Home Aktualitet Hetimet ndaj Shullazit, ish-ministri Tahiri pritet te deshmoje ne prokurori

Hetimet ndaj Shullazit, ish-ministri Tahiri pritet te deshmoje ne prokurori

806
0

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pritet të paraqitet ditën e sotme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dhënë deklarime para dy prokurorëve që po hetojnë dosjen e Emiljano Shullazit.

Tahiri është thirrur për të dhënë shpjegime një javë pas marrjes në pyetje të drejtorit të Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Zyrtarët e lartë po merren në pyetje nga Prokuroria në lidhje me ngjarjen e kërcënimit të rektorëve Mynyr Koni e Dhori Kule, në prill 2016.

Dyshohet se dy akademikët janë kërcënuar nga ana e Emiljano Shullazit dhe grupit të tij në kulmin e zgjedhjeve për në universitete. Burimet e grupit të hetimit kanë thënë se ish-ministri i Brendshëm pritet të paraqitet te Krimet e Rënda ditën e premte, rreth orës 10:00.

Burimet nga hetimi kanë thënë se pas pyetjes së kreut të Policisë së Tiranës, grupi i hetimit vendosi marrjen në pyetje të Tahirit. Për këtë arsye, Prokuroria kontaktoi me ish-ministrin në telefon dy herë duke e ftuar të paraqitet në cilësinë e deklaruesit. Por Tahiri kërkoi që thirrja t’i bëhej me shkrim dhe për këtë arsye, organi i akuzës ia dërgoi me dokument fletëthirrjen ish-ministrit.

Ky i fundit ka vendosur që t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë ditën e sotme. Pas dëshmisë së Tahirit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pritet të paraqitet rreth orës 10:30 edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Burimet e Prokurorisë kanë thënë se edhe Nikolla, ashtu sikurse Tahiri, do të merret në pyetje në lidhje me kërcënimin e rektorëve Mynyr Koni e Dhori Kule.

Këta të fundit, mësohet se, pasi janë kërcënuar në mesin e muajit prill pranë rektoratit, kanë njoftuar Policinë. Më pas me ta ka marrë kontakt drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Ky i fundit bashkë me dy rektorët kanë shkuar në zyrën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ku kanë shpjeguar ngjarjen që u kishte ndodhur. Tahiri u ka premtuar rektorëve angazhimin e Policisë për zbardhjen e ngjarjes.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila kishte marrë kontakt me rektorët duke mësuar prej tyre ngjarjen e ndodhur. Emiljano Shullazi u arrestua në mesin e muajit prill 2017, pasi ish-kryeministri Sali Berisha publikoi kërcënimin që u ishte bërë rektorëve Mynir Koni dhe Dhori Kule.

Pavarësisht se Berisha akuzoi Shullazin, në asnjë moment rektorët nuk e kanë identifikuar të dyshuarin si autor të ngjarjes. Pavarësisht kësaj, Shullazi u shoqërua në Policinë e Tiranës atë ditë, ndërsa në mbrëmje, Prokuroria e Krimeve të Rënda firmosi urdhërarrestin.

Emiljano Shullazi u arrestua bashkë me Blerim Shullazin dhe Gilmando Danin me akuzën e katër rasteve të gjobëvënies ndaj biznesmenëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here