Të dhënat e reja ekonomike dhe financiare tregojnë një përshpejtim të rritjes ekonomike dhe një përmirësim të balancave kryesore makroekonomike gjatë fundit të vitit 2016 dhe fillimit të vitit 2017.
Inflacioni erdhi në rritje në tremujorin e parë të vitit 2017, duke shënuar një vlerë mesatare prej 2.4%. Ecuria e inflacionit u përcaktua nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës. Çmimet e artikujve të tjerë të shportës nuk pësuan ndryshime të ndjeshme, duke vazhduar të japin kontribute të ulëta pozitive.
Në këndvështrimin makroekonomik, prirja rritëse e inflacionit mbështetet nga përmirësimi i aktivitetit ekonomik dhe shfrytëzimi më i plotë i kapaciteteve prodhuese, nga tendencat rritëse të çmimeve në tregjet botërore, si dhe nga ankorimi më i mirë i pritjeve inflacioniste.
Efekti i këtyre faktorëve pritet të shtrihet edhe në periudhat në vijim. Inflacioni parashikohet të qëndrojë rreth nivelit mesatar prej 2.3% për vitin 2017 dhe të rritet më tej – drejt objektivit – gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, ritmi i rritjes ekonomike u përmirësua në tremujorin e fundit të vitit të shkuar. Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 4.0% në këtë tremujor, duke e çuar rritjen ekonomike të vitit 2016 në nivelin 3.5%. Kontributin më të madh në zgjerimin e aktivitetit ekonomik e dhanë sektori i shërbimeve dhe ai i ndërtimit, ndërkohë që sektori i industrisë dhe i bujqësisë patën rritje pozitive, por më të ulët.
Në terma të kërkesës agregate, rritja ekonomike pasqyroi zgjerimin e kërkesës së brendshme dhe të huaj për mallra e shërbime. Konsumi dhe investimet private janë rritur, të mbështetur nga normat e ulëta të interesit, nga zgjerimi i punësimit dhe përmirësimi i besimit, si dhe nga flukset e larta hyrëse të investimeve të huaja direkte. Paralelisht me to, rritja ekonomike e tremujorit të katërt përfitoi nga një aktivitet i shtuar turistik dhe nga rikuperimi i ritmeve rritëse të eksporteve të mallrave.Të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se këto tendenca kanë vazhduar edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2017.
Të dhënat fiskale të tremujorit të parë tregojnë një reduktim të shpejtësisë së konsolidimit fiskal, të materializuar në një suficit buxhetor 33.2% më të ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shpenzimet buxhetore të këtij tremujori njohën një rritje prej 10.3% në terma vjetorë, përkundrejt rritjes prej 4.3% që shënuan të ardhurat. Plani buxhetor i vitit 2017 sugjeron një kontribut të shtuar të politikës fiskale në rritjen e kërkesës agregate, por Banka e Shqipërisë vazhdon të tërheqë vëmendjen mbi nevojën për një shpërndarje më të njëtrajtshme të shpenzimeve dhe të deficitit buxhetor përgjatë vitit.
Analiza e informacionit të disponuar evidenton rolin pozitiv që ka pasur politika monetare. Tregjet financiare karakterizohen nga nivele të ulëta të normave të interesit të depozitave dhe të kredive. Rritja e yield-eve të letrave me vlerë të qeverisë në fund të vitit rezultoi e përkohshme dhe nuk u transmetua në segmentet e tjera të tregut financiar. Kushtet monetare stimuluese kanë favorizuar rritjen e kreditimit dhe uljen e kostos së shërbimit të borxhit; në këtë mënyrë, ato kanë mbështetur gjallërimin e konsumit dhe të investimeve private, si dhe kanë krijuar parakushtet e nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv.
Politika monetare ka mbështetur veçanërisht rritjen e kredisë në monedhën vendase, ndonëse rritja totale e kredisë mbetet ende e zbehtë. Në fund të muajit mars, kredia për sektorin privat ishte 3.3% më e lartë se një vit më parë. Gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, kredia në lekë shënoi një rritje prej 10.2%, ndërsa kredia në valutë një reduktim prej 1.5%. Në aspektin sektorial, zgjerimi i kredisë është i përqendruar tek segmenti i individëve, ndërkohë që kreditimi i bizneseve shfaqet i ngadaltë, i ndikuar si nga kërkesa e dobët e bizneseve, ashtu dhe nga oferta e shtrënguar e sektorit bankar.
Duke gjykuar mbi tendencat aktuale ekonomike dhe financiare, si dhe mbi faktorët mbështetës të tyre, Banka e Shqipërisë vlerëson se përmirësimi ciklik i ekonomisë do të vazhdojë edhe në periudhën afatmesme. Sipas skenarit bazë, pritet një rritje e mëtejshme e aktivitetit ekonomik, të mbështetur nga gjallërimi i kërkesës së brendshme dhe nga përmirësimi i ambientit të huaj. Rritja e aktivitetit ekonomik pritet të shoqërohet me përthithjen e kapaciteteve të lira të prodhimit, si në tregjet e punës, dhe në ato të kapitalit. Kthimi i ekonomisë në ekuilibër do të krijojë premisat e duhura për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv brenda vitit 2018.
Banka e Shqipërisë vlerëson se përmbushja e këtyre projeksioneve kërkon ruajtjen e miksit aktual të politikave makroekonomike dhe vazhdimin e reformave strukturore.
Politika fiskale pritet dhe duhet të vazhdojë të ruajë një natyrë konsoliduese në afatin e mesëm. Kjo politikë ul primet e rrezikut, rrit hapësirat për kreditimin e sektorit privat dhe forcon kapacitetin e vendit për përballimin e goditjeve në të ardhmen.
Duke u nisur nga informacioni i disponuar, politika monetare do të vazhdojë të mbetet në kahun lehtësues gjatë periudhës afatmesme. Kjo politikë siguron stimulin e nevojshëm për nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe për kthimin e inflacionit në objektiv.
Në horizontin afatmesëm, Banka e Shqipërisë pret një përmirësim progresiv të kërkesës për kredi. Kjo kërkesë e shtuar duhet të gjejë një ofertë kredie të rritur. Në këtë drejtim, reduktimi në 17.4% i raportit të kredive me probleme në muajin mars është një zhvillim inkurajues, por ai duhet të shoqërohet nga vazhdimi i zbatimit të nismave të iniciuara për përmirësimin e mëtejshëm të ambientit të kredisë, si dhe nga politika më aktive të bankave drejt kredidhënies. Në këtë kontekst, është e nevojshme të vazhdohen reformat strukturore në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit, të rritjes së eficiencës dhe të zgjerimit të potencialit prodhues të vendit.