
Në bazë te regjistrimeve të ndërmjetme të kryera dhe të vendeve të paplotësuara, APRIAL-i në datën 6 tetor 2010, do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues. “Kandidatët, të cilët në listat përfundimtare janë shpallur fitues në një program studimi të një preference të tyre më të lartë se ai i regjistrimit ndërmjetëm, do të çregjistrohen automatikisht nga sekretaritë mësimore nga programi i studimit ku ishin regjistruar më parë. Këta kandidatë regjistrohen në programin e studimit, në të cilin janë shpallur fitues me listat përfundimtare”, është saktësuar në udhëzimin për pranimin në shkollat e larta. Fituesit do të kenë afat për t’u regjistruar deri në datën 9 tetor. Me këtë fazë regjistrimesh mbyllet procesi i pranimit në shkollat e larta. Këtë vit u hoqën formularët A3 e A4 dhe do të aplikohet sistemi i pranimit me tri faza regjistrimesh. Kandidatët që në asnjërën prej tyre nuk rezultojnë fitues, duhet të presin vitin që vjen ose të zgjedhin një universitet privat për të vijuar studimet.