Home Aktualitet NATO planifikon ndertimin e nje baze raketash ne Shqiperi

NATO planifikon ndertimin e nje baze raketash ne Shqiperi

1006
2

Me dërgimin e anijes bartëse të raketave të telekomanduara të quajtur USS Monterey në Detin Mesdhe Associated Press njofton se ka filluar faza e parë e strategjisë së mburojës raketore që SHBA dhe NATO ka në plan të ndërtojë në Europën Lindore e Juglindore.
Ka disa vjet që SHBA ka propozuar vendosjen e raketave anti-balistike në disa pika strategjike të Europës, ndër të cilat është diskutuar më së shumti dislokimi në Poloni e në Çeki. Fillimisht, siç rrëfen në një intervistë të dhënë për Radio Free Europe, Donald Rumsfeld, amerikanët e quanin këtë strategji të mbrojtjes raketore “Mburojë Kombëtare e Raketave”, mirëpo kjo bënte që gjithçka të dukej sikur i interesonte vetëm SHBA-ve. Sipas Rumsfeld, duket se partnerët e SHBA janë më të gatshëm për ta pranuar bashkëpunimin tani që plani quhet thjesht “Mburojë Raketore”.
Perspektiva e ish-sekretarit Rumsfeld duket se vijon të ruhet edhe nga sekretari aktual i mbrojtjes, Robert Gates, që vazhdon të këmbëngulë për faktin se SHBA-ve iu nevojitet mbrojtje raketore nga vende të rrezikshme, si Irani, po edhe nga vende të paqëndrueshme që kanë kapacitete goditëse e zotërojnë raketa, si psh. Egjipti apo Libia. Planet e Gates duket se u vunë në linjë rakordimi me partnerët e superfuqisë së vetme në samitin që NATO zhvilloi në Lisbonë.
Dërgimi i USS Monterey në mesdhe është vetëm hapi i parë, që pritet të pasohet nga vendosja e një stacioni radarësh anti-raketë në Europën Juglindore, e më pas nga vendosja e një brezi raketash në një seri vendesh të NATO-s, ndër të cilat përmenden si strategjike vendet baltike dhe Polonia, Rumania, Bullgaria, Çekia, Turqia e Shqipëria.
Mirëpo, duket se shqetësimet më të mëdha nuk kanë zënë Ahmadinexhadin e Iranit, apo qeverisjet delikate të vendeve afrikanoveriore. Reagimet më të ashpra ndaj vënies në jetë të këtij plani të NATO-s janë botuar në ditët e para të marsit në Huanqiu Shibao, gazeta zyrtare kineze që merret me çështjet ndërkombëtare, por edhe në agjensinë shtetërore ruse ITAR-TASS. Nuk përbën çështje të panjohur për analistët e gjeopolitikës, brezi mbrojtës raketor, që po ndërtohet me këmbënguljen e fortë amerikane, më së tepërmi i drejtohet e përpiqet të kufizojë ambiciet e Rusisë e Kinës, dy vende që me rritjen ekonomike e ushtarake të viteve të fundit kanë fituar një prezencë për t’u vënë re, gjeopolitikisht.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Aleksandër Llukasheviç ndërkohë nuk hezitoi të lëshojë deklarata të forta. Në një deklaratë për shtyp të lëshuar në 10 mars ai tha se vendosja e bazave raketore të NATO-s në Poloni e detyron Rusinë të ndërmarrë masa e të reagojë duke ndërtuar një strategji për kundërpërgjigje. Rreziku është i lartë, e në fakt kjo histori shantazhesh e kundërshantazhesh ka kohë që zhvillohet, duke krijuar reminishenca të luftës së ftohtë.
Mjaft të vihet re edhe diskordanca në qëndrimin e SHBA-ve, që në 2009, përmes Hillary Clinton e garantoi Rusinë se nuk do të vendoste raketa as në Poloni as në Çeki, e ndërkohë në fillim të marsit të sivjetshëm, sërish përmes Clinton, SHBA deklarohet e vendosur në realizimin e mbrojtjes raketore në Europë.
Ndërkohë, për të vijuar agjendën e NATO-s të përpiluar në Lisbonë, dje u mblodhën në Tiranë përfaqësues të lartë të vendeve aleate, në Simpoziumin Vjetor të Politikave Bërthamore. Sipas planit raketor të iniciuar nga Obama e më pas të mbështetur nga gjithë aleanca, të quajtur “Phased Adaptive Approach”, 2011 shënon fillimin e implementimit, e në dritën e problemeve me Rusinë që lindin në Poloni, Çeki e vendet balltike, duket se bazat e para do të vendosen në Turqi, Rumani e Shqipëri.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në brezin e mbrojtjes raketore është konfirmuar publikisht nga vetë kryeministri Sali Berisha, dhe nga ish-ministri i jashtëm Ilir Meta, në Rumani gjithashtu duket se ka një aprovim të fillimit të implementimit të strategjisë, ndërsa Turqia, përmes ministrit të jashtëm Davutoglu, ka kërkuar të ketë komandën e këtij brezi të mburojës raketore.
Sipas planit të NATO-s, të publikuar edhe në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë, prej 2011 deri në 2014 në këtë zonë do të instalohen teknologji interceptive (radarë antiraketë) për të identifikuar rreziqet e mundshme, si dhe disa sisteme mbrojtjeje që janë kolauduar në baza të ndërtuara më parë. Në 2015 fillon faza e dytë, në 2018 e treta e në 2020 do të jetë faza finale. Në secilën prej këtyre fazave do të përmirësohet teknologjia, duke synuar kontrollin e rreziqeve në distancë të shkurtër, të mesme e largët.
Natyrisht që ky plan nuk gjen kundërshtim vetëm në Rusi e Kinë, po edhe në shumicën e vendeve europiane, ku popujt përgjithësisht kanë ndjenja të forta të sovranitetit, që shpeshherë shfaqet edhe si antiamerikanizëm apo si mospranim i ndërhyrjes së SHBA-ve në punët e brendshme të tyre. Por edhe në vendet që dakordohen me SHBA, siç thonë dhe specialistët e realpolitikës, dakordimi paguhet. Pra, lirimi i bazave për raketat amerikane, në shtetet që e pranojnë këtë strategji, vjen si pasojë e negociatave. Logjika është e thjeshtë SHBA merr bazat, por edhe shteti pritës përfiton diçka.
Takimet që zhvillohen dje e sot në Tiranë mes përfaqësuesve të vendeve të NATO-s janë me dyer të mbyllura, e nuk mund ta dimë për çfarë po flitet. Ama, situata e krijuar që prej fillimit të marsit lë të kuptohet se patjetër pjesë e bisedimeve është edhe operacioni i përbashkët për realizimin e mburojës raketore.
E dimë që Berisha publikisht ka shprehur dëshirën për të “ndihmuar” SHBA-të në këtë iniciativë ushtarake. Por çfarë i ka kërkuar në shkëmbim pala shqiptare negociatorëve amerikanë? Për këtë do të duhet ndoshta të pyesim edhe ambasadorin amerikan në Tiranë, zotin Aleksandër Arvizu, natyrisht pasi të përfundojë fushata elektorale, e cila duket se po e impenjon edhe personalisht, gjithnjë e më shumë…

 

2 COMMENTS

  1. SHQIPERIA A DO TE HAPE DRITEN JESHILE PER NJE BAZE AMERIKANE TE RAKETAVE,QE DO INSTALOHET ATY, QOFTE NE UJE APO NE TOKE???

    UNE SI NJE QELIZE E POPULLIT SHQIPETAR MENDOJ SE “PO”.
    UNE KAM LINDUR NE SHQIPERI DHE JETOJ PREJ SHUME VITESH NE U.S.A. QEVERIA AMERIKANE HAPI DYERT PER SHQIPETARET NEPERMJET LLOTARISE AMERIKANE DHE NE SHQIPETARET JEMI SHUME TE KENAQUR,DHE JEMI TE BARABARTE ME AMERIKANET.ESHTE VENDI I PARE QE NUK KA RACIZEM.U.S.A TE JEP TE GJITHA MUNDESITE TE STABILIZOHESH ME PUNE ME SHTEPI,FEMIJEVE IU JEPET E DREJTA PER STUDIME DHE SHUME GJERA TE TJERA.USA ESHTE DHE DO TE MBETET ZEMRA JONE PER CDO SHQIPTAR.SHQIPERIA NUK DUHET TE NGUROJE PER TE MARRE NJE VENDIM DHE PER TE DHENE NJE PJESE TOKE PER QELLIMET E SAJ.E MIRA SHPERBLEHET ME TE MIRA.SHQIPERIA DO TA KETE AMERIKEN NE KOHE TE MIRA DHE TE VESHTIRA.FALEMINDERIT SHQIPERI MERE NE KONSIDERATE SHTETIN AMERIKAN.USA DO TE MBETET KRAHU I DJATHTE I SHQIPERISE KETU NE KETE VEND JANE ME MIJRA E MIJRA EMIGRANTE QE PUNOJNE DHE JETOJNE TE LUMTUR.FLAMURI SHQIPTAR DHE FLAMURI AMERIKAN DO TE ECIN NE NJE RRUGE DHE PER NJE QELLIM.PERSHENDETJE SHQIPERISE DHE USA.
    MENDIMI I NJE TE HUAJI NGA USA BRIAN CHRISTOPHER BURDISSO!!!

Leave a Reply to Saimir Cancel reply

Please enter your comment!
Please enter your name here