Home Ekonomi Papunësia, INSTAT: Të rinjtë zënë përqindjen më të madhe

Papunësia, INSTAT: Të rinjtë zënë përqindjen më të madhe

1626
4

Numri i të rinjve të papunë zë përqindjen më të madhe në vendin tonë. Ky fakt vërtetohet nga një anketë e fundit e Institutit të Statistikave. Anketa e cila ka studiuar tendencat në tregun e punës përgjatë vitit 2009, vëren se shkalla e pjesëmarrjes, e cila përbëhet nga individët e punësuar dhe ata që janë të papunë po ulet nga viti në vit. Në vitin 2007, të punësuarit dhe të papunët përbënin së bashku 65.2 për qind të popullsisë në moshë pune nga 15-64 vjeç. Në fund të vitit 2009, kjo shifër ka rënë me më shumë se 3 për qind, çka do të thotë se shumë individë janë joaktivë në tregun e punës. Përveç impakteve që ka në skemën e sigurimeve, ulja e kësaj shifre paralajmëron një tjetër problem jo të vogël; atë të rritjes së papunëve të dekurajuar, një shifër të cilën INSTAT ende nuk e publikon. Rritja e të dekurajuarve, personave të papunë që nuk regjistrohen në zyrat e punësimit sepse nuk besojnë që shteti mund t’u gjejë një punë, jo vetëm që nuk është e mirë për ekonominë, por shtrembëron edhe shifrat e punës, pasi kur llogaritet papunësia, kjo kategori nuk merret parasysh dhe konsiderohet njëlloj sikur nuk ekziston, çka në të vërtetë ul artificialisht normën e papunësisë. Një tjetër tregues që konfirmon këtë tendencë është edhe ai i shkallës së punësimit. Nëse në vitin 2007, ata që ishin të punësuar përbënin 56.4 për qind të popullsisë në moshë punë në vitin 2009 shifra ra në 53.4 për qind. Edhe pse është një nga vendet me moshën mesatare më të re, Shqipëria ka një nga shifrat më të ulëta të të punësuarve në raport me popullsinë, madje në disa raste më të ulët edhe se ato vende që konsiderohen të plakura, çka sinjalizon se shifrat e papunësisë reale në vend mund të jenë më të larta se ato që jepen zyrtarisht. Shqetësimin e të rinjve të papunë e ka theksuar shpesh herë edhe Organizata Botërore e Punës (ILO) në raportet e publikuara prej saj. ILO vëren se punësimi i të rinjve në Shqipëri mbetet ende një sfidë, pasi ata që përpiqen të mbeten në tregun e punës, përballen me numrin e shtuar të të rinjve të punësuar në ekonominë informale. “Papunësia e gjatë që në fillim të jetës e për periudha të gjata në ekonominë informale, dëmton perspektivat e të rinjve për të siguruar punë me mundësi karriere dhe me pagë të denjë”, vëren një studim i ILO-s. Sfida për punësim të të rinjve në Shqipëri, sipas ILO-s, kërkon përveç adresimit të njëhershëm të kërkesë-ofertës së punës, përfshirje të vazhdueshme të agjencive qeveritare, institucionet e tregut të punës, organizatave të punëdhënësve dhe punëmarrësve.

Tregu i punës
Të rinjtë në forcë punëtore përfaqësojnë rreth 41.6% të popullsisë në moshë nga 15- 29 vjeç, e krahasuar kjo me mesataren kombëtare prej 62.1%. Sipas ILO-s me gjithë rritjen e fuqishme të Prodhimit të Brendshëm Bruto, shkalla e papunësisë ka mbetur në dy shifra në të gjithë periudhën. Në 2008 shkalla e papunësisë për popullsinë në moshë pune 15- 64 vjeç ishte 13.2%, ndërsa shkalla e femrave në forcën punëtore, gati 20 pikë përqindje më ulët nga meshkujt. Tipar kyç i tregut shqiptar të punës është pjesa e lartë e punëtorëve të dekurajuar, që në 2008 përbënin 16.1% të të gjithë njerëzve pasivë. Rreth 73.2% e të gjithë punëtorëve të dekurajuar janë femra. Shkallët e ulëta të punësimit të femrave tregojnë mundësitë e limituara për të gërshetuar punën më përgjegjësitë familjare dhe ndoshta edhe pasojë e praktikave diskriminuese në tregun e punës. Përgjithësisht punëtorët e rinj, me arsim të ulët, dominojnë në sektorin e bujqësisë, ndërsa të rinjtë me arsim të mesëm dhe të lartë, shërbimet. Rreth 43.3% e punëtorëve të rinj fitojnë një pagë. Shkalla e të gjithë të rinjve të vetëpunësuar është 13% e krahasuar me rreth 34.5% për të rritur.

Niveli i ulët arsimor
Niveli më i lartë i papunësisë, sipas ILO-s, vihet re tek të rinjtë me nivel të ulët arsimor. Papunësia e të rinjve mbetet një sfidë, pasi gati 25% e forcës së punës të tyre ishte e papunë në vitin 2008, në krahasim me shkallën e papunësisë prej 15.3% e regjistruar për të rinjtë e BE-së në 2007. Të rinjtë shqiptarë kanë më shumë gjasa se të rriturit që të jenë të papunë afatgjatë. Mes tyre, mbi 51% kanë arsim të detyruar, 40% të mesëm dhe 8.5% të diplomuar në universitet. Mes të rinjve me arsim të mesëm, më të rrezikuar për të mbetur të papunë janë zotëruesit e diplomave të gjimnazit, krahasuar me ata që kanë kryer një shkollë profesionale. Një vit më parë, pikat më të larta të papunësisë u regjistruan në Lezhë me 24.3%, Shkodër me 23.9% dhe Kukës me 23.2% dhe më e ulëta në Tiranë me 8.3%. Pikërisht në këto rajone ku papunësia shënon nivele të lartë, pritet që brenda tre viteve të ardhshme të punësohen 48 mijë të rinj, një qëllim i përcaktuar në projektin “Migrimi i Rinisë- Vjelja e përfitimeve dhe zbutja e rrisqeve”, pjesë e programit “Një OKB”, me vlerë 3.3 milionë dollarë, akorduar nga fondi spanjoll.

Drafti për menaxhimin e ujërave, 4.5 mln euro kosto
Në Shqipëri mungon një kuadër ligjor për menaxhimin e burimeve ujore. Drafti më i fundit, i prezantuar nga Ministria e Mjedisit, për menaxhimin e ujërave do ti jap fund këtij problemi, duke siguruar një mbrojtje të të gjitha burimeve ujore, por edhe trajtimin e tyre sipas standardeve të BE. Por implementimi i këtij projektligji në praktikë, i cili do të përmbajë vendime shumë të rëndësishme, do të kërkojë kohë dhe burime financiare. “Në vend mungon një kuadër i fort ndërinstitucional i cili të mundësojë një menaxhim të integruar të ujërave dhe ndarje të qartë të përgjegjësive dhe detyrimeve dhe raportimeve për çështjet e tyre. Do të jenë rreth 26 vendime të Këshillit të Ministrave, edhe direktiva për ujërat nëntokësore, direktivën për përmbytjet, direktivën për trajtimin e ujërave të ndotura urbane. Ne jemi të ndërgjegjshëm që ky proces kërkon kohë, shumë burime njerëzore, kërkon në radhë të parë nivel të lartë ekspertize por dhe burime të konsiderueshme financiare. Sepse nuk do të shikojmë vetëm çfarë përfitojmë nga ujërat, por dhe sa do të shpenzojmë në mënyrë që të kemi trajtim efektiv të tyre”, tha Fatmir Mediu, ministër i Mjedisit. Më tej ministri Mediu ka theksuar se do të duhen të paktën 5 vjet dhe një shumë që kap vlerën e 4,5 milonë eurove, ndërkohë që efektet do të ndihen në harkun kohor të 20 viteve të ardhshme. Në prezantimin e draftit të ri ka marre pjesë dhe shefi i delegacionit evropian në Shqipëri Etore Sequi, i cili u shpreh se BE do të vazhdojë të financojë projektet e qeverisë shqiptare që kanë prioritet mjedisin. Gjatë viteve të fundit u shpreh ai janë financuar nga BE rreth 90 milionë euro.

Durrës, biblioteka publike jashtë funksionit
Godina aktuale e bibliotekës publike në Durrës është një ndërtim i viteve 30-të, dhe prej kohësh nuk ofron një shërbim cilësor për lexuesin si dhe kushte normale për mirëmbajtjen e arkivave dhe fondit të saj. Ndonëse stafi drejtues i bibliotekës ka kërkuar ndërtimin e një godine të re, bashkia e Durrësit akoma nuk ka gjetur një vend për këtë problem. Në kushte të tilla stafi drejtues me anë të një kërkese ka sugjeruar 6 variante se ku mund të jetë godina e re e bibliotekës. “Opsioni i parë ishte mazoleumi i dëshmorëve, mund të kishte shtesë katesh. Ishte një ide për portin, klubin e portit, për katet e para të ndërtesave në qendër, sepse dihet që biblioteka duhet të jetë brenda qendrës së një qyteti. Nëse ngrihet kjo strukturë ka sigurisht nevojë për një logjistikë të fjalës së fundit dhe kjo mund të arrihet me anë të donatorëve”, tha Flora Dervishi, drejtoreshe e Bibliotekës Publike, Durrës. Pasuria aktuale që mbahet në ambientet e bibliotekës së Durrësit është rreth 262 mijë njësi bibliotekare, përveç katalogëve që kanë vlera të rralla. Në godinën aktuale mungojnë hapësirat e domosdoshme për lexuesin, si sallat shkencore, salla elektronike, të ekspozitave dhe salla e fonotekës. Niveli i lartë i lagështirës në masën 80 % është rreziku më i madh për materialet që ruhen në këtë godinë.

ISSH: Karroca falas për invalidët
Instituti i Sigurimeve Shoqërore njofton të gjithë të interesuarit se brenda pak ditësh do të fillojë shpërndarja e karrocave për invalidët. Janë gjithsej 250 karroca, të cilat janë prokuruar sipas nevojave për çdo Drejtori Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, dhe po në këtë mënyrë do të shpërndahen. ISSH-ja dëshiron të bëjë me dije se këto karroca janë falas dhe do të kalojnë menjëherë në shërbim të invalidëve në nevojë. Ato do të shpërndahen nga mjekët e ekspertizës pranë DRSSH-ve, së bashku me kryetarët e shoqatave të invalidëve në rrethe, duke i dhënë përparësi invalidëve më në nevojë për përdorimin e tyre.

4 COMMENTS

    • jane shume budallenj shqiptaret qe besojne ne keto ndryshime shqiperia kurre nk ndryshon kur ishte ne krye sali berisha tani me edi ramen te shohim saliu ishte nje budalla i ndyre

Leave a Reply to gresilda Cancel reply

Please enter your comment!
Please enter your name here