Për ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, ulja e mëtejshme e papunësisë është një lajm tjetër i mirë për qytetarët dhe ekonominë.
“Në një vit është ulur ndjeshëm papunësia nga 17.3% në tremujorin e katërt 2015, në 14.2% në fund të vitit 2016. Reformat po funksionojnë”, ka komentuar Ahmetaj në profilin e tij në Facebook.
Një lajm tjetër i mirë është sipas tij edhe ulja e papunësisë tek të rinjtë, ndonëse, siç pranon vetë shefi i Financave, ka ende shumë punë për të bërë.
“Ka akoma kryefamiljarë, familjarë, të rinj e të reja që kanë nevojë për punë dhe për këtë ne e dimë se perpjekja jonë nuk duhet të rreshtë. Jemi të ndërgjegjshëm që ka akoma shumë për të bërë, jemi të ndërgjegjshëm që ka akoma shumë nevojë për punësim, jemi të ndërgjegjshëm që ka akoma shumë të papunë që kanë nevojë dhe të drejtë për një mundësi”, ka thënë Ahmetaj.
Prandaj, ka vijuar ai, ashtu siç këmbëngulim për reformën në drejtësi, po ashtu do të vazhdojmë të këmbëngulim për zgjerimin e punësimit.
“Ata që sot janë rikthyer në vendin e krimit për të penguar reformën në drejtësi janë aty dhe kundër punësimit të qytetarëve. Refoma në drejtësi dhe rritja e punësimit nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë të ndara”, ka shtuar Ahmetaj.