Home Kosova Sot perkujtohet “Epopeja e UÇK-së”, nderohen heronjte

Sot perkujtohet “Epopeja e UÇK-së”, nderohen heronjte

837
1

Nis sot në Kosovë manifestimi gjithëpopullor tradicional “Epopeja e UÇK-së”. Manifestimi do të zgjasë për tre ditë me radhë dhe organizohet nën patronatin e qeverisë së Kosovës në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në kujtim të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes heroike Jashari, dëshmorëve të kombit dhe gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, me moton “Nderojmë të kaluarën -ndërtojmë të ardhmen”.

Manifestimi do të nisë sot me ceremoninë kryesore në orën 11:00 në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë me parakalimin e kuadrateve të FSK-së, një program kulturo-artistik nga ansamblet dhe këngëtarët e njohur të estradës dhe të ansamblit “Shota”.
Më 6 mars do të bëhen homazhe te Kompleksi Memorial i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari në Prekaz, nga ora 10:00 -12:00, ndërsa në orën 18.00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, do të mbahet Akademia Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit si dhe një program artistik nga Filarmonia e Kosovës.

Më 7 Mars, në ora 18.00 në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz do të mbahet manifestimi “Nata e Zjarreve” ku do të ndizen flakadanët simbol i luftës dhe sakrificës për liri edhe në të gjitha vendet ku janë zhvilluar betejat e UÇK-së në Kosovë. Ndërsa programi kulturo-artistik, do të mbahet në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

Më datat 5, 6 e 7 mars 1998 në Epopenë e Prekazit në mbrojtje të Kosovës në luftën për liri dhe çlirim, në përballje me forcat ushtarako-policore serbe, ranë heroikisht dhe më pas u masakruan 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit të UÇK-së tani heroit të Kosovës, Adem Jashari.

1 COMMENT

Leave a Reply to ferr Cancel reply

Please enter your comment!
Please enter your name here