Home Kulture Si fitoi Enver Hoxha mbi Sejfulla Malëshovën për drejtimin e partisë

Si fitoi Enver Hoxha mbi Sejfulla Malëshovën për drejtimin e partisë

869
1

Shqipëria e pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë në qendër të vëmendjes, si nga ana e Britanisë së Madhe ashtu edhe ish-Bashkimit Sovjetik. Të dyja palët i shikonin me vëmendje zhvillimet politike në vendin tonë dhe secila palë mundohej që në krye të vihej ajo forcë për të cilën ata ishin të interesuar. Për qeverinë angleze, situata në Shqipëri ishte shumë e rëndësishme. Ajo kishte ngritur një zyrë të posaçme në Ministrinë e Jashtme të Britanisë ku mblidheshin të gjitha të dhënat që vinin në lidhje me situatën në Shqipëri. Kjo zyrë mblidhte të dhëna jo vetëm për situatën politike në Shqipëri, por edhe të dhëna për të gjithë krerët e komunistë në vend, duke filluar që nga Enver Hoxha te Sejfulla Malëshova, Koxi Xoxe etj. Gazeta “Tirana Observer” ka arritur të sigurojë nga Arkivi Qendror i Shtetit, dokumente sekrete të vitit 1950 të Ministrisë së Jashtme angleze, ku flitet për mënyrën se si Enveri arriti të vijë në krye të shtetit, duke fituar mbi rivalin e tij, Sejfulla Malëshova. Raporti tregon gjithashtu edhe fraksionet në të cilat ishte ndarë Partia Komuniste e Shqipërisë në vitet e pasçlirimit. Në këto raporte, anglezët e quajnë të pafalshme edhe punën e personelit të tyre që merrej me Shqipërinë për punën e dobët që bënë, duke bërë që Enver Hoxha të triumfojë e të dalë në krye. Në dokument trajtohen edhe marrëdhëniet e qeverisë angleze me nacionalistët shqiptarë që ishin në mërgim, për shkak të regjimit komunist në vend.
Raporti i përkthyer në shqip
Nga informacioni i marrë indirekt nga delegacioni i Rinisë shqiptare, tani në Londër, del se manovrat për pushtet po zhvillohet ndërmjet dy seksioneve në qeverinë aktuale shqiptare, të drejtuar aktualisht nga Hoxha (kryeministër) dhe Xoxe (ministër i Brendshëm) në një anë dhe nga Sejfulla Malëshova në anën tjetër. Origjina e kësaj ndarjeje shtrihet në marrëdhëniet ndërmjet këtyre personave në fillimet e pushtetit partizan. Malëshova, si i emëruari i Moskës, ku ai kishte jetuar dhe punuar për shumë vite, ishte figura më e fuqishme, sidomos në zgjedhjen e udhëheqësve të Lëvizjes. Ai mbështetej nga Selim Shpuzi, një tjetër punonjës komunist me rrënjë të forta dhe me integritet të plotë, i cili është tani drejtor i Përgjithshëm i Ministrisë së Propagandës, që atëherë ishte gjithashtu përgjegjës për propagandën dhe direktivat në ushtrinë partizane. Këta dy persona ia detyronin autoritetin e tyre epërsisë së qëndrimit të tyre mes komunistëve shqiptarë. Hoxha dhe Xoxe, në anën tjetër, ia detyronin zgjedhjen e tyre si liderë formalë jo ndonjë epërsie personale, por faktit se ishin të bindur dhe (si njerëz nga Korça) më të arritshëm.
Konflikti zhvillohet si më poshtë:
1. Hoxha dhe Xoxe përpiqen të forcojnë pozicionin e tyre, duke u liruar nga fijet drejtuese të Malëshovës. Fuqia e tyre buron nga kontrolli i Ushtrisë dhe Ministrisë së Brendshme; ndërkohë që i kanë varur shpresat në ndryshimin e qeverisë nga një instrument ideologjik në një instrument kombëtar, duke përdorur gjerësisht frikën e përhapur tashmë nga Greqia. Pozicioni i tyre është në mënyrë të përmbledhur: “Një komunist nuk paraqet asnjë lloj rreziku, por ai duhet të jetë pro-shqiptar dhe jo pro-rus.”
2. Malëshova dhe Shpuzi përpiqen të mbajnë pushtetin e tyre. Forca e tyre varet në ndërlidhjen ruse, të forcuar së fundmi me pajisje ushtarake dhe dridhura si dhe referencat miqësore të shtypit pa lënë mënjanë faktin se indoktrinomi i Ushtrisë dhe popullit është në duart e tyre. Ata punojnë ngushtë bashkë, dhe Shpuzi së fundmi është martuar me motrën e një prej oficerëve më premtues, koloneli më i ri në ushtri. Ky kolonel jeton në një shtëpi me Shpuzin dhe bashkëshorten e tij.
Njohja e Hoxhës
Duke gjykuar nga reagimi i shqiptarëve që janë vendosur tashmë në Londër, njohja do të forcojë seksionin e Malëshovës. Njohja nga britanikët nuk ka marrë asnjë shenjë mirënjohjeje. Ajo konsiderohet sikur vjen nga iniciativa sovjetike; dhe në krahasim me reputacionin rus, rezervat britanike në kufij duken të vrazhda dhe kërcënuese.
3. Në aktin e njohjes në vetvete ne humbëm lirinë tonë të veprimit përsa i përket azileve shqiptare në Itali etj., por duke qenë larg fitimit të besimit të partizanëve, ne thjesht zgjuam dhe njëherë dyshimet e tyre se më në fund ne do të mbështesim “imperializmin” grek në jug të Shqipërisë.
Njohja e Hoxhës do të zhgënjejë nacionalistët e moderuar brenda dhe jashtë vendit, të cilët kanë kthyer sytë nga ne për rivendosje ndaj dominimit të Frontit Nacionalçlirimtar. Lidhja e aktit të njohjes me kujtimin e debatit në kufi do t’i shtyjë të moderuarit ose jashtë politikës ose në mbështetje të regjimit të Hoxhës. Dhe ka shumë gjasa që në atë regjim ata të mos aplikojnë efektet e moderuara. Pretendimet greke, pavarësisht se stimulojnë nacionalizmin shqiptar, mund të arrihen vetëm në lidhje me Jugosllavinë dhe me Rusinë. Forma që ka marrë situata nga njohja jonë, vetëm sa e ka larguar lëvizjen e Hoxhës nga ideologjia dhe drejt nacionalizmit, si dhe ka forcuar tërheqjen e Malëshovës ndaj federalizmit komunist.
Në mbështetje të këtyre analizave, është me vlerë të vihet re se ngjarjet e 10 nëntorit u manovruan në mënyrë të tillë, për t’i dhënë efekt madhor njohjes nga ana e Rusisë. Rusët i dhanë duartrokitjet e tyre në raportin e tyre të orës tetë të mëngjesit: kabineti u takua në orën nëntë; lajmi u përhap me shpejtësinë e erës dhe raportet britanike dhe amerikane shprehnin qartë zhgënjimin, për të mos përmendur tradhtinë jonjerëzore, por të kuptueshme të brigadierit Hodgson.
“Profecia e britanikëve për Enverin dhe Stalinin”
Duket se anglezët e kishin parashikuar që në fillim se marrëdhëniet e ngushta të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik në vitet ’50 do prisheshin shumë shpejt. Shembullin ata e merrnin nga politika që kishte ndjekur edhe më parë ish-udhëheqësi komunist, Enver Hoxha, me atë jugosllav, Josif Broz Tito. Për anglezët, Shqipëria u përdor nga Bashkimi Sovjetik në kohën kur këtij të fundit Jugosllavia filloi t’i bënte numra. Por në këtë situatë të nderë, Enver Hoxha nuk do t’i rezistonte dot afrimit me Stalinin, duke u larguar në të njëjtën kohë nga Titoja. Por ndryshe e shikonin britanikët këtë afrim midis dy udhëheqësve komunistë, pasi për ta kjo ishte një aventurë nga ana e Enver Hoxha në kurriz të Shqipërisë, gjë që do sillte edhe më shumë izolimin e Shqipërisë. Dhe siç duket, profecia e anglezëve do realizohej vetëm 10 vjet më vonë, kur Shqipëria prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Gazeta “Tirana Observer” boton një analizë të vitit 1950 të Ministrisë së Jashtme angleze në lidhje me marrëdhëniet e Enverit me Stalinin. Në analizën e tyre anglezët e kanë parashikuar me detaje se çfarë përfitonte Shqipëria nga kjo marrëveshje dhe çfarë dëmesh i sillte ky afrim. Për ta Enver Hoxha e kishte futur vendin në një aventurë ku nuk i diheshin pasojat që mund të kishte Shqipëria.
Raporti i anglezëve në lidhje me afrimin e Enverit me Stalinin
Miqtë dhe armiqtë e Enver Hoxhës duhet të bien dakord për dy gjëra. Si fillim, ai po rrezikon gjithçka, përfshirë dhe të ardhmen e Shqipërisë, për hir të Rusisë. Së dyti, ai nuk ka qenë i zoti të bindë rusët që të rrezikojnë gjithçka për të apo për Shqipërinë. Ai është si një alpinist, të cilit i ka humbur pikëmbështetja dhe varet mbi një greminë nga fundi i një litari të tendosur, ndërsa shoqëruesit e tij nuk bëjnë asnjë përpjekje për ta shpëtuar, por i hedhin nga një copë ushqimi herë pas here vetëm për ta mbajtur gjallë. Politika e Hoxhës do të kishte kuptim nëse Rusia do të ishte e përgatitur të angazhohej t’i vinte në ndihmë, nëse ai do të sulmohej. Por Rusia është treguar e kujdesshme të ruajë lirinë e saj të veprimit. Dhe ka shenja se ajo është gati të braktisë Shqipërinë në çdo moment, nëse ka një avantazh më të madh tjetërkund, le të themi në Gjermani apo në Lindjen e Largët.
Enver Hoxha nuk ka qenë kurrë një satelit i drejtpërdrejtë i Moskës. Kur Jugosllavia i qëndronte besnike Kremlinit, ai ishte përgjegjësia e veçantë e Titos. Gazetat jugosllave e përshkruajnë atë me fjalën “rukovodilac”, dhe kjo do të thotë menaxheri i një departamenti nën dikë tjetër. Hoxha ishte sateliti i një sateliti, administratori i një province në emër të Titos. Kjo ishte një situatë poshtëruese për shqiptarët patriotë; por kishte dhe një kompensim. Jugosllavia garantoi t’i jepte ndihmë ushtarake, nëse do të ishte e nevojshme. Nëse Shqipëria do të sulmohej, ushtria jugosllave do të përfshihej bashkë me atë shqiptaren. Tani Jugosllavia ka prishur garancinë e saj ushtarake. Por Rusia nuk e ka zënë vendin e saj. Rusia ju ka thënë fjalë dhe fraza inkurajuese, të cilat janë shumë të lira për këdo. Por tani jo më. Edhe importet e pamjaftueshme që vijnë në vend janë më se të paguara nga nafta dhe kromi shqiptar. Rusia nuk do ta garantojë mbrojtjen tuaj. Pse jo? Qeveria juaj flet për rrezikun/pushtimin e afërt, ose nga Greqia ose nga Tito apo nga të ashtuquajturit “imperialistë”. Nëse ekziston një rrezik i tillë, përse Rusia, për të cilën ju po rrezikoni kaq shumë, të mos thotë qartë se do t’ju mbrojë ajo? Nëse nuk ka rrezik, atëherë Hoxha po luan me patriotizmin tuaj për të ruajtur pushtetin e tij personal.
Edhe një herë, Shqipërisë nuk i lejohet të jetë një anëtare e “Cominform-it”. Partitë komuniste të Evropës Perëndimore, megjithëse janë në opozitë në vendet e tyre, janë ftuar, por Enver Hoxha është refuzuar, me gjithë lëvdatat që i ka bërë Stalinit dhe faktin se ai është kryetari i një qeverie komuniste. Përse është ky diskriminim kundër Shqipërisë, nëse Rusia ka ndër mend ta mbështesë atë përmes gjithfarë furtunash?Ju kujtohet mënyra si Hoxha e lavdëroi Stalinin për përvjetorin e tij të 70-të. Asgjë nuk ishte më e tepruar. Ai madje planifikon një statujë të Stalinit në Tiranë. Sidoqoftë, në takimin e ditëlindjes për diktatorin rus në Moskë, u bënë fjalime nga përfaqësuesit e të gjithë shteteve pro-Rusisë në Evropën Lindore, përveç njërit, dhe kjo ishte Shqipëria. Në numrin e datëlindjes së gazetës zyrtare “Cominform”, njërit vend nuk iu la vend mes artikujve që lavdëronin Stalinin, dhe ky vend ishte përsëri Shqipëria. Këto mospërfillje të qëllimshme duan të thonë thjesht se Rusia po i bën linjat e tërheqjes të qarta, në rast se një ndryshim i politikës do t’i shërbente interesave të saj. Pyetja që shqiptarët patriotë, cilado qoftë partia e tyre, po i bëjnë vetes, është se pse edhe pas kaq shumë mospërfilljesh, secila në vetvete një paralajmërim, Enver Hoxha vazhdon politikën e tij të izolimit të Shqipërisë dhe e ekspozon atë në opinionin e botës, e cila ajo e ka fyer dhe përqeshur. Besimi i tepruar ndaj një vendi si mik apo mbrojtës është politikë fatale për Shqipërinë. Kjo u provua me fashizmin e Musolinit. Kur Enver Hoxha foli për Titon në të njëjtën mënyrë të tepruar që tani bën për Stalinin, ai ishte i përgatitur ta linte Shqipërinë të bëhej republika e shtatë e Federatës Jugosllave. Dhe në ato ditë, rusët, të cilëve ai iu shërben me kaq devotshmëri, nuk ngritën asnjë gisht për të shpëtuar vendin tuaj. Për sa kohë që Tito ishte besnik ndaj tyre, ai u lejua të bënte çfarë dëshironte. Vetëm kur ai tregoi shenja rebelimi, Rusia u përpoq ta ruante Shqipërinë, jo për veten e saj, por si një bazë për operacionet rebele të Greqisë dhe për operacionet e ardhshme kundër Titos. Hoxha atëherë lejoi që Shqipëria të përdorej si për një aventurë, e cila nuk do t’i sillte asaj asnjë avantazh nëse do të dilte me sukses, por rrezikonte shkatërrimin nëse dështonte. Greqia kërkon pjesë të Shqipërisë jugore me justifikimin që kufiri i tanishëm ndihmon forcat sulmuese, dhe ajo citon se pushtimi fashist i vitit 1940 e provon këtë. Në vend që t’i tregojë botës se Greqia nuk është në një rrezik të tillë tani, dhe kështu të minimizojë forcën e argumentit grek, Hoxha iu bëri kërkesave të Greqisë propagandën më të madhe që mund të bënin. Ai lejoi që një ushtri rebele greke të përdorte territorin shqiptar, dhe saktësisht territorin në fjalë, që të vazhdonin luftën civile në Greqi. Ky ishte një gabim, pasi e komprometonte Shqipërinë para opinionit të botës. Ishte gjithashtu një gabim i trashë, pasi një politikë e tillë ishte e thënë të dështonte. E si mund të besohej se Rusia, e cila “nuk do të rrezikonte të përfshihej në luftë për portin Adriatik”, të përgatitej të rrezikonte seriozisht me Greqinë përballë premtimit të presidentit Truman për mbështetje për qeverinë greke? Çfarë dallimi për Enver Hoxhën që e ka vendosur absolutisht veten gabim për hir të një politike që ishte e thënë të dështonte në çdo rast. Edhe sikur komunistët grekë ta kishin fituar luftën e tyre civile, kush ju garantonte ju se ata nuk do të kërkonin popullaritet mes nacionalistëve në shtëpi, duke kërkuar Shqipërinë Jugore, ashtu si komunistët e Qipros tani janë bashkuar me Krahun e Djathtë për ta kërkuar ishullin për Greqinë?Rezultati i kësaj ndërhyrjeje të pavlerë ishte se pjesa tjetër e botës u trazua për të ndihmuar Greqinë t’i rezistonte dominimin komunist. Për këtë arsye, një ushtri greke shumë e stërvitur, krejtësisht e modernizuar, më e madhe dhe më e modernizuar, qëndron në kufirin jugor. Përgjatë kufirit verior dhe lindor qëndron ushtria e Jugosllavisë, qeveria e të cilës po ofendohet nga Radio Tirana me gjithë forcën që ka në dispozicion. Në perëndim, dera juaj për në Evropë është e mbyllur, me përjashtim të një rryme të mjerë nga anijet ruse. Dhe kur Enver Hoxha dhe miqtë e tij rusë ju kanë drejtuar në buzë të shkatërrimit, e pashembullt në historinë e Shqipërisë, i është lënë të ashtuquajturve “imperialistë”, Britanisë dhe Amerikës, të këshillojnë, të pajtojnë dhe t’u mposhtë. Me një diferencë të ngushtë, Shqipëria ka fituar një herë kundër mundësisë për ta rindërtuar lirinë e saj kombëtare në mënyrën e saj, dhe shqiptarët ju kujtohen miqtë e tyre në botën e lirë, të cilët nuk e humbasin respektin për ju, edhe kur zëri i vërtetë meket nën diktaturën. Por rreziku ndaj Shqipërisë për politikën e nxituar të Hoxhës mbetet, dhe është detyra e shqiptarëve të mendojnë për mënyrat në të cilën ato rreziqe mund të kalohen.

1 COMMENT

  1. Kete shkrim duhet ta lexojne ata qolet qe akoma flasin per provokacionet e gushtit 49.Tradhtari E.Hoxha per ti sherbyer babait te tij shpirteror kriminelit Stalin shiti rende interesat kombetare dhe nderhyri ne luften civile ne Greqi.Fale dashamiresise te keshilltarit ushtarak amerikan per popullin shqiptar,trupat greke u ndaluan ne mesymjen e tyre drejt territorit te vendit tone.

Leave a Reply to Bashkim Cancel reply

Please enter your comment!
Please enter your name here