Home Aktualitet Armet kimike, ish shefi i Kimise: Baza duhet 30 km larg qendrave...

Armet kimike, ish shefi i Kimise: Baza duhet 30 km larg qendrave te banuara

757
1

syria-chemical--weaponZërat kundër sjelljes së armëve kimike të Sirisë në vendin tonë sa vijnë e shtohen. Enver Osmani, ish-shef i Kimisë së Divizionit të Tiranës dhe ish-shefi i Kimisë së Bazës së Ushtrisë, edhe pse është kundër sjelljes së arsenalit të armëve të Sirisë, mendon se Shqipëria, me ndihmën e partnerëve, mund ta realizojë me sukses shkatërrimin e tyre. Në një intervistë për “GSH”, Osmani shprehet se Uzina e Mjekësit nuk është një bazë e përshtatshme për të realizuar një proces të tillë, ndaj nevojitet ndërtimi i një baze të veçantë që të jetë 30-40 kilometra larg qendrave të banuara. Gjithashtu, ai thekson te përgatitja e madhe që kërkon ky proces, që nis që nga teknologjia e përparuar që kërkon, siguria e lartë dhe specialistët e mirëfilltë. Sipas tij, është e pamundur që shkatërrimi i armëve kimike, të bëhet nga specialistët shqiptarë, pa ndihmën e specialistëve të huaj…

Z.Osmani cilat janë detyrat që keni mbajtur në ushtri për 33 vite?
Kam punuar në detyrat kryesore, që lidhen me çështjet për të cilat ju interesoheni. Kam punuar shef i Kimisë së Divizionit të Tiranës për vitet 1992-1997 dhe 1998-2001 shef i Kimisë së Bazës së Furnizimit të Ushtrisë.

Ditët e fundit po flitet shumë për mundësinë e mbërritjes në Shqipëri të armëve kimike të Sirisë. Bëhet fjalë për një arsenal të madh. Sipas mendimit tuaj, e ka Shqipëria potencialin e duhur për të bërë shkatërrimin e këtyre armëve?
Që në fillim duhet ta them, që i mirëkuptoj të gjithë ambientalistët dhe shoqatat që janë ngritur kundër saj, se vetëkuptohet një proces i tillë, një operacion i tillë më mirë të themi, është një proces i vështirë, që do kohë të gjatë, do një përgatitje tepër serioze për ta realizuar këtë proces.

Kur thoni “përgatitje” çfarë nënkuptoni?
Së pari duhet të bisedohet dhe të përcaktohet se cilat janë lëndët helmuese. Duhet të bëhet inventar i saktë. Më pas duhet të bisedohet për teknologjinë që do të përdoret për shkatërrimin e tyre. Nëse do të pranohet që armët të vijnë në Shqipëri, do të duhet një përgatitje shumë e madhe nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, për vendin ku do të bëhet shkatërrimi, për përgatitjen e personelit ushtarak, që do të marrë pjesë në proces, orientimin e specialistëve dhe konsultimin me specialistë të huaj, në mënyrë që operacioni të shkojë pa patur ndonjë incident.

Nëse armët siriane vijnë në Shqipëri, cila sipas jush është baza më e përshtatshme për t’u bërë shkatërrimi i tyre?
Kam dëgjuar ditët e fundit që flitet për Uzinën e Mjekësit. Është një vend i sigurt si objekt, pasi është përdorur për prodhimin e municioneve, por ndoshta nuk është i përshtatshëm për distancën që ka nga qyteti. Mesa kam njohuri për këtë temë, mendoj se duhet të ndërtohet një objekt i veçantë për këtë problem, ku të paktën të respektohet një distancë 30-40 km larg qendrave të banuara. Kjo do të ishte masa e parë që do të merrej në konsultë me specialistët, në mënyrë që të mos ketë qendra të banuara afër, të mos ketë lëvizje mjetesh dhe njerëzish. Veç kësaj, duhet të merren masa shumë të rrepta sigurie, për të shmangur çdo problem teknik, apo probleme të tjera, që mund të lindin gjatë shkatërrimit të armëve kimike.

A ka në Shqipëri ekspertë që të mund të bëjnë shkatërrim armësh kimike?
Mund të them me kompetencë që në Shqipëri ka rreth 150 specialistë kimie, të cilët mendoj se mund të jenë të vlefshëm për këtë proces. Këtu bëjnë pjesë një grup inxhinierësh që kanë punuar në laboratorin e kimisë dhe janë marrë në vitet 70-80 dhe më pas me procese të shkatërrimit të lëndëve kimike, pikërisht të këtyre lëndëve që disponon Siria.

Pra, ju thoni se në Shqipëri është bërë më parë shkatërrim armësh kimike?
Në laborator dhe në stërvitje të ndryshme që janë bërë në vendin tonë, sidomos para viteve ’90 është eksperimentuar një gjë e tillë dhe është arritur me sukses shkatërrimi i lëndëve kimike deri të tipin Sarinë. Në laborator janë bërë eksperimente të sakta dhe është dalë në konkluzione të sakta me cilat lëndë këto mund të shkatërrohen. Madje lidhur me procesin e mbrojtjes nga lëndët helmuese luftarake, është prodhuar gjerësisht në vitet 1990 edhe një paketë individuale e mbrojtjes kundër lëndëve kimike, e cila do të shërbente për mbrojtjen e efektivëve. Si proces është i njohur. E vetmja që duhet të zgjidhet për këtë proces, është sa do të financohet, financimi do të varet nga teknologjia që do të përdoret, masat që do të merren për shkatërrimin e armëve, instruktimi dhe përgatitja e efektivëve që do të marrin pjesë, të cilët duhet të zbatojnë masat e rrepta të procesit që do të kryhet. Është proces i gjatë, që do kohë dhe do saktësi tejet të madhe.

Çfarë do t’i kushtonte Shqipërisë një incident i mundshëm gjatë asgjësimit të armëve kimike, duke kujtuar këtu vetëm atë çfarë ndodhi në vendin tonë në Gërdec?

Një punë e matur, një operacion i matur mirë, me të gjitha të dhënat e kërkuara, një bashkëpunim mes dy grupeve të specialistëve shqiptarë dhe të huaj, një teknologji e përparuar, nuk mendoj asnjëherë se do të sjellë një gërdec tjetër. Megjithëse janë të rrezikshme, me administrim të saktë mund të arrihet në shkatërrimin e tyre, pa lënë pasoja në vendin tonë.

Pra, parimisht jeni dakord që armët kimike të vijnë në Shqipëri për tu shkatërruar, pasi një proces i tillë mund të realizohet?
Nuk e pëlqej këtë operacion, nuk jam dakord me të. Unë si ushtarak gjithmonë mendoj një operacion rezervë, në qoftë se ngul këmbë në këtë, në qoftë se për hir të marrëdhënieve tona me NATON, për hir të marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për hir të marrëveshjeve të NATOS, e cila ka dhe detyrime, edhe pse nuk e di që është një nga pikat kjo, unë mendoj se specialistët tanë, Ministria e Mbrojtjes, Qeveria Shqiptare, duhet ta marrë tepër seriozisht këtë punë, në mënyrë që të realizojë lëndët kimike, për të cilat bëhet fjalë. Ndoshta duhet menduar, se me ç’kam dëgjuar se nuk do të vijë një sasi prej një mijë ton, por një sasi tjetër, që do ta lehtësonte punën, qoftë të specialistëve të huaj, qoftë atyre shqiptarë.

Është bërë më parë shkatërrim armësh kimike në Shqipëri?
Në laboratorin e kimisë është arritur të studiohen edhe lëndë që janë të gatshme për t’i zhdëmtuar, për t’i kthyer në gjendje të padëmshme lëndët kimike. Janë arritur të shkatërrohen dhe nuk ka patur pasoja. Në laboratorin e kimisë kanë qenë një grup specialistësh të kimisë, të cilët mund të japin përgjigje të sakta, për ta bërë të mundur këtë proces.

Mendoni ju se specialistët shqiptarë mund ta përmbyllin një proces të tillë?
Jo, nuk e mendoj këtë. Mendoj që duhet një bashkëpunim. Madje pa filluar procesi, duhet të përcaktohet qartë, në bashkëpunim me specialistët e huaj, teknologjia që do të përdoret, të përcaktohet vendi, të stërviten trupat, pastaj të merren masa për lëvizjen, transportimin e tyre, që është një proces shumë i vështirë, për shkak se ne nuk e njohim gjendjen e lëndëve kimike atje, ku ruhen, në çfarë gjendje janë pasi nëse lënda kimike është në municione, do të kemi një proces më të gjatë pasi kemi të bëjmë me një demontim në fillim, pastaj me grumbullimin e lëndës helmuese dhe më pas duhet të bëhet shkatërrimi i tyre.

Në dijeninë tuaj a disponon Shqipëria lëndë kimike?
Që nga viti 2004 në bashkëpunim me palën amerikane u bë shkatërrimi i lëndëve helmuese luftarake, që ndodheshin në bazën e furnizimit, që atëherë ushtria shqiptare nuk disponon më armatime me lëndë helmuese luftarake.

Ju personalisht në çfarë procesi për shkatërrimin e armëve kimike keni asistuar?
Personalisht kam marrë pjesë në stërvitje me trupa ku janë përdorur lëndë helmuese luftarake, të tipit hibrik, që është një nga lëndët helmuese ushtarake, të qëndrueshme. Kemi marrë pjesë në disa rajone, si në Patok, në Golem, në Ballenjë të Martaneshit. Nuk ka patur asnjë problem apo incident.

Cila është kostoja e shkatërrimit të armëve kimike?
Është një proces shumë i kushtueshëm. Kur bëhet fjalë për 1 mijë tonë, do jetë një proces tejet i kushtueshëm. Kushti i parë që duhet të vendoset nëse sillen armët, duhet të jenë investimet që do të bëhen.

Për asgjësimin e lëndëve kimike të Sirisë është vendosur një afat. Mendoni se mund të respektohet ky afat?
Është herët për të folur për afate. Duhet të bëhet i saktë inventari i lëndëve kimike që do të vijnë, llojet e tyre, duhet të përcaktohet qartë procesi që do të ndiqet, të përcaktohet vendi, dhe më pas duhet të gjykohet mbi baza të shëndosha logjike dhe shkencore për të dhënë një afat. Afati është çështje e diskutueshme.

1 COMMENT

  1. Qa bani o qeveri po mos I lejoni kimikalet ne shqiperi se do vdese gjith populli qa beni ju lutem u Bej thirrje mos e pranoni nje gje te till <<<<<STOP >>>>>> JU LUTEM Per hir. Te. Popullit

Leave a Reply to Arian Cancel reply

Please enter your comment!
Please enter your name here