Home Aktualitet Benzi i blinduar, 700 milione hiqen nga fondi i emergjences

Benzi i blinduar, 700 milione hiqen nga fondi i emergjences

1541
2

Makina e blinduar 700 milionë lekë ka kaluar doganën dhe tani është në dispozicion të Sali Berishës. Kamerat e emisionit ”Fiks Fare” kanë shoqëruar udhëtimin e saj nga dogana në Tiranë. Paratë për makinën u nxorën nga fondi i emergjencës i qeverisë për fatkeqësitë

Kryeministri Sali Berisha ka hedhur një hap më tej në përforcimin e masave super-mbrojtëse. Pas rrethimit të rrugicës së shtëpisë së tij me roje, ai ka tani në dispozicion dhe një makinë super të shtrenjtë, të blinduar dhe me aksesore të tjerë anti-terror, siç është bllokimi i sinjaleve elektronike kur ajo lëviz. Po ashtu në mjediset e kryeministrisë janë shtuar kontrollet dhe qentë anti-minë, ndërsa familja e tij thuajse ka kaluar në ilegalitet.

VKM për makinën e blinduar

Në vendimin e qeverisë datë 5/11/2010 me nr. 867, shkruhet se ky fond është parashikuar në buxhetin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, dhe do të shfrytëzohet vetëm për postin e kryeministrit dhe të delegacioneve. Automjeti në fjalë mësohet se do të përdoret për personalitetet e larta shtetërore. Për këtë fond të akorduar kryeministrisë në vendimin zyrtar thuhet se në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45 të ligjit nr.

9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë” dhe të nenit 13 të ligjit nr. 10 190, datë 26.11.2009 “Për buxhetin e vitit 2010″, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave ka vendosur që Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, t’i shtohet fondi prej 700 milionë lekësh të vjetra, për blerjen e një automjeti të blinduar, për parkun e delegacioneve.

Gjithashtu me VKM është vendosur se për këtë fond do të ngarkohen Kryeministria, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi duke marrë parasysh se ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Sipas VKM, ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit.

Përgënjeshtrimi i Berishës

Berisha përgënjeshtroi lajmet se ishte duke blerë një makinë të blinduar Benz më vlerë 700 milionë lekë edhe pse vendimi ishte marrë në mbledhje të qeverisë. Por tashmë makina ka mbërritur dhe ajo do t’i shtohet masave të sigurisë për ruajtjen e jetës së Sali Berishës.

I rrethuar nga paranoja se do ta eliminojnë fizikisht, Berisha po u ankohet dhe diplomatëve të huaj në Tiranë duke folur për një plan për eliminimin e tij. Edhe pse shumë diplomatë nuk e marrin seriozisht, ata kanë nisur ta qarkullojnë ankesën e tij si serioze për gjendjen psikologjike të tij.

Makina e re, e cila është një bunker lëvizës, shpresojmë ta qetësojë sado pak kryeministrin gjatë fushatës elektorale, ku do t’i duhet të dalë në takime në rrethe.

Paranoja e Berishës për vrasje me shpërthim

Disa ditë më pare, ”Shekulli“ botoi një analizë të ekspertëve të sigurisë, që gjykonin mbi masat e shtuara të sigurisë së kreut të qeverisë së Shqipërisë. Rruga “Mustafa Matohiti”, ku banon kreu i qeverisë, është e bllokuar prej shumë ditësh. Asnjë makinë e paautorizuar nuk lejohet që të kalojë aty pa marrë më parë aprovimin e Gardës dhe policisë.

E gjithë rruga është nën patrullimin e rreptë të Gardës së Republikës megjithëse godina ku ka apartamentin Berisha është vetëm një nga dhjetëra godina të rrugës. Gardistët janë të armatosur dhe sa herë që kryeministri apo anëtarët e familjes së tij hyjnë dhe dalin nga ndërtesa, ata dalin në rrugë duke kontrolluar të gjithë perimetrin rreth makinës.

Skenat ndonjëherë janë aq të habitshme për banorët sa të kujtojnë ish-Bllokun e udhëheqjes komuniste. Berisha ka adoptuar për rrugën ku ndodhet shtëpia e tij të njëjtën mënyrë ruajtjeje me gardistë në një rreze shumë të gjerë dhe me tabela STOP!.

Por masat për ruajtjen e Berishës nuk përfundojnë tek rruga “Mustafa Matohiti”, ato shtrihen deri në kryeministri. Me vendim të Policisë Rrugore është ndaluar parkimi edhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”. Nga kryqëzimi i rrugës “Mustafa Matohiti” e deri tek kryqëzimi i rrugës “Ismail Qemali” nuk lejohet më parkimi i makinave. Edhe në krahun e shtëpisë së kryeministrit janë vendosur disa pengesa të Policisë Rrugore që ndalojnë makinat të qëndrojnë aty.

Masat e forta të sigurisë për kryeministrin Berisha janë vënë re edhe në Kuvend. Gazetarët dhe personeli i Kuvendit, për herë të parë, janë kontrolluar deri edhe nga qentë anti-minë.

Operatorëve në disa raste iu është kërkuar që të ndezin kamerat për të provuar se ato janë thjesht kamera. E njëjta situatë është paraqitur edhe në Parlament gjatë seancës plenare. Në seancën e javës së shkuar janë numëruar më shumë se 70 punonjës të sigurisë në korridoret e Parlamentit, numër i pazakontë për atë mjedis.

Poshtë vendit ku ulet kryetari i qeverisë janë vendosur dy truproja të veçanta. Herë pas here dy truprojat ngrihen në këmbë dhe qëndrojnë pa lëvizur përpara kryeministrit. Në raste të tjera Garda krijon një gardh sigurie që qëndron ndërmjet foltores dhe anëtarëve të qeverisë.

Qentë anti-minë janë bërë shoqëruesit e përhershëm të kryeministrit pothuajse në të gjitha daljet e tij televizive.

Sa herë që kreu i qeverisë është i ftuar në ndonjë studio, përpara tij paraqiten punonjësit e Gardës së Republikës që kontrollojnë të gjithë ambientet. Ata shoqërohen edhe nga qentë që kontrollojnë një nga një zyrat. Pasi Garda bindet se çdo gjë është OK, atëherë kryeministri paraqitet në studio. Kjo ka ndodhur edhe në televizione që njihen si pranë kreut të qeverisë.

2 COMMENTS

  1. si munden kta politikan shqipetar te jan kaq te pa dhimbshem ndaj popullit te bejn qka te dojna me djersen e popullit po sikur tkishin qen kaq te mir kta politikan nuk ju kish nevojit hiq vetura e blinduar, ishalla nje dit do te vetdisohen populli e te rrezojn kete strukttur politike perndryshe kurr ska me u hek zullumi ktij populli te vujtur..

  2. nje gje nuk arrije te kuptoje!
    Nese ai nuk eshte ne gjendje te mbroje veten e vete si mund te jete ne gjendje qe te mbroje kete popull???!!!
    por mjere populli thuaj, mjere!

Leave a Reply to bastri maloku Cancel reply

Please enter your comment!
Please enter your name here