Home Alfred Lela 7 refleksione për ndeshjen Itali-Shqipëri

7 refleksione për ndeshjen Itali-Shqipëri

1155
1

TvSh nuk e transmeton ndeshjen. Pse? Një mister antropologjik

Është një mister antropologjik guximi i televizionit publik shqiptar (shtetëror në fakt, sepse publikja është diçka ende e pakapur si koncept ndër njerëz e ndër anë tonat) për të mos transmetuar ndeshjet e futbollit të skuadrës kombëtare. Sigurisht, për fat të mirë të fatit tonë të keq kemi si gjithmonë, në komunizëm apo tranzicion, televizionin publik italian, RaiUno, që bën detyrën dhe transmeton ndeshjen e skuadrës kombëtare të vendit të vet. Si është publikja: përfitojnë edhe ata që janë ende nën organizim shtetëror, shqiptarët domethënë! Me një logjikë të thjeshtë, për ndeshjen Itali-Shqipëri publiku shqiptar ka futur në tre raste dorën në xhep: një herë duke paguar taksën e Televizionit shtetëror; një tjetër duke paguar platformën dixhitale private dhe në fund duke ‘shpërblyer’ ekipin kombëtar të futbollit, i cili gjithashtu mbahet me lekët e taksapaguesve. Ironia bëhet edhe më e madhe kur kujton se ndeshja me Italinë ishte një precedent: dy skuadrat kombëtare luanin për herë të parë përballë njëra-tjetrës. Pra duhej të ishte një ndeshje e memories publike dhe ku më mirë se në arkivat e institucioneve publike.

Solidariteti, ose Operacioni ynë ‘Alba’

Ndeshja e së martës, përveçse ishte një përballje e herës së parë, luhej edhe në një kontekst social e historik të mbarsur. Gjenova, qyteti ku zhvillohej ndeshja, pjesë e rajonit të Ligurias, ishte përmbytur nga reshjet e forta të cilat kishin shkaktuar dëme të shumta materiale. Në rrafsh historik, në fushë përballeshin përfaqësueset e dy kombeve të pabarabarta në shumëçka. Here-herë edhe me njëfarë tensioni shkaktuar nga emigracioni problematik shqiptar e si kundërpërgjigje e tij ksenofobi italiane. Tifozët shqiptarë të pranishëm në stadium, një pjesë e të cilëve mund të konsiderohen shqiptaro-italianë, duke qenë se kanë shtetësi apo janë lindur e rritur në gadishullin Apenin, e duartrokitën himnin e të kaltërve, madje një pjesë e kënduan. Ishte një shfaqje vëllazërimi që e ndesh thuajse kurrë në stadiumet e futbollit, ku jo rrallë ngrenë krye frustrimet e shumta individuale apo kolektive. Në një shkallë modeste solidariteti me gjeste, por edhe të ardhurat nga shitja e biletave që shkuan në ndihmë të të përmbyturve, ishin Operacioni ynë ‘Alba’ në ndihmë të italianëve.

Italianët më në fund habiten për mirë

Një habi me atë që ndodhte në shkallët e stadiumit të Gjenovas e shprehën që mbrëmjen e ndeshjes komentatorët italianë të RaiUno. Duartrokitja e himnit apo edhe të kënduarit e tij, flamurët italianë që u ishin bashkangjitur atyre shqiptarë, e shenja të tjera solidariteti shprehur me anë banderolash të ndryshme u diskutuan edhe të nesërmen apo në ditët në vijim në shtypin e shkruar apo median vizive e online. Gazeta e njohur La Repubblica postonte në sajtin e saj videon ku këndohej himni italian duke e shoqëruar edhe me tekst. Një prej komentuesve shprehte, duke lënë të nënkuptohej edhe njëfarë pendimi për paragjykimet jo të pakta që kanë marrë ndër kohë shqiptarët, ‘çfarë leksioni që na kanë dhënë’. Duke ditur impaktin që ka futbolli në komunikimin e sotëm social e publik, qoftë edhe politik, ndeshja Itali-Shqipëri ishte rasti i përkryer për të riprezantuar një shqiptar normal dhe europian.

Futjet në fushë apo guximi për ta qelbur

…megjithatë nuk kemi dalë ende prej foshnjërisë civike. Teprimi me futjet në fushë të tifozëve shqiptarë, tri të tilla, ishte njëfarë zgjimi prej ngashënjimit të një ndeshjeje që përndryshe do të kishte qenë e përkryer. E pandikuar madje as nga humbja, e cila në ngushtësinë e vet ishte megjithatë një rezultat pozitiv. Qëllimet e ‘thyerësve’ sigurisht ishin të mira dhe aspak kërcënuese, megjithatë shpjegonin një shije të përgjithshme të shqiptarit për mosrespektimin e procedurës, e rregullit, e kufizimeve që edhe në një përballje sportive bëjnë të mundur seriozitetin, etikën dhe estetikën. Futja e dytë, dhe e tretë, pas së parës ngjanin si shprehje e sindromës që ne e njohim mirë përderisa i kemi dhënë edhe një formulim verbal: u bë deti kos. Shpërfilljen që ne kemi ndaj rregullave apo një shijim të kapërcimit të tyre kapur nga ekstaza e çastit e tradhtoi pak spektaklin e solidaritetit dhe bonsensit të shfaqur në atë ndeshje.

Një ndeshje apo match i latinicitetit?

Shkrimtari Ismail Kadare në librin e tij të sapodalë Mëngjeset në kafe Rostand-Motive të Parisit, në një prej sprovave flet edhe, jo për herë të parë, për raportet shqiptaro-serbe. Ai përmend një zili apo smirë të serbëve ndaj shqiptarëve. Sipas tij, ato bazohen te Shkodra dhe Durrësi, ëndrrat për t’i pasur të dy qytetet, dhe te latiniciteti, tek alfabeti latin i shqipes, përballë cirilikut serb. Itali-Shqipëri në njëfarë mënyre e përmbyll logjikën e asaj që ravgon Kadare, në atë se ajo ndeshje ishte më shumë njëmatch, një përputhje, një solidaritet i cili, nuk mund të ishte gjë tjetër veçse një komunikim i latinicitetit të dy popujve atij italian dhe shqiptar. Po të kujtosh ndeshjet e kombëtares italiane me dy skuadra të tjera ballkanase, Serbinë (po në Gjenova) dhe Kroacinë, dhe incidentet e të dyja përballjeve, ndoshta të mjafton për ta përmbyllur kuptimin e latinicitetit për të cilin flet shkrimtari ynë.

Simbolikat e ndryshimit shqiptar

Stadiumi i Gjenovas mbrëmjen e së martës së 14 nëntorit ishte plot me simbolika. Ndonjëra patetike, një tjetër ngashënjyese e ndonjë më tej simpatike. Përveç solidaritetit me të përmbyturit futur brenda fjalëve ‘Populli shqiptar është me popullin e Ligurias’, shfaqeshin edhe dyzimet e pritshme të italo-shqiptarësisë. Një prej tyre kishte të bënte me ‘detyrimin’ për të mbështetur kombëtaren shqiptare kësaj here, edhe pse Italia sërish do duhej në shpirt. Kjo banderolë dukej një variant i ri i asaj të famshmes së dikurshme shpalosur në stadiumet e Botërorit, ku shkruhej ‘jam shqiptar pa leje qëndrimi e megjithatë bëj tifo për Italinë”. Asnjë prej tyre megjithatë, nuk e simbolizonte apo interpretonte shkallaren e ndryshimit të individit shqiptar por edhe të grupit, sa shprehja ‘siamo venutti col gomone adesso abbiamo lo squadrone”. Nuk është se ky pranim i çiltër dhe kjo shpallje e progresit të individit dhe grupit shpjegon gjithçka. Brenda tij është gjithashtu dekompleksimi nga e shkuara jote, të kuptuarit se të lëvizurit dhe zhvilluarit në raport me atë që ke qenë është gjendja natyrale e njeriut. Edhe njëfarë autoironie po deshe, gjithashtu shenjë inteligjence.

Më në fund një skuadër futbolli

Një tjetër shenjë që na bëri miqësorja Itali-Shqipëri, apo refleksion i post-ndeshjes për shenjat që na mbërritën prej saj, ka të bëje edhe me një produkt, që është sa fizik aq dhe shpirtëror: ne kemi më në fund një skuadër futbolli. Jo në kuptimin e 11 lojtarëve, rezervave, trajnerit e stafit, por të një kohezioni dhe filozofie. Më thjeshtë ende, një skuadër që nuk të sikletos, që është shumë më pak ballkanike (e ç’organizuar) se ç’ka qenë, dhe që ka marrë nga pragmatizmi i trajnerit De Biazi, i cili i përket shkollës italiane të futbollit. Kjo ka prodhuar edhe njëfarë habie: tani që skuadra është më mirë se kurrë dhe që ka shfaqur njëfarë qëndrueshmërie, flitet pak për triumfin imagjinar të pjesëmarrjes në finalet e Euro 2016. Ndoshta sepse ajo që kemi dashur në fakt ka qenë diçka më logjike dhe që i ngjan kësaj që kemi arritur aktualisht: një skuadër të respektueshme dhe serioze. Triumfi vjen vetëm si pasojë e këtyre të dyjave.

“MAPO”

1 COMMENT

  1. Ndeshjen Itali- Shqiperi e ndoqa nga televizioni italian, RAIUNO. I falemnderes shume atij kanali qe na jep ndeshje "live". Thone se nusja, per inat te vjehrres, shkoi me mullixhine. Rrezik edhe une, per paknaqesi nga TV. shtetnor qe i paguaj taksat çdo muaj, te behesha tifoz me italian, pavaresisht se jetoj ne Shqiperi. Tv. shtetnor duhet te veje doren ne zemer, te pakten, ndeshjet e Shqipnise t' na i jap. Luajtem bulur e pa kurrfare inferioriteti, pavaresht se humbem minimalisht me nje skuader te rangut nderkombetar si ishte ajo italiane. Jam ba tifoz qysh me nje barazim me gjermanine kur Sabah Bizi "gjunjzoj" mbrojtesin Shulx.

Leave a Reply to Kin Buba Cancel reply

Please enter your comment!
Please enter your name here