Home Politike Presidenti Topi: Nuk do rikandidoj për postin e Presidentit

Presidenti Topi: Nuk do rikandidoj për postin e Presidentit

719
1

Kreu i shtetit me mediat: Kjo është pritja ime e fundit.

“Kam qenë gjithmonë inkurajues i këtyre rotacioneve”

Gati shtatë muaj para mbarimit të mandatit, Presidenti Bamir Topi pranon se nuk do të garojë më për postin e kryetarit të shtetit. Në kushtet kur maxhoranca ka paralajmëruar votën kundër dhe opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për ta mbështetur, Topi ka konfirmuar se në muajin korrik ai nuk do të jetë sërish pretendent për një mandat të dytë pesëvjeçar. Deklaratën kreu i shtetit e bëri gjatë pritjes së përvitshme me gazetarët, për të cilën tha se është e fundit të këtij lloji. “Pa dyshim që është një moment i veçantë i veprimtarisë sime si President takimi në fund të vitit me gazetarë, me miq. Besoj që në ritualin e këtyre takimeve, ky i sivjetshmi, pa dyshim që është i fundit në cilësinë time si President, pasi sot një vit dikush tjetër do të jetë në këtë pozicion institucional”, u shpreh Presidenti që në fillim të fjalës së tij. Më pas ai vazhdoi duke thënë se “kam qenë gjithmonë inkurajues i këtyre rrotacioneve të natyrshme, sidomos i një shoqërie si e jona që, për shkak të specifikave, vende që dalin nga izolime të thella në një tranzicion ndoshta të vështirë, nga ana tjetër, vende si i yni kanë pasur një zhvillim dinamik shumë të fortë. Dhe kjo e ka shoqëruar jetën e politikës, jetën e institucioneve shqiptare dhe të medias gjithashtu”. Në këtë takim ai gjeti rastin të falënderonte të gjithë përfaqësuesit e mediave për komunikimin gati pesëvjeçar që ka pasur. “T’ju falënderoj për këtë mision të vyer që ju keni demonstruar. Të vlerësoj me nota maksimale atë zhvillim të jashtëzakonshëm që ka pasur media gjatë këtyre viteve në Shqipëri, madje do të thosha se sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë dinamizëm shohim, jo thjesht në përmirësimin e teknologjisë, që do ta konsideroja një arritje shumë specifike për Shqipërinë”, u shpreh më tej Topi.
Kritikat për TVSH
Por, në këtë komunikim të fundit nga këto pozita, Presidenti ka kritikat me tone jo dhe aq të buta Radio Televizionin Shtetëror. Ai u kërkoi drejtuesve të Televizionit publik që të jenë të balancuar në punën e tyre, pasi kjo, sipas tij, është edhe një detyrë kushtetuese. “Njerëzit sot kërkojnë një media vërtet të lirë, të pavarur, duke filluar së pari nga institucioni që e ka detyrim kushtetues, Radiotelevizioni Publik Shqiptar. Është hera e parë ndoshta që unë e marr në konsideratë këtë fakt, nuk do të bëj absolutisht asnjë lloj kritike, sepse në këtë atmosferë patjetër ne duhet që të përshëndesim njëri-tjetrin, por një element edhe mund ta hedhim për t’i shërbyer më shumë vitit që vjen që ky televizion, i cili është një institucion tradicional shumë i fortë nga pikëpamja e emrit, por edhe infrastrukturës, por edhe i kontingjentit të gazetarëve, të cilët i përshëndes, duhet që të bëhet më i besueshëm për publikun”, tha kreu i shtetit. Sipas tij, “e kanë detyrim kushtetues, por, nga ana tjetër, duhet ta demonstrojnë që është një televizion i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga orientimi, pavarësisht nga pakënaqësitë që kanë për dikë, pra, të jetë një radiotelevizion që duhet të jetë në një farë mënyre edhe pikë referimi për të tjerët”.

Topalli: Topi s’ka më vend në PD
Kryeparlamentarja Topalli u shpreh pak kohë më parë se në përfundim të mandatit të tij presidencial, Topi nuk ka më vend në PD. “Topi nuk ka vend në PD. Unë gjatë 15 viteve që e njoh Topin, kurrë ndonjëherë nuk kam pasur konflikt personal. Topi ka pasur gjithmonë konflikt me Kushtetutën, Parlamentin, por thellësisht në shpirt, besoj se ka konflikt me veten e tij. Cili është halli i Topit? Pse ka rënë dhe përdoret për llogari të Ramës? Çfarë interesash i lidh, a është se lejet e ndërtimit janë minierë? Këtë nuk e di”, tha Topalli.

Ndoka: Topin ta propozojë e majta
Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka, propozoi që Topi të marrë mbështetjen e së majtës në zgjedhjet e korrikut të vitit të ardhshëm. “Presidenti Bamir Topi, pa diskutim që do të ketë mbështetjen tonë, pra partive aleate opozitare që sot ndodhen në bashkëpunim me Partinë Socialiste. Do të jetë kërkesë e jona që zoti Topi të jetë një kandidaturë e të gjithë opozitës së njësuar. Ky është një debat që mund të hapet, që kërkon kohë e që, pa diskutim, do të pasojë edhe me ndryshimet kushtetuese etj.”, tha Ndoka

Topi: Krijimi i partisë është opsion i hapur
Presidenti Bamir Topi e ka lënë të hapur mundësinë për të krijuar një forcë politike pasi të lënë zyrën e kreut të shtetit. “Unë kam thënë që çdo opsion është i hapur. Variacionet për atë që unë lashë të kuptohet janë të ndryshme. Nuk është vetëm një. Por ajo përfshin edhe atë që ju keni kuptuar. Në atë që ju keni kuptuar, ose doni ta vendosim në linjën e parë, edhe ajo është e nënkuptueshme”, u shpreh kreu i shtetit pak ditë më parë.

Berisha: Nuk e mbështes Topin
Pak ditë më parë Kryeministri Berisha përjashtoi çdo mundësi që të mbështesë Bamir Topin për një mandat të dytë presidencial. “Është e prerë kjo, është e padiskutueshme. Nëse e kandidoni ju, mund të shmangni krijimin e një partie të re… Kompromise të tilla aprincipale nuk bëhen. Kjo do të thotë të marrësh peng Presidencën. Kjo do të thotë të votosh një president për të shmangur krijimin e një partie që të dëmton ty. Nuk mund ta bëjmë kurrë këtë, s’ka asnjë lloj morali”, tha Berisha. Sipas tij, “pazar me Presidencën nuk bëhet. Unë nuk jam i këtyre pazareve. Kam bërë koalicione dhe me kundërshtarë të mi dhe i kam bërë transparente. Nëse dikush thotë që për shkak të humbjes së mandatit të dytë, unë do të krijoj parti politike…, ti mund të krijosh parti politike, por jep dorëheqjen dhe thuaj ‘meqenëse ju nuk më kandidoni, unë nuk e mbyll mandatin dhe do të krijoj parti, do të bëj gjithçka kundër PD-së’. Bëje këtë”.

1 COMMENT

Leave a Reply to Emri juaj... Cancel reply

Please enter your comment!
Please enter your name here