Home Aktualitet 21 janari, familja e Aleks Nikës i dërgon letër të hapur Sali...

21 janari, familja e Aleks Nikës i dërgon letër të hapur Sali Berishës

1160
1

Amelia është 2 vjeç, ndërsa Mentila 5 muajsh. E madhja flet dhe ka nisur të kuptoj se babai po vonon të kthehet në shtëpi. E dyta ende. Një të diel më parë televizionet transmetuan 25 herë një kronikë se si një baba i ri, i sjellshëm, mori vajzën e tij për dore bashkë me gruan e veshur me 20 mijë euro rroba dhe aksesorë, dhe shkuan të shikojnë në Teatrin e Kukullave përrallën e “Mamadhisë dhe 7 kecave”.

E bombarduar me pamje të moshatarëve të saj, që shkojnë ne teatër (ani pse në mënyrë teatrale) me prindërit e tyre të qeshur që bëjnë sikur i duan gjithë fëmijët në atë sallë, Amelia u ngrit befas e mërzitur nga kolltuku dhe thirri “Dua edhe unë babin!”. Të gjithë ne të tjerët që tani jemi dërrmuar nga vrasja e djalit tonë më 21 Janar, kemi mbi tre muaj që përpiqemi të kemi një përgjigje për këto dy vajza jetime.

Babai i tyre u vra më 21 Janar në Bulevard. Por ky shpjegim i thatë nuk mjafton për dy vajzat jetime. Ato natyrisht duan të dinë gjithçka. Duan të dinë pse ajo vajza bionde që ka lindur në Holandë është e qeshur dhe e lumtur duke shkuar me babin dhe nënën e saj të pasur duke parë kukulla dhe pse ajo s’mund ta bëj atë. Ato ende nuk e kuptojnë se ai djalë i qeshur buzagaz, i dashur me fëmijët e tjerë në sallë, i ka lënë jetime.

Ne ende nuk kemi si t’ia shpjegojmë këtë gjë se janë të vogla. Unë që kam këtë dramë, jam xhaxhai i Aleks Nikaj, dhe jam pjesë e kësaj drame të përditëshme në familjen tonë. Familja dhe të afërmit po përpiqen përditë të gjejnë forcë për të mbijetuar, por e vetmja shpresë që gjithçka të mund të degradoj është drejtësia.

Unë jam i thyer në moshë dhe e di mirë pse është vrarë Aleksi. E njoh mirë njeriun që u krenua me vrasjen e tij Sali Berishën dhe duke njohur atë njoh mirë dhe njeriun që përdori për këto vrasje Lulëzim Bashën. Mes makthit të vdekjes së Aleksit në javën e parë kur ai mbijetoi deri sa vdiq në Turqi, mua dhe familjes së Aleksi do të na duhej të duronim dhe fyerjet për të, do të na duhej të duronim mburrjet makabre të Sali Berishës që ishte gati të vriste “jo 3, jo 30, por 300” nëse shkeleshin institucionet.

Ato ditë nuk do ti harrojmë kurrë. Nëna e Aleksit errej dhe gdhihej në shkallë me sy nga rruga duke pritur mandatën, ndërsa ne me sy të ngrirë nga ekranet se mos Sali Berisha vazhdonte të fyente gjakun e pafajshëm të djalit tonë.

Po të drejtohem në emër Sali Berisha, dhe ty Lulëzim Basha. Kështu do tu drejtohem derisa drejtësia të vihet në vend, pasi nuk kam ndërmend t’u njoh për kryministra apo ministra, por thjesht si njerëz që më keni borxh gjakun e Aleksit. Ne jemi duke pritur që drejtësia të veproj dhe ju të merrni përgjegjësi për atë që keni bërë.

Në ethet e kësaj fushate elektorale, ju po përpiqeni të votëbesoni shoqërinë shqiptare pro apo kundër gjakut të djalit tonë, po përpiqeni të përdorni emocionet politike për të marrë pafajësinë politike për atë që keni bërë. Gaboheni rëndë.

Drejtësia për gjakun e djalit tonë, nuk vihet nga fushata elektorale dhe as nga përpjekjet tuaja për blerë votën popullore që të harrohen krimet. Drejtësinë për gjakun e pafajshëm të Aleksit e vendos vetëm drejtësia dhe ju na kini fyer rëndë duke na ofruar si “alternativë të së ardhmes” përgjegjësit e kësaj tragjedie.

Dy mbesat e mija të mbetura pa baba, as qetësohen dhe as mërziten nga fitorja apo humbja e Lulëzim Bashës në Tiranë, por trishtohen nga mungesa e përjetshme e babait në shtëpinë e tyre dhe duan drejtësi. Ndryshe nga dy mbesat e mija, mbesat dhe nipat e tu Sali Berisha kanë plot pare, kanë vila dhe pasuri, kanë mundësi të udhëtojnë gjithë botën dhe jetojnë të lumtur.

Mbesat e mija nuk ja kanë lakmi në fatin e nipave dhe mbesave të tua, por nuk kanë për të ta falur kurrë fatin që ti u imponove duke i lënë pa baba, nëse pengon drejtësinë të shkoj në vend.

Është mire ti japësh shans të vërtetës dhe të mos manipulosh ende me vdekjen e babait të tyre. Është mirë ti dorëzosh drejtësinë, armën që vrau, njeriun që qëlloi, njeriun që urdhëroi dhe njeriun që komandoi gjithçka.

Ne nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për Aleksin, me të gjitha rrugët, në të gjitha gjykatat, me gjithë miqtë dhe aleatët tanë, deri dhe me gjykatat perëndimore.
Ti Sali Berisha dhe Lulëzim Basha duhet ta dini mire se Aleks Nika ishte djali i shtëpisë sonë, babai i dy vajzave të mitura, djalë i një nëne që po plas nga dëshpërimi. Ai nuk ishte as i Bamir Topit, as i Ina Ramës, as i Edi Ramës dhe as i puçistëve që ju shpikët për të mbuluar të vërtetën e vrasjes.

Ti Sali Berisha nuk mund të na bësh dot karshillëk as me ligje as me politikë dhe as me pseudointelektualë e pseudomirditorë si Frrok Cupi, Mark Marku dhe të tjerë që kanë shit shpirtin e tyre për tu bërë avokatë të atyre që derdhën gjak të pafajshëm në një vend që thonë se synon të hyj në Evropë.

Ti Sali Berisha bërë çfarë munde ta poshtërosh vdekjen e tij, duke sjell si armik i tij dhe kur ai ishte duke vdekur. Shkuat në Spital dhe nuk i hodhët as sytë, shpërbleve gardistët që e vranë dhe turpërove një komandant garde që nuk la as gruan e vet të vinte të ndahej me Aleksin që e kishte djalë dajoje.

Ti u tregove shpirtzi dhe cinik duke ftuar në mbledhje të qeverisë publikisht Shakirën të vinte të këndonte për mortin e djalit tonë. Këto nuk ti kemi harruar, por dije se nëse vazhdon të pengosh gjykimin dhe hetimin tënd dhe bashkëpunëtorëve të tu në këtë krim ne nuk do ta falim kurrë.

Ti Sali Berisha dhe vartësi yt Lulëzim Basha keni seleksionuar në këtë vrasje Aleks Nikaj, si djalë të vetëm që nuk ka kush ti marr hakun. Ne po kërkojmë që drejtësia të veprojë, dhe nuk deinkurajohemi as nga trembja që ti i ke bërë Presidentit të Republikës apo Kryeprokurores.

Unë jam ende i tronditur nga deklarata e Presidentit që tha se ky krim nuk duhet të kishte ndodhur, a thua se kjo është çështje morale dhe jo ligjore. Në të vërtetë detyra e tij është të reagoj duke mbrojtur Kushtetutën dhe lirinë e qytetareve për të demonstruar , duke çuar para drejtësisë fajtorët, dhe zbardhjen e krimit.

Ti Sali Berisha dhe vartësi yt Lulzim Basha po shpikni lloj konfliktesh me Presidentin , kryeprokuroren dhe institucione të tjera me qëllim që të keni një alibi për vonesën e së vërtetës. Lulëzim Basha ka shpëtuar një herë nga drejtësia duke sajuar sherre të tilla dhe duke shtyrë afatet e hetimit. Por gabon se mund të shpëtoj gjithmonë me të njëjtën mënyrë.

Masakra e 21 Janarit është vepër kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe është paksa dyshues fakti që ai nuk ju besua Prokurorisë së krimeve të rënda, megjithë respektin që kam për grupin e prokurorëve që po heton. Ju nuk mund ta mbyllni këtë histori pa na treguar vrasësin dhe shkakun e vrasjes.

Ti Sali Berisha dekonspirove veten që je i përfshirë i gjithë në këtë krim, pasi fillimisht hodhe versionin që kishe përgatit paraprakisht që viktimat i vrau opozita. Pastaj tentove të mashtroje me mjekët e Spitalit Ushtarak. Kur të gjitha alibitë të ranë, thirre në ndihmë miqtë e tu politikë në Perëndim dhe u shpjegoje se kishe qëndruar 5 orë i rrethuar dhe se vrasjet ishin legjitime.

Fal Zotit miqtë e tu në Perëndim që ti përdor në ekrane të blera në Tiranë i sfumoi deklarata e përgjegjshme e presidentit francez Sarkozi i cili e bëri të qartë se Perëndimi nuk toleron asnjë vrasje qytetari që proteston në Evropë.

Ty Sali Berisha të mbeti turpi i përpjekjeve të dështuara për të prodhuar nje legjitimitet ndërkombëtar për vrasjen e Aleksit dhe tri qytetarëve të tjerë shqiptarë.

Ti Sali Berisha ke boll miq në Turqi dhe sidomos në politikën turke. U ke dhënë gjysmat e pasurisë së shqiptarëve, përfshi Telekomin dhe bankat. Shpresoj mos të jesh duke e përdorur këtë miqësi për të penguar ardhjen provës për djalin tonë nga Turqia. Është mirë ta ulsh drejtësinë të bëj punën e saj edhe pse boll e ke penguar dhe me kaq sa ke bërë.

Në konceptin tënd, duket sikur ne jemi duke kërkuar një deklaratë noteriale për të pranuar krimin, si ato që ti sajoje muaj më parë nga shokët e djalit tënd, kundër opozitës. Jo. Ne po kërkojmë të hetohet, direkt apo indirekt, me prova dhe dëshmitarë, që të shkohet tek e vërteta, pa pasur nevoja për deklarata noteriale të vrasësit.

Tre muaj më pas ne dimë thuajse gjithçka ka ndodhur aty brenda. Kemi mësuar kush ja ka nxirë syrin Andrea Prendit nën presionin e hapjes zjarr mbi turmat dhe po ashtu kemi mësuar për prezencë civilësh të armatosur ne korridoret e tua.

Prokuroria besoj e ka më të lehtë se ne të provoj se dy njerëzit që qëndronin në katin e dytë pas xhamave të blinduar Sali Berisha dhe Lulzim Basha, komanduan Andrea Prendin dhe nën presionin e paramilitarëve që ishin brenda në godinë, të merrte përsipër hapjen e zjarrit, i cili ka shkaktuar vdekjen e 4 qytetarëve.

Tani përveç anës tragjike që ka vrasja e katër qytetareve, ana barbare e kësaj historie, është se ata që urdhëruan vrasjet kanë urdhëruar dhe fshehjen e armëve, fshehjen e filmimeve dhe fshehjen e autorëve që hapën zjarr mbi qytetarët. Dhe këtu rrethi ngushtohet tek dy njerëz, Sali Berisha dhe Lulzim Basha.

Në fund kisha disa fjalë dhe për opozitën dhe liderin e saj Edi Rama. Të gjithë e dimë se kur një qeveri vret popullin e vet, asaj i mbaron kontrata me qytetarët dhe i dorezohet drejtësisë. Në rastin konkret qeveria refuzoi ta bëj këtë dhe opozita nuk arriti ti imponoj qoftë dhe me forcë.

Unë e kuptoj se shumë faktorë ndërkombëtarë u manipuluan për të ruajtur atë që quhet stabilitet , por të gjithë e kuptojmë se kjo është sikur të mbulosh zjarrin me hi. Asgjë më të pasigurt nuk ka në këtë vend, se të përpiqesh të ndërtosh stabilitet mbi trupat pa jetë të viktimave që kërkuan drejtësi.

Demonstrata e 21 Janarit u thirr nga opozita dhe ata qytetarë që dolën në rrugë ishin të ndërgjegjshëm për atë që bënin. Por ata u vranë. Opozita është vrarë dhe ajo duhet të gjej rruat e saj për të rikthyer dinjitetin dhe drejtësinë në vend.

Për ne që jemi vrarë dhe na mungojnë njerëzit tanë në shtëpi, nuk kanë më kuptim as zgjedhjet, dhe as përbetimet për drejtësi, derisa drejtësia të mos filloj të funksionoj për të na dhënë shpresë. Asgjë nuk është më e rëndësishme se jeta e atyre që ikën dhe opozita shqiptare duhet ta bllokoj këtë teatër që luhet në emër të demokracisë, përmes Ujkut dhe kecave të trembur brenda shtëpisë.

Gjithë veprimet e qeverisë pas 21 janarit, gjithë paniku i tyre për të fshehur provat, gjithë mobilizimi i milionave për të blerë zëra në Perëndim pro vrasjeve, gjithë përpjekjet për të përdorur këto zgjedhje për të pastruar historinë e vrasjeve politike, dhe gjithë paraliza e drejtësisë në këtë drejtim, provojnë fajëson e Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës, ndaj opozita nuk duhet të dorëzohet para këtij fakti, ndryshe do të duket sikur Berisha dhe Rama po e hedhin në votë pafajësinë dhe drejtësinë për Aleksin dhe tri të varët e tjerë.

. . .

Më 21 Prill vdiq dhe nëna ime, gjyshja e Aleksit. Nuk ishte e sëmurë por dhimbja për Aleksin i plasi zemrën. Ky ishte një tjetër lajm i keq për familjen tonë. Por mos mendo se do të vdesim të gjithë në shtrat duke pritur pa fund drejtësinë. Do të dimë jo vetëm ta presim me dinjitet por dhe ta shtyjnë përpara me dinjitet kohën kur të ndjehemi të lirë për shpirtin e Aleksit ngjitur në qiell. Dhe i lirë njeriu ndjehet kur drejtësia vihet në vend.

1 COMMENT

Leave a Reply to irmeti Cancel reply

Please enter your comment!
Please enter your name here