Home Ekonomi Fillojne punimet ne autostraden Vermicë-Merdare

Fillojne punimet ne autostraden Vermicë-Merdare

284
1

Buldozerët dhe makineria e rëndë e kompanisë Bechtel&Enka nuk pushuan për asnjë çast, derisa ministri i Transportit, Fatmir Limaj, inspektonte punimet në autostradën Vermicë-Merdare. Nuk ishte e qartë nëse kjo dinamikë e punës ishte sa për t’i rënë në sy ministrit apo punëtorët e kishin marrë me seriozitet realizimin e projektit.

Edhe vetë ministri Limaj u habit me punën që ishte bërë deri tani, pak ditë pas përurimit të fillimit të punimeve. “Kjo është vizita e parë e imja dhe jam i kënaqur me dinamiken e punëve”, tha Limaj të shtunën, derisa inspektonte punimet në Vermicë.

Ai për pak çaste e lavdëroi kompaninë ndërtuese dhe premtoi se brenda tri javësh do të fillojnë gërmimet deri në Prizren. Prej Vermicës deri në këtë qytet janë diku 13 kilometra. Derisa Ministria e Transportit po mundohet t’ia heqë kompanisë të gjitha pengesat rreth shpronësimit, problemeve me ujësjellësin dhe problemet energjetike, Limaj tha se Ministria e Financave që në muajin e ardhshëm do të fillojë kompensimin e pronave.

“Autostrada është një kryevepër e Kosovës dhe ne si ministri do ta përcjellim ndërtimin e saj hap pas hapi”, tha ai. Në realizimin e punimeve do të marrin pjesë me 40 për qind kompanitë vendore. Sipas Limajt, krahas një kompanie me përvojë siç është Bechtel&Enka, kompanitë vendore e kanë shansin e tyre për të përfituar dhe shkëmbyer eksperiencën e kësaj kompanie.

Nga ana tjetër, ekskavatorët e kompanisë Bechtel&Enka tashmë kanë gërryer metrat e para të dheut nga Vërmica për në Prizren, në pjesën ku do të ndërtohet autostrada. Krahas gërmimeve po ndërtohet edhe kampi për vendosjen e makinerisë, përbri të cilit do të jetë edhe punishtja për ndërtimin e platformave të urave dhe impiantet e asfaltit.

Shefja e Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun, Ela Ruqi, thotë se këta janë hapat e parë për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare. Sipas saj, të gjitha këto janë pjesë e dinamikës së punës.

Ruqi thotë se puna ka filluar në pronë shoqërore, aty ku kompania e ka pasur më të lehtë të merret vesh me qeverinë për kontestet pronësore. Megjithatë, ajo nuk sheh ndonjë telash me pronat private. Përkundrazi, është mahnitur me banorët se sa mirë e kanë pritur fillimin e punimeve për autostradën.
Sipas saj, në kontratë është përcaktuar se dy seksionet e para deri në Qafë të Duhles do të kryhen fundin e vitit tjetër. Këtë afat, Ruqi premton se do ta respektojë kompania.

Ajo thotë se tani për tani dihet vetëm traseja nga do t’i bjerë për dy segmentet e para deri në Duhël dhe dimensionet e autostradës, për të cilën inxhinierët janë duke përgatitur detajisht planin e urave dhe aspektet e tjera teknike.

Ura e parë që do të ndërtohet, do të jetë pikërisht në vendin ku simbolikisht krerët e shtetit më 25 prill patën dhënë dritën jeshile për fillimin e punimeve. Kjo urë do të kalojë mbi rrugën ekzistuese, duke e devijuar autostradën drejt fshatit Zhur.

Por, deri në fund të qershorit, Bechte&Enka është fokusuar të bëjë sistemimin e makinerisë, punësimin e stafit të nevojshëm dhe të kryejë matjet gjeologjike.

Deri atëherë, zyrtarët e kësaj kompanie besojnë se Qeveria e Kosovës do të vendosë edhe për pjesën tjetër të autostradës, saktësisht, segmentin e tretë, ku është e diskutueshme nëse do të shkohet me tunele ose do të ketë devijim.
“Ne i kemi ofruar qeverisë si alternativë devijimin dhe tash është duke u bërë projekti për të vlerësuar nëse është më mirë me tunele apo duhet të bëhet devijimi”, thekson Ruqi.

Në anën tjetër, ajo pohon se vazhdimisht janë duke punësuar punëtorë të rinj për nevoja të zhvillimit të projektit. “Bechtel do të ndjekë dy strategji të punësimit. Njëra do të jetë punësimi direkt i stafit udhëheqës, si inxhinierë e punëtorë të specializuar; si dhe përmes nënkontraktorëve”.

Tashmë për pozitat e hapura për punësim direkt në konzorciumin amerikano-turk kanë konkurruar mbi një mijë persona dhe dhjetë prej tyre janë punësuar. Ndërkaq, disa nga kompanitë vendore të nën-kontraktuara tashmë kanë filluar punën për Bechtelin dhe kryesisht po përgatisin terrenin për vendosjen kampit dhe punishteve. Edhe materiali për ndërtimin e autostradës kryesisht do të merret nga Kosova.

1 COMMENT

Leave a Reply to genti Cancel reply

Please enter your comment!
Please enter your name here