëpritur. Goditje nga këndi të ekzekutuar nga Deac, topi mbërriti në zonë dhe aty zëvendësuesi Bogdan Stançu i Steausë së Bukureshtit gjunjëzoi nga afër Arjan Beqajn. 1-0 për Rumaninë.

Kuzhe luajti kartën e tij të fundit, Gjergji Muzaka në vend të Klodian Duros.

Në të minutën e 87-të, Ansi Agolli realizoi një goditje të lirë nga rreth 30 metra, sfera mbërrin në zonën rumune, dhe aty Gjergji Muzaka me një kërcim madhështor mposhti tre mbrojtës të Rumanisë, përfshirë dhe portierin Lobont. 1-1. E jashtëzakonshme!

Vetëm tri minuta më pas, Salihi ndërrmori një inkursion drejt zonës rumune, bomberi shkodran gjuajti rreptësisht, Lobont nuk e zotëroi topin dhe aty në dyluftim me Lilën e ardhur nga thellësia fitoi goditjen e lirë që shpëtoi Rumaninë nga goli i dytë.

Rumani – Shqipëri 1-1
Shënues: Stançu 80’ , Muzaka 87′

E premte, 3 shtator 2010, 20:00
Stadiumi “Ceahlaul”, Piatra Neamt, Rumani

Rumania: Lobont, Kontra (56’ Mureshan), Rat, Tamash, Radoi, Torje, Deac, Marica, Floresku, Koshiç, Nikulae (64’ Stançu). Trajner Razvan Luçesku

Në bankinë: Pantilimon, Nesu, Maftei, Herea, Bilashko

Shqipëria: Beqaj, Lila, Vangjeli, Dallku, Cana, Curri, Agolli, Bulku, Duro (81′ Muzaka), Skela (78′ Lika), Bogdani (56’ Salihi). Trajner Josip Kuzhe.
Në bankinë: Hidi, Vrapi, Teli,  Hyka

Ndeshjet e para
në kualifikueset europiane

Euro 1960
Nuk morëm pjesë

Euro 1964
29.06.1963
Danimarkë-Shqipëri 4-0
Trajner: Loro Boriçi

Euro 1968
08.04.1967
Gjermani-Shqipëri 6-0
Trajner: Loro Boriçi

Euro 1972
14.10.1970
Poloni-Shqipëri 3-0
Trajner: Loro Boriçi

Euro 1976
Nuk morëm pjesë

Euro 1980
Nuk morëm pjesë

Euro 1984
22.09.1982
Austri-Shqipëri 5-0
Trajner: Shyqyri Rreli

Euro 1988
15.10.1986
Austri-Shqipëri 3-0
Trajner: Agron Sulaj

Euro 1992
30.05.1990
Islandë-Shqipëri 2-0
Trajner: Bejkush Birçe

Euro 1996
07.09.1994
Uells-Shqipëri 2-0
Trajner: Neptun Bajko

Euro 2000
05.09.1988
Gjeorgji-Shqipëri 1-0
Trajner: Astrit Hafizi

Euro 2004
12.10.2004
Shqipëri-Zvicër 1-1
Trajner: Xhuzepe Dosena

Euro 2008
02.09.2006
Bjellorusi-Shqipëri 2-2
Trajner: Oto Bariç

Euro 2012
03.09.2010
Rumani-Shqipëri 1-1
Trajner: Josip Kuzhe

Bilanci: 11 ndeshje; 0 fitore, 3 barazime, 8 humbje.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here