Home Shendetesi Këshillat e mjekëve amerikanë: Ja si shërohen sëmundjet më të shpeshta

Këshillat e mjekëve amerikanë: Ja si shërohen sëmundjet më të shpeshta

5007
4

Mjekësia moderne tashmë zë më shumë vend në faqet e gazetave dhe revistave në botë. Të paktën sipas mjeshtërve të medias kjo lidhet dhe me faktin se nga njëra anë kemi një interesim në rritje për shëndetin e secilit dhe nga ana tjetër kemi një zhvillim të madh të studimeve mjekësore. Duke u mbështetur në një studim që revista amerikane “Time” publikoi së fundmi rreth arritjeve të realizuara nga mjekësia dhe shkenca gjatë këtij viti, gazeta “Tirana Observer” sjell në formë të përmbledhur këtë guidë mjekësore. Në këtë suplement trajtohen 36 sëmundje, shkaktarët dhe simptomat me të cilat ato shfaqen; gjendje në të cilat gjendet njeriu si gjumi, pagjumësia, jetëgjatësia; faktorë me rëndësi jetike apo edhe të dëmshëm si uji, alkooli, duhani, etj. Anemia, astma, alergjia. Diabeti, ekzema, hipertensioni, migrena e meningjiti. Obeziteti, poliomeliti e pankreasi. Reumatizma e talasemia. Revista amerikane “Time” publikon guidën e sëmundjeve universale. Si shfaqen dhe si kurohen. Mjekët amerikanë japin këshillat e tyre. Që të gjitha konvergjiojnë në një pikë të vetme: një jetë më të shëndetshme dhe mbi të gjitha një jetëgjatësi në rritje. Guida e revistës “Time” ka marrë të gjitha sëmundjet me anë të shkronjave të para të alfabetit dhe renditur me to, ka shpjeguar edhe sëmundjet që shqetësojnë me së tepërmi njerëzit. Astma, alergji, anemia, diabeti, ekzema, hipertensioni, migrena e shumë të tjera vijnë në një suplement në faqet e “Tirana Observer” të përkthyer sipas origjinalit në revistën “Time”. Pa lënë pas edhe sëmundje të tjera si meningjiti, që kohët e fundit duket se ka shpërthyer si virus. Apo parkinsoni, kanceri në prostatë, poliomeliti. “Tirana Observer” jep një përmbledhje të këtyre sëmundjeve, simptomat me të cilat ato shfaqen dhe këshillat që duhet të ndiqen. Por, mbi të gjitha jepet edhe ajo që quhet finale e të gjithë këtij studimi: një jetë të shëndoshë dhe një jetëgjatësi në rritje.

ACUPUNCTURE (AKUPUNKTURA)
Trajtimi me akupunkturë konsiston në nguljen e gjilpërave në trup, veçanërisht në shpinë. Studimet e realizuara nga disa ekspertë amerikanë kanë treguar se trajtimi me akupunkturë rrit mundësinë e femrës për të ngelur shtatzënë. Ky trajtim në rastet kur femra ka vështirësi për të ngelur shtatzënë shoqërohet edhe me transferimin e embrionit invitro. Këto studime kanë treguar se gratë të cilat bëjnë trajtime akupunkturë kanë rreth dy herë më tepër mundësi për të ngelur shtatzënë. Edhe në rastet e futjes invitro të embrionit në mitër, akupunktura rrit në 50 për qind mundësinë për shtatzëni. Akupunktura ndihmon për t’u relaksuar dhe çlodhur. Një trajtim i tillë është efikas kundër gjendjeve të stresit.

AIDS (sida)
AIDS rrjedh nga gjuha angleze Acquired Imunodefficiency Sindrom apo SIDA që rrjedh nga gjuha frënge, Syndrome d’Immuno Déficience Acquise. Nga të dy emrat kuptohet se AIDS është sindromi i fituar nga virusi i cili dëmton sistemin e imunitetit. AIDS është një koleksion i infektimeve dhe kancereve të rralla që njerëzve me HIV pozitiv mund t’iu zhvillohen. Nëse një person me HIV sëmuret me njërën nga këto sëmundje të veçanta, atëherë do të thotë se vuan nga AIDS. Shumë nga këto organizma që i shkaktojnë këto sëmundje janë mjaft të zakonshme dhe relativisht të padëmshme për personat me imunitet të shëndoshë. Megjithatë, te personat me imunitet të dëmtuar keqësisht, mund të shkaktojnë sëmundje serioze dhe vdekje. Katër mënyrat kryesore për t’u infektuar me HIV janë: Duke pasur marrëdhënie seksuale vaginale dhe anale pa përdorim të kondomit me dikë që është i/e infektuar me HIV; duke marrë drogë me pajisje të injeksioneve që është e kontaminuar me gjak të infektuar; foshnjat gjatë shtatzënisë nga nënat e infektuara me HIV, gjatë lindjes apo ushqimit me gji; me injeksion apo transfuzion gjaku nga personi i infektuar. HIV nuk ngjitet nga kontaktet sociale ditore, si: Puthjet në faqe, prekjet, përqafimet, takimi me duar, larja në pishinë, etj.

ALZHEIMER (ALZHEIMER)
Me kalimin e moshës shfaqen simptoma të ndryshme, të cilat tregojnë se një person ka probleme me kujtesën. Këto simptoma nuk janë të qarta, sepse mund të duken krejt normale në disa situata ose duke u bazuar në faktin se ka të bëjë mosha. Rreth 85 për qind e gjashtëdhjetëvjeçarëve në të gjithë botën vuan nga humbja e kujtesës. Kjo përbën një nivel epidemiologjik shumë të lartë. Ka raste kur sëmundja e kujtesës, e njohur si sindroma Alzheimer, lind edhe para moshës 65-vjeçare, por këto raste janë të rralla dhe karakterizohen nga histori të veçanta. Sistemet shëndetësore të vendeve perëndimore kanë humbje shumë të mëdha prej kësaj sëmundjeje. Ndërkohë që, sipas specialistëve, rreth moshës 40-vjeçare nisin të shfaqen simptomat e para të humbjes së kujtesës. Simptomat vijnë si rezultat i dëmtimit të qelizave nervore, të cilat ngadalësojnë përcjelljen e sinjalit për në tru dhe anasjelltas. Për këtë shkak këta persona harrojnë dhe me kalimin e kohës kjo simptomë bëhet edhe më e theksuar. Një simptomë tjetër është anomia, mosgjetja e emrave dhe fjalëve gjatë diskutimeve. Femrat janë më të prekura nga kjo sindromë dhe kohët e fundit vihet re një rritje e numrit të të prekurve nga kjo sëmundje.

ASTHMA (ASTMA)
Astma bronkiale, një sëmundje kronike serioze, që dita-ditës po shpeshtohet dhe futet ndër problemet shëndetësore botërore. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej 1965-1983, sulmet astmatike u katërfishuan, në Angli u trefishuan; nga kombinimi i faktorëve mjekësorë, shoqërorë, psikikë dhe të faktorëve të ambientit jetësor. Shkaktarët e astmës, si edhe të sëmundjeve tjera atopike, janë alergjenet e ambientit jetësor dhe të disa llojeve të ushqimit. Astmën e shkaktojnë poleni apo pluhuri i shtëpisë. Rolin kryesor në shfaqjen e astmës e luan trashëgimia. Trashëgohet paraprirja për të reaguar me manifestime alergjike në kontakt me alergjenet e caktuara; në rastin e astmës me reagime pezmatuese alergjike të mukozave bronkiale, që manifestohet me sulme astmatike. Pra, për t’u shfaqur astma, nevojitet prirja e trashëguar dhe kontakti me lëndën alergjike.

AVIAN FLU (GRIPI I SHPENDEVE)
Avian flu ose gripi i shpendëve është një problem tjetër që shqetëson si mjekët edhe shkencëtarët. Sëmundja po përhapet përmes shtegtimit të zogjve. Shpendë të infektuar janë gjetur në Azi dhe Evropë, dhe mendohet se është vetëm çështje kohe kur virusi vdekjeprurës do të arrijë të përhapet nga njeriu tek njeriu. Ekziston frika që një epidemi e gripit të shpendëve mund të përhapet me shpejtësi, siç ndodhi me gripin e shpendëve në vitin 1918, kur 20 milionë deri në 50 milionë njerëz humbën jetën për shkak të kësaj sëmundjeje. Deri tani nuk është zbuluar ndonjë vaksinë kundër këtij virusi.

ALCOHOL (ALKOOLI)
Alkooli shkakton gjendjen e të dehurit, në të cilën Sistemi Nervor Qendror nuk arrin të kontrollojë veprimet e vullnetshme apo të pavullnetshme të personit në fjalë. Por dëmi më i madh vjen nga përdorimi afatgjatë. Është vërtetuar se për çdo 1 litër alkool, vdesin 1.000-2.000 qeliza, të parikthyeshme të trurit. Kështu që përdorues kronikë të alkoolit, me kohë e çojnë personin drejt demencës (skizofreni, marrëzi), degjenerimit mendor etj. Pra, alkooli dëmton pa përjashtim të gjitha organet e trupit, po ashtu si edhe duhani. Konsumimi për një kohë të shkurtër i një sasie të madhe pijesh alkoolike rrezikon për pankreatit akut që mund të çojë deri në rrezikimin e jetës së personit në fjalë.

ANEMIA (ANEMIA)
Anemia është një ndër çrregullimet më të shpeshta të gjakut, që rezulton nga pakësimi, rënia e numrit të rruazave të kuqe të gjakut në organizmin e njeriut. Ky lloj çrregullimi mund të sjellë probleme të pariparueshme shëndetësore, si rezultat i uljes se nivelit të hemoglobinës në rruazat e kuqe, e cila është një ndër komponentët përbërës më të rëndësishëm të rruazave të kuqe të gjakut, që bën transportimin e oksigjenit në të gjitha indet e organizmit. Komplikacionet e shkaktuara janë të shumëllojshme. Shkaktarët e anemisë janë të shumtë, por ndër më të rëndësishmit mund të veçohen si: Shkatërrimi i tejskajshëm i rruazave të kuqe, humbja e gjakut si pasojë e shumë faktorëve, prodhimi dhe rigjenerimi i pamjaftueshëm i rruazave të kuqe të gjakut, etj. Por anemia rrjedh edhe nga shkaqe të tjera përveç këtyre që përmendëm më lart, siç janë: Çrregullimet e trashëguara në organizmin e njeriut, kequshqyerja, si mungesa e hekurit dhe vitaminave, infeksionet e ndryshme, prezenca e disa kacereve, ekspozimi ndaj medikamenteve toksike. Anemia shfaqet në disa mënyra.

ALLERGY (ALERGJIA)
Alergjia apo kundërveprimi alergjik është ai veprim që ndodh kur sistemi i imunitetit të trupit kundërvepron ndaj diçkaje që zakonisht nuk të bën ndonjë dëm. Ajo që shkakton alergjinë quhet alergjen. Alergjitë mund të shkaktojnë shfaqjen e një sërë simptomash, të cilat varen nga sa serioze është alergjia. I njëjti alergjen mund të japë simptoma të ndryshme në njerëz të ndryshëm. Disa nga simptomat e shkaktuara nga alergjitë mund të shkaktohen edhe prej gjendjesh të tjera. Alergjenët më të zakonshëm janë: Ushqime të ndryshme, poleni i luleve, bari, pemët, shkurret, pluhuri i shtëpisë, ilaçet, myshku, nikeli, alkooli, thumbimi i bletës apo i ndonjë insekti tjetër, etj. Shumë alergjikë nuk e dinë se janë të tillë deri në çastin kur trupi u kundërvepron në mënyrë alergjike. Në një rast të tillë njeriu duhet të shkojë të këshillohet me mjekun, sepse ndonëse alergjia nuk mund të quhet drejtpërdrejtë si sëmundje, simptomat që të jep mund të marrin përmasa dramatike. Me anë të provave në lëkurë mjeku arrin të gjejë ndaj kujt kundërvepron trupi. Në këtë mënyrë alergjiku mund të përpiqet t’iu shmanget vendeve me alergjenë të fuqishëm, por kjo gjë nuk është gjithnjë në dorë të tij. Në këtë rast vuajtjet mund të pakësohen me marrjen e ilaçeve Antihistaminike ose në raste të veçanta Kortizoni. Ilaçet antihistaminike mund të japin pasoja anësore si lodhje trupore, përkeqësim në përqendrim dhe në aftësi për të reaguar.

GOUT (CERMA)
Cerma është një sëmundje e kyçeve që në shumicën e rasteve rezulton në inflamacion të kyçeve që vjen pa “paranjoftim” dhe jep shumë dhimbje. Arthritis urica i njohur në gjuhën e popullit si cerma, përdhesi, është inflamim i kyçeve. Shpesh ndikohet vetëm një nga kyçet. Në rastet më të zakonshme është kyçi i gishtit të madh të këmbës që inflamohet. Inflamacioni vjen i shkaktuar nga krijimi i kristaleve të acidit urik në kyçe. Acidi urik është një produkt që krijohet në trup kur organizmi shpërbën një grup substancash të quajtura purina. Këto substanca janë pjesë përbërëse të të gjitha qelizave të trupit. Ato gjenden edhe në ushqime. Nëse koncentrimi i acidit urik është shumë i lartë mund të krijohen kristale në radhë të parë në kyçe. Një tjetër vend ku kristalet mund të grumbullohen janë veshkat dhe në këto raste këto kristale formojnë gurë në veshka. Sasia e acidit urik që gjendet në gjak varet nga sasia që krijohet në trup, si dhe nga sasia e acidit që nxirret nga trupi nëpërmjet urinës. Përmbajtja e lartë e acidit urik nuk shkakton përdhes në të gjitha rastet. Nga të gjithë personat që kanë sasi të lartë acidi urik në gjak është vetëm një numër relativisht i vogël që vuan nga përdhesi. Përhapja e përdhesit është më e lartë ndër meshkujt dhe të moshuarit. Për burrat mbi 40 vjeç përdhesi është arsyeja kryesore e sëmundjes se kyçeve, pra, kyçet zbuten dhe enjten. Meshkujt vuajnë më shpesh se femrat nga kjo sëmundje. Rreziku i sëmundjes rritet me moshën. Sasia e acidit urik rritet sa më i madh në moshë të jetë personi. Femrat kanë sasi më të ulët të acidit urik në gjak deri në periudhën e menopauzës, pastaj acidi urik i grumbulluar rritet edhe tek ato.

TEA (ÇAJI)
Të kalosh në trupin tënd një sasi të caktuar çaji është kura më e vjetër popullore për të luftuar sëmundjet e ndryshme. Kjo realizohet me zierjen e barërave të ndryshe të gjendura në natyrë. Mjafton të kujtojmë ndjesinë që pasi ke pirë një çaj kamomili. Por gjithsesi edhe me përdorimin e çajit nuk duhet tepruar. Çaji dhe kafeja përmbajnë substanca toksike, të cilat dëmtojnë inde të ndryshme të organizmit dhe sjellin mundësitë për vdekje të hershme. Çajit i nevojiten rreth 6 orë për të shkatërruar metabolizmin e trupit dhe për të shfaqur shqetësime të ndryshme për organizmin. Konsumimi i vazhdueshëm i çajit dhe kafes thuhet se dëmton qelizat e gjakut, koagulimin e tyre në raste plagosjesh, dobëson nervat dhe shfaq gjendje të shpeshta nervoziteti, si dhe dobëson kontrollimin nga truri të shumë funksioneve që ndodhin në trupin e njeriut.

DOWN SYNDROME (SINDROMI DOWN)
Përveç sëmundjeve gjenetike, ka një grup sëmundjesh kromozomike, prej nga dalin personat me sindromën doën ose të quajtur ndryshe “sindroma e mongolizmit”, për shkak të formës së tërhequr të syve. Kjo sëmundje, që në gjuhen popullore quhet “prapambetje mendore”, shkaktohet nga një kromozom më tepër. Personat doën kane tre kromozome 21, në vend që të kenë vetëm dy. Sindroma doën shfaqet më dendur te gratë shtatzëna mbi 35 vjeç. Nga 1 në 1350 raste, probabiliteti që një grua të ketë një fëmijë doën me kalimin e viteve shkon në 1 në 50 raste, pas moshës 40 vjeç. Është e domosdoshme që gratë shtatzëna mbi këtë moshë, të bëjnë analizën e sëmundjes kromozomike. Nëse këto kontrolle realizohen, atëherë edhe lindjet e fëmijëve me probleme apo sindromën doën zvogëlohen.

DIABETES (DIABETI)
Diabeti është çrregullimi i metabolizmit që reflektohet në paraqitjen e sasisë jonormale të glukozës në gjak, si pasojë e rezistencës së qelizave të gjakut ndaj insulinës apo si pasojë e sasisë së vogël të insulinës së sekretuar nga pankreasi. Janë dy gjendje që mund të shkaktohen nga diabeti i sheqerit, hiperglicemia (niveli i lartë i glukozës) dhe hipoglicemia (niveli, i ultë i glukozës). Terapia e ilaçeve mund të parandalojë përparimin e mëtejshëm të diabetit tek miliona njerëz të cilët kanë një stad të lartë të rrezikshmërisë të sëmundjes, shumë studime sugjerojnë mënyrat e duhura për ta. Top of Fo….Gati 5 për qind e popullsisë së botës është e sëmurë me diabet dhe gati 7 për qind janë para diabetikë. Kjo lloj sëmundjeje zhvillohet zakonisht në moshë madhore dhe tek pacientët të cilët kanë nivel të lartë të sheqerit në gjak, sepse qelizat e tyre janë bërë rezistente ndaj insulinës, hormoni që stabilizon ngritjen e sheqerit në gjak. Në SHBA 20 milionë njerëz, pra, 7 për qind e popullsisë janë të sëmurë me diabet dhe gati 54 milionë janë para diabetikë, megjithëse shumë prej tyre nuk janë në dijeni. Në Evropë 8.4 për qind e moshës madhore të popullsisë janë diabetikë dhe 60 milionë janë para diabetikë. Nga 1000 paradiabetikë, të cilët janë kuruar me kalofon, rreth 144 raste janë parandaluar në përparimin e sëmundjes, kurimi i së cilës kërkonte fatura marramendëse. Pas një sërë studimesh dhe testimesh të kryera në paciente në mbarë botën, rezulton se të sëmurët me diabet kanë më shumë mundësi dhe janë më të ekspozuar se një njeri i shëndetshëm, të preken nga një sëmundje e dytë e cila përgjithësisht është shumë e kushtueshme për t’u kuruar, ku mund të përmenden sëmundjet e ndryshme të zemrës apo dëmtime të veshkës.

SMOKE (DUHANI)
Duhani mbahet si një nga faktorët kryesorë në dëmet Arteriosklerotike të enëve të gjakut, që në vetvete shkakton sëmundje iskemike të zemrës, infarktin e zemrës, dëmtim të Sistemit Nervor Qendror, si edhe të shumë organeve të tjera. Është vërtetuar se sëmundjet iskemike janë të pranishme 3.4 për mijë tek ato që nuk pinë duhan dhe 7.4 për mijë tek ato që pinë duhan. Tek ata që pinë 20 cigare ky rrezik trefishohet. Konsumi i duhanit shton rrezikun për vdekje të papritur, kështu tek ata që pinë një paketë cigare në ditë rreziku për vdekje të papritur pesëfishohet. Monoksidi i duhanit, një nga përbërësit e tymit, pakëson oksigjenin në gjak, ndërkohë që nikotina, një nga përbërësit e duhanit, shton punën e zemrës dhe të dyja shpejtojnë formimin e trombociteve që ngushton dhe bllokon anët e gjoksit.

ECZEMA (EKZEMA ATOPIKE)
Ekzema atopike, e cila shpesh quhet ekzema fëmijërore ose vetëm ekzema, është pezmatim i lëkurës që shkakton puçrra të kuqe në lëkurë, e bën lëkurën të thatë dhe me luspa që zakonisht shkaktojnë kruajtje të madhe. Në lëkurën e pigmentuar pezmatimi paraqitet me ngjyrë si më të purpurt ose ngjyrë kafe dhe lëkura e vrazhdë mund të jetë si një karakteristikë dominuese. Puçrrat
mund të pikojnë dhe lëkura mund të formojë kore. Ekzema ka tendencë zhvillimi te fëmijët e moshës pas 2-4 mujore. Te shumë fëmijë ekzema përmirësohet me rritjen e moshës. Edhe pse nuk i dihet shkaktari, zakonisht këtë ekzemë e lidhin me sëmundjet alergjike (atopike) të astmës dhe alergjisë “hay fever”. Ekzema atopike (alergjike) paraqitet te foshnjat. Shpesh shfaqet së pari në faqe, të cilat nisen të pezmatohen dhe të thahen. Lëkura mund të jetë e skuqur ose në lëkurën e pigmentuar paraqiten hije të purpurta, ngjyrë kafe ose edhe të bardhë. Mund të zhvillohet në ballë dhe lëkurë të kokës. Krahas me rritjen e foshnjës, ekzema ka tendencë zhvillimi në trup dhe në duar nga ana e përparme e bërrylave si dhe në këmbë prapa gjunjëve. Gjithashtu mund të paraqitet edhe rreth nyjeve të dorës dhe të këmbës. Në fëmijëri të mëvonshme ekzema zakonisht më rrallë paraqitet në fytyrë, por puçrrat mund të paraqiten prapa veshëve dhe rreth syve. Ekziston një shoqërim mes ekzemës dhe konditave të tjera alergjike, por në shumicën e rasteve nuk është gjetur ndonjë alergji e dukshme ndaj çfarëdo substance që mund ta shkaktojë ekzemën.

HAIR (FLOKËT)
Flokët kanë një rëndësi shumë të madhe për estetikën e njeriut. Rënia e tyre është e dukshme tek femrat dhe tek meshkujt, por më e theksuar është tek meshkujt. Por, përse bien flokët? Rënia e flokëve ashtu si ngjyra e syve, është një tipar i trashëgueshëm. Me kalimin e kohës floku bëhet i hollë dhe bie kur folikulat vdesin. Gjenet që provokojnë rënien e flokut janë të transmetueshme nga të dy prindërit. Është i kotë riti që ndiqet shpesh nga prindërit për të qethur fëmijët e vegjël, në mënyrë që të rritet dhe shtohet floku. Nëse njeri nga prindërit vuan rënien e flokut, ajo do transmetohet tek fëmija, nëse ai ka marrë gjenet e tij. Por nga ana tjetër nuk është e thënë që prindi vuan rënien e flokut dhe patjetër duhet ta ketë dhe fëmija. Kjo është në varësi se nga cili prind i janë transmetuar gjenet fëmijës. Pikërisht me këtë fakt shpjegohen dhe rastet e shumta që ndodhin brenda një familjeje, ku njëri vëlla është tullac, ndërsa tjetri ka një dendësi të madhe të flokëve. Rënia e flokëve fillon që 20 vjeç, por ajo vihet re vetëm kur personi arrin 30 vjeç. Rënia e flokëve nga trashëgimia është tipike në pjesën ballore dhe anash ballit.

SLEEP (GJUMI)
Gjumi është një gjendje e natyrshme pushimi i rregullt trupor i vëzhguar tek të gjithë gjitarët, zogjtë dhe peshqit. Gjumi është e kundërta e zgjimit. Ai nuk është një gjendje e pavetëdijshme, por më tepër, një gjendje prehjeje trupore e mendore, që veçorizohet nga një zvogëlim i vullnetshëm i lëvizjeve trupore, rënie e reaksioneve ndaj ngacmimeve të jashtme, një nivel i lartë i anabolizmit (ripërtëritjes së qelizave) dhe një nivel i ulët i katabolizmit (shkatërrimit të qelizave). Prandaj, gjersa vetëdija është kujdesi ndaj mjedisit, gjumi është vetëm një gjendje e tjetërsuar e vetëdijes, e kundërt me të qenit i pavetëdijshëm. Gjumi ndikohet nga ritmi ditor e ndodh çdo 24-orë, dhe nga shkaqe hormonale dhe rrethanore. Nga ky cikël varet niveli i melatoninës, i cili rritet gjithmonë, kur ne biem të flemë. Gjumi është funksion ripërtëritës i trupit dhe trurit siç vërehet nga shumë simptoma (shenja) të keqfunksionimit që haset në rastet e pagjumësisë. Në të vërtetë, megjithëse gjumi është paraqitur si një gjendje e dukshme qetësie, gjatë kësaj gjendjeje ndodhin ndryshime të ndërlikuara në nivelin trunor që nuk mund të shpjegohen vetëm me një gjendje të thjeshtë pushimi trupor e mendor. Një gjumë i përshtatshëm është biologjikisht i domosdoshëm dhe duket i nevojshëm për të ndihmuar jetën.

HIPERTENSION (HIPERTENSIONI)
Hipertensioni arterial është ngritja e presionit në enët e gjakut. Shkaqet janë të shumta dhe për këtë arsye ndahet në dy grupe të mëdha: Hipertensioni arterial esencial, i cili edhe pas një sërë ekzaminimesh nuk kuptohet se nga vjen. Shpesh ka origjinë trashëgimie ose stresi, pra origjinë të brendshme. Grupi i dytë është hipertensioni arterial sekondar, që tregon se ka një shkak të ndryshëm, që mund të jetë një person që ka vuajtur nga veshkat, nefriti apo infeksione të veshkave dhe quhet hipertension renovaskular. Shkak tjetër mund të jenë sëmundje të tilla të veshkave, si p.sh ngushtimi i arteries renale, që furnizon veshkën me gjak. Duke mos u furnizuar si duhet, në veshkë krijohen çrregullime të prodhimit të hormoneve dhe për pasojë ngritje të tensionit. Shkak tjetër janë problemet me gjëndrat e tiroides: Prodhimi i tepërt të hormonit të tiroides, shton rrahjet e zemrës, e për pasojë shkakton rritje të tensionit të enëve të gjakut. Shkaqe të tjera janë diabeti dhe tumori i gjëndrave mbiveshkore. Nga tensioni vuan gati 12-20 për qind e popullatës dhe me rritjen e moshës rritet edhe përqindja e të prekurve. Shkaqet për këtë janë trashëgimia, stresi, duhani, sëmundjet e veshkave etj. Por më të predispozuar për t’u prekur nga kjo sëmundje është mosha mbi 45-50 vjeç për burrat dhe 50–55 vjeç për gratë. Te gratë kjo lidhet me hyrjen në periudhën e menopauzës dhe çrregullimet hormonale karakteristike të kësaj periudhe, ndërsa te burrat me çrregullimet që pësojnë enët e gjakut, përdorimin e kripës, duhanit, alkoolit. Enët e gjakut humbasin elasticitetin, ngushtohen dhe nisin problemet me tensionin e gjakut. Kohët e fundit po vihet re se hipertensioni po shfaqet dhe te moshat e reja. “Fajtorët” për këtë duhen kërkuar te trashëgimia, por dhe stili i jetës, aktiviteti i ulët fizik dhe regjimi ushqimor me kalori të tepërta dhe pa vlera ushqimore.

HEMORRHOIDS (Hemorroidet)
Hemorroidet ose siç quhet në gjuhën e popullit, majasëlli, janë zgjerime (fryrje) të venave të gjakut që ndodhen përreth pjesës më të fundit dhe asaj të jashtme të zorrës së drejtë (rektumit). Kjo zonë është mjaft e pasur me enë gjaku dhe kryesisht me vena. Duke qenë se këto zgjerime, hemorroidet, kanë mure të holla, ndodh shpesh që të dalit jashtë, të shoqërohet me hemorragji jo të shtuar ose vetë fekalet janë të përziera me koagula gjaku.
Në varësi të dukshmërisë së tyre, ato ndahen në të brendshme, përreth murit të pjesës fundore të rektumit dhe të jashtme, përreth pjesës së jashtme të rektumit, anusit. Hemorroidet e brendshme janë më serioze, më të dhimbshme dhe me risk më të lartë për komplikacione, tromboza apo fistula. Shkak për to në radhë të parë bëhet rritja e presionit të brendshëm të barkut. Në rritjen e këtij presioni ndikojnë mjaft faktorë, ku më i zakonshmi dhe i shpeshti është kapsllëku. Si rezultat i tij, pra mungesës së defekimit, rritet presioni i pareteve të zorrës së trashë dhe kjo bën që gjaku të mbetet në vena, të mos qarkullojë dhe për rrjedhojë të zgjerojë muret e venave duke formuar hemorroidet.
Në shkaqet e tjera të shpeshta janë dhe të qëndruarit ulur për kohëra të gjata, sëmundjet e mëlçisë të shoqëruara me zmadhim të saj, prania e ujit në hapësirën midis organeve në bark, neoplazmat, sëmundjet kancerogjene, të aparatit tretës etj.

LONGEVITY (JETËGJATËSIA)
Shkencëtarët theksojnë se jetojnë gjatë ata të cilët e kurojnë ditë pas dite organizmin e tyre, me të gjitha vitaminat, karbohidratet, yndyrnat e nevojshme, pa abuzuar me alkool, duhan dhe mbi të gjitha, ata që heqin dorë nga bashkëjetesa në ambiente të ndotura. Të dhënat më të fundit nga studimet tregojnë se, sot një grua jeton mesatarisht 80.12 vite. Shifër kjo tepër e lartë krahasuar me jetëgjatësinë ndër vite, kur mosha mesatare e gruas nuk i kalonte 57.08 vite. Të dhënat janë mjaft pozitive edhe për jetëgjatësinë tek meshkujt, megjithëse shifrat raportohen në nivele pak më të ulëta se sa femrat.

MIGRAINE (MIGRENA)
Migrena është sëmundja më e përhapur neurologjike në vendet e zhvilluara. Ajo kap shifrën mbi 10% të popullsisë dhe çdokush mund të provojë migrenën, megjithatë trashëgimia gjenetike dhe faktorë të tjerë socialë kanë një ndikim të rëndësishëm. Kryesisht preken moshat 20 deri në 50 vjeç, veçanërisht femrat. Të rinjtë, vajzat dhe djemtë ndikohen nga shumë simptoma paralajmëruese deri në këtë moshë. Pas pubertetit, tek 1/3 e femrave dhe meshkujve shfaqet migrena për shkak të ndryshimeve hormonale. Femrat janë veçanërisht të prekura gjatë ditëve të paraardhjes së menstruacioneve, si dhe gjatë tre muajve të parë të shtatzënisë apo menopauzës. Nuk ka një kurë të përcaktuar, por vendoset një trajtim mjekësor që ndihmon.

MALARIA (MALARIA)
Kundër sëmundjes së malaries janë bërë përparime. Në vitin 2005 shkencëtarët njoftuan për sukses në luftën kundër mushkonjës anofele dhe parazitëve të malaries, ndërsa një vaksinë eksperimentale e provuar në Mozambik, po ofron imunizimin e parë të suksesshëm kundër kësaj sëmundjeje. Malaria vazhdon të prekë vendet e varfra, duke shkaktuar çdo vit vdekjen e 1 milion vetave. Po ashtu edhe viti 2007 ka qenë një progres i vërtetë në luftën kundër malaries.

liver (MËLÇIA)
Mëlçia, duke vepruar si fabrika me e madhe kimike e organizmit tonë, ka shumë funksione, të cilat përfshijnë prodhimin e faktorëve të gjakut, proteinave, tëmthit dhe të më shumë se 100 enzimave të ndryshme. Po ashtu ndikon në metabolizmin e kolesterolit, depozitimin e glikogjenit si burim energjie, mbajtjen normale të përqendrimit të sheqerit në gjak. Por dhe në rregullimin e hormoneve të ndryshme dhe detoksifikimin e medikamenteve dhe helmeve, duke përfshirë alkoolin. Alkooli konsiderohet “armiku” kryesor i mëlçisë.

MENINGITISt (MENINGJITI)
Meningjiti në parim ka të bëjë me inflamimin e meningeve, të cilat janë veshjet e trurit. Tipi i shfaqjes së sëmundjes ndryshon në varësi të shkaktarit të meningjitit nga viruset, bakteret, kërpudhat. Meningjiti viral shfaqet pothuajse në të njëjtat kondita brenda katër ose dhjetë ditëve. Kështu pjesa më e madhe e fëmijëve që dallojnë këto simptoma kanë mundësi për të kuruar në kohë sëmundjen pa u shfaqur dhimbjet e forta të kokës dhe lodhja e rënduar. Shfaqja e sëmundjes së meningjitit shoqërohet edhe me simptomat e saj të para, si dhe me theksimin e tyre me avancimin e sëmundjes. Në shenjat e para dallojnë duart dhe këmbët e ftohta, dhimbje në këmbë dhe ndryshime anormale të ngjyrës së lëkurës. Ndër simptomat e tjera të shfaqura te fëmijët përfshihen: Temperaturë, ethe, dhimbje koke, të vjella, neveri ndaj ushqimit, mpirje të qafës, probleme me ndriçimin dhe dritën e diellit, përgjumje, pështjellim idesh e konfuzion. Simptoma kryesore e meningjitit septocemial janë disa njolla të cilat nuk ndryshojnë ngjyrë edhe po t’i shtrëngosh me dorë. Këto shenja mund të shfaqen si njolla të vogla në çdo pjesë të trupit dhe mund të shpërhapen si njolla të nxira, të mavijosura. Këto njolla krijohen nga gjaku i infektuar që qarkullon në indet nën lëkurë. Sëmundja e meningjitit shfaqet në muajt e dimrit. Ajo mund të zhvillohet me hapa të shpejtë dhe në format më serioze të shfaqjes meningjiti mund të shfaqet shkatërruese, madje dhe vdekjeprurëse. Fëmijët nën moshën një vjeç janë më të rrezikuar, krahasuar me fëmijët nga mosha një deri në pesë vjeç.

OBESITY (OBEZITETI)
Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit mbipesha, pra obeziteti, është shpeshtuar së tepërmi thuajse kudo në botë. Më shumë se 1 miliard njerëz në botë janë sot me mbipeshë trupore, nga të cilët 300 milionë të dhjamosur rëndë. Në Evropë nga viti 1980 e këtej numri i njerëzve obezë është rritur tri herë. Alarmi është se ai po rritet edhe tek fëmijët. Nga viti 1970 numri i të rinjve dhe fëmijëve obezë ose me peshë të tepërt trupore në Evropë është rritur 10 herë. Obeziteti përbën tashmë epideminë më të re që po pushton pa ndalur planetin. Prej padijes, nënvlerësimit, naivitetit shëndetësor dhe pasivitetit shoqëror po shtohen me ritme të frikshme bashkë me të, problemet shëndetësore dhe shoqërore që ai krijon. Për të parandaluar këtë sëmundje do të duhej në radhë të parë kujdesi i veçantë ndaj ushqimit. E keqja e obezitetit nuk është vetëm estetike. Ai krijon sëmundje dhe vret. Madje është një nga shkaktarët kryesorë për lindjen dhe rëndimin e sëmundjeve të një liste të gjatë sëmundjesh kronike. Mbipesha është bërë faktor ndikues për rreth 600 milionë njerëz me hipertoni arteriale, 177 milionë të sëmurë me diabet, 20 milionë të prekur nga kanceri dhe 20 milionë me sëmundje të zemrës e të arterieve të trurit. Nëpërmjet sëmundjeve të mësipërme vetëm në vitin 2005 obeziteti shkaktoi vdekjen e 35 milionë njerëzve. Obeziteti dhe shfaqja e sëmundjeve të tjera të zemrës, hipertensioni, kanceri, diabeti, niveli i lartë kolestrolit, u bënë shkak për vdekjen e shumë të sëmurëve. Studimet e bëra nga ekspertët kanë treguar ndikimin e plotë që kishte obeziteti në shfaqjen e kancerit te gratë. Mbipesha shfaqej si faktor nxitës i 10 tipave të kancerit dhe sëmundjeve të ndryshme. Të gjitha këto sëmundje kishin probabilitet më të lartë shfaqjeje, sidomos pas periudhës së menopauzës. Sipas studimeve më të fundit të realizuara nga shkencëtarë e ekspertë të njohur në ShBA dhe në Evropë, ka rezultuar se obeziteti është shkaktar i kancerit të gjirit dhe mitrës rreth 189 për qind.

PARKINSON (PARKINSONI)
Parkinsoni është një sëmundje neurologjike dhe shenjat e dukshme të saj janë dridhjet, veçanërisht të gjymtyrëve. Me përparimin e sëmundjes, simptomat shtohen. Vështirësitë që shoqërojnë sëmundjen e parkinsonit janë dridhjet, bllokimi i muskujve, ngadalësimi i lëvizjeve, vështirësitë për të ruajtur balancën gjatë ecjes dhe humbja e kujtesës për rreth 20 për qind të pacientëve. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 4 milionë njerëz vuajnë nga sëmundja e parkinsonit. Por kjo shifër parashikohet të rritet, ndërsa shumë vende të zhvilluara vazhdojnë të njoftojnë mbi rritjen e numrit të popullatës së moshuar. Në Shtetet e Bashkuara ka rreth 1 milion e 500 mijë vetë të diagnostikuar me parkinson. Sëmundja fillon të shfaqet kryesisht tek njerëzit e moshës 60-65 vjeç. Ilaçet duket se bëjnë efekt në vitet e para të prekjes, por më vonë këto efekte dobësohen. Trajtimi i parkinsonit është treguar i suksesshëm tek 25 për qind e pacientëve të cilët iu nënshtruan operacionit për stimulimin e thellë të trurit. Elektrodat vendosen në një zonë të trurit të njohur me emrin subthalamic nuckleus që nxit veprimtarinë e tepruar të trurit. Elektrodat lidhen me një aparat të vendosur në gjoks. Në këtë mënyrë, elektrodat dërgojnë një sinjal për qetësimin e dridhjeve dhe zhbllokimin e muskujve.

POLIOMYELITIS (POLIOMELITI)
Në vitin 1988 bota shënoi 350 mijë raste të prekjes nga poliomeliti. Me kalimin e kohës rastet kësaj sëmundjeje u pakësuan dhe në vitin 2005 u regjistruan vetëm 1 mijë e 500 raste. Sëmundja e poliomelitit tani është e pranishme në vetëm 6 vende; Egjipt, Niger, Nigeri, Afganistan, Pakistan dhe Indi. India parashikonte që në vitin 2006 të mos kishte asnjë rast të kësaj sëmundjeje. Por, shqetësimi është se 11 vende dikur të prekura nga kjo sëmundje, si Indonezia, Somalia dhe Jemeni, njoftojnë mbi raste të reja të poliomelitit.

PANCREAS (PANKREAS)
Pankreasi është një gjëndër e gjendur në bark, e cila lëshon një lëng tretës (lëngun pankreatik) në zorrën dymbëdhjetëgishtore përmes një ose më shume tubëzave. Pankreasi prodhon edhe disa hormone të rëndësishme, duke përfshirë edhe insulinën. Kjo gjëndër është një organ në formë pyke me gjatësi rreth 14-20 cm, gjerësi 4 cm, shpesh 1,5 – 2cm dhe 65 – 80 g i rëndë (tek gratë peshon pak më lehtë) dhe ka ngjyrë të kuqërremtë ose të përhirtë kur është në fazën e veprimtarisë së dendur prodhuese. Ajo gjendet pas shtyllës kurrizore. Për shkak të vendosjes së thellë, pankreasi nuk është lehtësisht i kapshëm nga vëzhgimet mjekësore dhe sëmundjet e tij janë në përgjithësi të rënda dhe të vështira. Sëmundjet më të shpeshta janë pankreatit i thjeshtë, nekrotik ose hemorragjik, tumoret, cistet, diabeti dhe gurët në veshka, tëmth etj. Ky ves i cili është shkaktar i një vargu të gjerë sëmundjesh, duke filluar që nga aparati tretës, mëlçia, dëmton shumë rëndë edhe pankreasin. Në mëlçi alkooli i konsumuar shkakton dëmtime të qelizave hepatike, dëmtim që progreson në kohë dhe që varet nga doza e konsumuar për ditë dhe nga veçoritë fiziologjike të individit. Kështu është vërtetuar se sasia e rrezikshme e alkoolit është ajo prej 20-40 gr. alkooli etilik, alkooli që përmban pije dehëse, ndërsa përdorimi 100-150 gr. alkool në ditë çon brenda një periudhe 10-vjeçare në cerozë. Nga ana tjetër është vërtetuar edhe shkencërisht se për shkak të fiziologjisë femrat dëmtohen shumë më shpejt se meshkujt për të njëjtën sasi alkooli të konsumuar.

PROSTATE CANCER (KANCER I PROSTATES)
Kanceri i prostatës godet çdo vit rreth 12 për qind të popullsisë botërore. Niveli i vdekshmërisë ka pësuar rënie me 9 për qind që nga viti 1985 deri në 1998. Mbijetesa prej pesë vjetësh, pasi është identifikuar dhe kuruar tumori, është rritur me 15 për qind këto 15 vitet e fundit. Në Evropë nga ky lloj tumori janë të prekur 40 në 100 mijë persona, ndërsa në USA 70 në 100 mijë. Por nuk është e thënë që të gjithë ata që kanë një hiperplasi beninje zhvillojnë tumorin e prostatës. Studimet shkencore akoma nuk kanë arritur të zbulojnë se përse disa meshkuj sëmuren dhe disa të tjerë jo. Specialistët se dihet që me kalimin e viteve një mashkull ka mundësi më të mëdha për të zhvilluar këtë lloj tumori, por nuk janë identifikuar akoma faktorët që e shkaktojnë këtë, përveç dhjamosjes. Për të identifikuar prekjen e një organizmi mashkullor nga ky lloj tumori ekziston dhe një test i veçantë. Testi konsiston në një analizë të thjeshtë gjaku në të cilën matet niveli i PSA, që është një glikoproteinë e prodhuar nga qelizat e prostatës. Përqendrimi i kësaj substance të prodhuar nga qelizat e prostatës shtohet në raste infeksioni, neoplasish apo hiperplasish beninje. Duhet të përsëritet të paktën tetë herë dhe shërben për të diagnostikuar sa më parë një tumor. Vlera normale e PSA është 2.5 mg/ml. Në qoftë se ky përqendrim është më i lartë, atëherë do të ishte e nevojshme të bëni një biopsi. Në qoftë se gjatë biopsisë arrin në 10 mg/ml, atëherë rreziku i krijimit të një tumori është rritur.

INSOMNIA (PAGJUMËSIA)
Të gjithë e dimë që regjimi stabilizon organizmin tonë. Të abuzosh me gjumin do të thotë të plakesh para kohe. Pagjumësia e vetëstimuluar është problematike, sepse fytyra e shfaq stresin dhe lodhjen më shumë se çdo gjë tjetër. Kur vendos të bësh një investim për veten, duhet të zbatosh këshillat me rigorozitet, sepse në të kundërt shpenzon para dhe kohë kot. Eficienca e trajtimit nuk është në nivelin e dëshiruar. Pagjumësia dhe mungesa e regjimit çakordojnë organizmin. Stimulojnë rrudhat, rrathët e zinj poshtë syve, si dhe borsat e syve. Të vendosësh rregull është domosdoshmëri. Nëse je mësuar të qëndrosh pa gjumë, mësohesh shumë kollaj të flesh, duke shkuar në shtrat gjysmë ore më shpejt derisa të vendosësh një orar të rregullt.

ARTHRITIS RHEUMATICK (REUMATIZMA)
Reumatizma është shumë e përhapur në vendet ku stimulohet, kjo për shkak të klimës dhe kushteve të punës dhe banimit. Kurat më të mira, sipas mjekëve specialistë, janë barishtet. Në farmacitë bimore, ekzistojnë bimë të perëndimit që janë të shumta për sa i përket llojeve. Përzierje e bimëve që tregtohet është tretur në alkool bimësh 39 gradë dhe quhet Schenden Bitter dhe bashkë me të edhe një lloj kremi i quajtur Calendula Saslbe dhe është e përbërë nga yndyra dhe lulja e quajtur Calendula Officinalis që, ndryshe në gjuhën e popullit quhet lule duhani, sepse i ka gjethet të ngjashme me të. Shkaqet e sëmundjeve reumatizmale janë të përgjithshme dhe lokale, shpjegojnë reumatologët duke pohuar se shkaqet lokale, pra të pjesëve të ndryshme të trupit, janë të shpeshta gjatë artrozës. Sipas tyre, sa herë që sforcohet një nyjë, duhet të mendohet për rrezikun e dëmtimit të saj, sidomos ato me natyrë sportive dhe profesionale nga mikrotraumat, kjo mundësi shtohet në rast se kemi të bëjmë me një anomali anatomike të fituar apo të lindur, e cila ndikon fuqishëm mbi artrozë. Ndërsa ndër shkaqet e përgjithshme, specialistët përmendin moshën, e cila përbën një faktor etiologjik, ku artroza sa vjen e theksohet. Ndërkohë, faktori gjenetik, pra trashëgimia, sipas mjekëve, ndikon sidomos në formën e artrozës së gishtave të këmbëve dhe të duarve, ku viktimë e kësaj, sipas tyre, janë sidomos femrat. Po ashtu klima e ftohtë ndikon shumë në rëndimin e artrozës poliartikulare, e cila prek duart dhe viktimë janë sidomos gratë pas të 50-ve, kur kjo kombinohet me perimenofrazën, por te gratë edhe mbipesha është faktor negativ për sëmundjet reumatizmale.

SCHIZOPHRENIA (SKIZOFRENIA)
Skizofrenia është një sindromë që shfaqet kryesisht me praninë e një bashkësie shenjash karakteristike, të shoqëruara me një keqfunksionim të dukshëm social e fizik. Simptomat kryesore mund të konsiderohen të ndara në dy grupe të mëdha: Simptoma pozitive dhe negative. Simptomat pozitive përfshijnë shtrembërimet ose teprimet, siç janë: Deliret, halucinacionet, të folurit e ç’organizuar, sjellje të çrregullta. Simptomat negative përfshijnë: Reduktim të intensitetit të shprehjeve emotive; reduktim në rrjedhshmërinë dhe produktivitetin e mendimit e të folurit; reduktim në orientimin e sjelljeve me përfundim arritjen e qëllimit. Personat skizofrenike shfaqin çrregullime të perceptimit dhe të vëmendjes. Ata shpesh shprehen se bota u duket e ndryshme e gati ireale. Disa flasin për ndryshime në përmasat e trupit të tyre apo ndryshime në distancat mes objekteve që kanë realisht pranë. Shtrembërimet më dramatike të perceptimit janë halucinacionet, të cilat janë përvoja ndjesore në mungesë të stimujve mjedisore realë. Një i sëmure skizofren nuk arrin të ndajë kufirin e reales me jorealen. Skizofrenia, zakonisht paraprihet nga një fazë pararendëse, gjatë së cilës vërehet një përkeqësim i funksionimit normal. Gjatë kësaj periudhe personi shfaq shenja të tërheqjes nga shoqëria, moskujdesje për higjienën personale, mungesë të theksuar motivimi dhe përjetime të ndjesive dhe perceptimeve jo të zakonshme. Skizofrenia ndahet në tipa dhe nën tipa, të cilët klasifikojnë lloje të ndryshme apo kombinime të çrregullimeve të skizofrenisë. Çrregullime të ndryshme të skizofrenisë, në varësi të llojit, kohëzgjatjes apo kushteve të përshkallëzimit, mund të përmirësohen apo edhe të shërohen.

SEXUALLY TRASMITTED DISEASES (SËMUNDJET NGJITËSE SEKSUALE)
Sëmundjet ngjitëse seksuale janë sëmundje që ngjiten nga kontakti trupor gjatë marrëdhënieve seksuale. Këto shkaktohen nga viruset, bakteret dhe parazitet. Këto po ashtu njihen si infektime ngjitëse seksuale apo me emrin e vjetër Sëmundje Veneriane. Ekzistojnë 25 lloje të sëmundjeve ngjitëse seksuale. Këto të gjitha kanë të përbashkët faktin që të gjitha ngjiten nga marrëdhëniet seksuale, duke përfshirë seksin vaginal, anal dhe oral. Çdo njeri që është seksualisht aktiv mund të jetë në rrezik prej sëmundjeve ngjitëse seksuale. Disa prej sëmundjeve mund të kenë simptoma si: Shkarkesë nga organet gjenitale, dhembje kur urinojnë, ënjtje dhe inpoflamim në organe gjenitale. Shumë sëmundje ngjitëse seksuale si Klamidia, nuk shfaqin simptoma. Për këtë shkak rekomandohet të bëni kontrollin e shëndetit seksual, t’i bëni analizat për sëmundje ngjitëse seksuale nëse mendoni se jeni në rrezik. Ndonjëherë mund të kalojë kohë e gjatë deri në shfaqjen e simptomave, kështu që ju mund infektoni dikë gjatë kësaj kohe. Prandaj është e nevojshme të bëni analizat dhe të merrni trajtimin e duhur. Nëse jeni në marrëdhënie me partner dhe është vërtetuar se keni sëmundje ngjitëse, kjo nuk do të thotë se ai/ajo ka pasur marrëdhënie seksuale me dikë tjetër. Simptomat e sëmundjeve ngjitëse seksuale mund të shfaqen me muaj pas infektimit.

NEUROGICAL DISEASES (SËMUNDJET NEUROLOGJIKE)
Sëmundjet neurologjike shkaktohen nga çrregullime dhe shqetësime psikologjike, por në disa raste edhe nervore. Disa nga këto sëmundje neurologjike janë më të shpeshta me fillimin e stinës së nxehtë, por nuk mungojnë edhe rastet të cilat shfaqen vetëm në kohën e lagësht ose në stinën e ftohtë. Sëmundjet neurologjike janë më shpeshta me fillimin e stinës së nxehtë dhe në varësi të kësaj edhe shqetësimet e pacientëve shtohen. Kohët e fundit është vënë re një shtim i vizitave ose urgjencave, të cilat i përkasin më tepër sëmundjeve të epilepsisë, hemorragji cerebrale, por edhe sëmundje të tjera të cilat kanë të bëjnë me sëmundjet neurologjike kanceroze. Me fillimin e stinës së nxehtë edhe shqetësimet dhe rreziku është më i madh. Këto shqetësime këto kohët e fundit janë më të shpeshta tek moshat e reja, por nuk mund të veçojmë edhe moshat e vogla, por kategoria më e prekur është grupmosha e parë. Një nga faktorët më të rëndësishëm që është shkaktar i kësaj sëmundjeje është edhe stresi dhe, sipas specialistëve, nga studimet më të fundit ky është faktori për të cilin nuk mund të ketë një mjekim specifik, por vetëm trajtime më shumë psikologjike, teknologjia e të cilave ende nuk ka arritur në vendin tonë.

THALASSEMIA (TALASEMIA)
Talasemia është sëmundje gjenetike që shkaktohet nga mungesa ose nga pakësimi i prodhimit të vargjeve të hemoglobinës. Talasemia është një çrregullim i trashëguar i gjakut. Ajo ul sasinë e hemoglobinës në trupin e njeriut dhe mund të sjellë në këtë mënyrë pamundësinë që rruazat e kuqe të transportojnë në mënyrë të mjaftueshme oksigjen në organet ku ai është i nevojshëm. Kjo shkakton anemi dhe në rast se nuk mjekohet, zemra dhe organe të tjera në trup nuk do të arrijnë të kryejnë funksionet e tyre, si rezultat i mungesës së oksigjenit. Transfuzioni i rregullt i gjakut është i vetmi mjekim i përshtatshëm i njohur për talaseminë. Trajtimi i talasemisë është i vështirë dhe kërkon trajtim të vazhdueshëm. Në varësi të llojit të sëmundjes dallon edhe varësia nga nevoja për të marrë apo jo gjak vazhdimisht.

WATER (UJI)
Uji i ndotur dhe jo i dezinfektuar, përmban përbërës të ndryshëm dhe lëndë të shumta toksike të cilët mund të shkaktojnë sëmundje në masë te njerëzit. Uji i pijshëm meriton gati vëmendjen kryesore gjatë kujdesit për shëndetin tuaj. Konsumimi i ujit të pijshëm përveç shfaqjes së sëmundjeve të ndryshme hepatitit, diarreje; përbën një rrezik për shfaqjen e kancerit. Në të mund të përmban elemente të ndryshme toksike që bëhen shkak për mutacione të ndryshme. Për këtë është i nevojshëm klorimi ujit për t’u pastruar nga pesticidet dhe kimikatet e ndryshme.

VACCINE (VAKSINIMI)
Vaksinimi është procedurë me të cilën mundësohet mbrojtja nga sëmundjet ngjitëse. Imunizimi është mënyra më e mirë për mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundjet e rënda që mund të shkaktojnë edhe vdekje. Në Maqedoni fëmijët vaksinohen pa pagesë kundër Hepatitit B, tuberkulozit, paralizës së fëmijëve, difterisë, kollës së bardhë, rubeolës. Vaksinat përmbajnë shkaktarë sëmundjesh të dobësuar ose të vrarë. Të përgatitur si vaksinë, ata nuk mund të shkaktojnë sëmundje te fëmija. Me injektimin e vaksinës në organizmin e fëmijës krijohet mekanizëm mbrojtës natyral, me krijimin e antitrupthave dhe qelizave mbrojtëse. Nëse gjatë jetës fëmija infektohet me sëmundjen kundër së cilës është i vaksinuar, rezistenca e fituar pas vaksinimit do ta mbrojë nga sëmundja e rëndë dhe komplikimet. Për mbrojtje komplete dhe të qëndrueshme të fëmijës, është e nevojshme të jepen një numër i ndryshëm i dozave të vaksinave, në intervale kohore të caktuara dhe në moshë të ndryshme të fëmijës. Për këtë qëllim ekziston kalendari i vaksinimit. Shumë rrallë, pas vaksinimit mund të shfaqen efekte të padëshirueshme më të rënda: Encefalopati akute, konvulsione në tri ditët e para pas vaksinës, temperaturë e lartë dhe një gjendje e ngjashme me shokun dhe reaksion anafilaktik, menjëherë pas pranimit të vaksinës.

Sëmundjet ngjitëse

FSHIQJA
Sëmundje e rëndë vdekjeprurëse (si kolera, murtaja, lia etj.), që prek shumë njerëz a kafshë dhe përhapet zakonisht shpejt në një krahinë, në një vend, a në disa vende si epidemi. Simptomat e saj janë të njëjta me epideminë.

Simptomat:

1-Sëmundje ngjitëse
2-Përhapet në të gjithë zonën, krahinën, qytetin
3-Përhapet nëpërmjet frymëmarrjes, ambientit të dhomës
4-Sëmundja e fshiqes është gjithmonë vdekjeprurëse

EPIDEMIA

Epidemia është sëmundje ngjitëse që përhapet shpejt te shumë njerëz në një krahinë, në një vend a në disa vende. Përhapet shpejt në një masë të madhe njerëzish nëpërmjet frymëmarrjes, ambientit të dhomës dhe kontakteve të tjera.

Simptomat:

1-Sëmundje ngjitëse
2-Përhapet në të gjithë zonën, krahinën, qytetin
3-Përhapet nëpërmjet frymëmarrjes, ambientit të dhomës
4-Epidemia mund të jetë gripale, virale etj.

BRUCELOZA

Është sëmundje ngjitëse e bagëtisë së imët, e gjedhit dhe e derrave, që shkaktohet nga disa baktere dhe që nëpërmjet kafshëve u ngjitet edhe njerëzve. Shfaqja e saj në shumë raste është me temperaturë dhe vatra infeksioni nëpër të gjithë trupin e personave që preken nga sëmundjet.

Simptomat:

1-Ethe dhe temperaturë të lartë
2-Dobësim të organizmit për të vepruar
3-Vatra infeksioni nëpër të gjithë trupin
4-Njerëzit e marrin atë në ambientet ku jetojnë kafshë me këtë sëmundje.

FRUTHI

Sëmundje ngjitëse që prek sidomos fëmijët, e cila shfaqet me puçrra ose me njolla të kuqe në lëkurë dhe shoqërohet zakonisht me zjarrmi e me mahisjen e qepallave, të qiellzës e të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Fruthi parandalohet me vaksinë.

Simptomat:

1-Simptomat zakonisht paraqiten 10-12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit.
2-Fruthi shfaqet me temperaturë të lartë
3-Me ftohje dhe inflamacion të syve
4-Shpërthim i kuq i imët në lëkurë në formë të pikave që fillon nga fytyra e qafa dhe përhapet gradualisht teposhtë duke e mbuluar tërë trupin.

4 COMMENTS

  1. Shum sene msova ne ket faqe,po nje sen nuk mujta me gjet smundja e Komes qe shum po vun motra ime,ka shum koh qe po kerkoj neper internet po nuk po muj me gjet kerkun,qka mund ju te me ndimoni mua qe ta shpetoj motren time,ju lutem te me ndimoni diqka.Qe nje vit e gjysme eshte veq ne shtrat nuk din esgje.ja dhe numri im +38649442311.ju falemenderit per mir kuptim me respekt vedat cocaj Prizren R.Kosoves

Leave a Reply to AGIMI Cancel reply

Please enter your comment!
Please enter your name here