Home Sport Taulant Xhaka pritet ti bashkohet kombetares

Taulant Xhaka pritet ti bashkohet kombetares

874
1

taulant-xhakaTaulant Xhakës i ka mbetur vetëm leja nga FIFA për t’u bërë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë. Atij i është dhënë dje shtetësia shqiptare me vendim të presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani. Taulanti është vëllai i madh i Granit Xhakës, që luan për përfaqësuesen e Zvicrës. Babai dhe menaxheri i Taulantit, Ragip Xhaka, ka thënë se javë më parë krerët e përfaqësueses së Zvicrës i kishin thënë se janë të interesuar të marrin edhe Taulantin. Por, sipas tij, Taulani i ka thënë “jo” Zvicrës për të luajtur për Shqipërinë. “Taulanti i ka thënë ‘Po’ Shqipërisë dhe ai tani është pjesë e Shqipërisë dhe do të luajë për Shqipërinë.

Ka mbetur vetëm vërtetimi i FIFA-s, pasi Taulanti ka luajtur disa ndeshje me U-21 e Zvicrës. Vërtetimi i FIFA-s pastaj duhet të shkojë në Federatën e Zvicrës për të konfirmuar se Taulanti nuk është më pjesë e Zvicrës. Pra, pa lejimin e Zvicrës, Taulanti nuk mundet të luajë”, – ka thënë Ragip Xhaka të mërkurën për “Kohën Ditore”. 22-vjeçari për ekipin Shpresa (U-21) të Zvicrës ka zhvilluar katër ndeshje. Ai luan për skuadrën e Bazelit dhe po kalon një formë të mirë. Me Bazelin luajti edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Në 15 ndeshje me fanellën e Bazelit ka shënuar dy gola. Ai luan si mbrojtës krahu. “Ende pa marrë nënshtetësinë e Shqipërisë, Taulanti ka thënë se është i gatshëm të luajë për ekipin kombëtar të Shqipërisë. Besoj se atij do t’i lejohet nga Zvicra, edhe pse krerët e Zvicrës po tentojnë ta afrojnë, pasi kanë mungesë të dy lojtarëve të krahut. Më kanë thirrur tri herë gjatë kësaj periudhe zyrtarët zviceranë për Taulantin, pasi vërtet po kalon një formë të mirë me Bazelin. Por, ai ka thënë se dëshiron të luajë për Shqipërinë.

Zvicra ka bërë shumë për Granitin e Taulantin. Të dy kanë lindur në Zvicër. Zvicra ka bërë shumë edhe për popullin tonë, por edhe ne kemi bërë shumë për Zvicrën. E ka Granitin që e njeh krejt bota, tash atdheut tonë ia ofrova Taulantin. Dëshira ime është që të dy të luanin për Kosovën, por dihet që Kosova ende nuk është e pranuar. Jam shumë i gëzuar që Taulanti është bërë pjesë e Shqipërisë. Shpresoj të shkojnë punët mirë e mbarë. Mburrem me të dy djemtë”, – ka theksuar Ragip Xhaka.

1 COMMENT

Leave a Reply to kujtim Cancel reply

Please enter your comment!
Please enter your name here