Home Kosova Zgjedhja e Pacollit si President ne te mire te Kosoves

Zgjedhja e Pacollit si President ne te mire te Kosoves

669
0

Krerët e PDK-së dhe AKR-së, Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje. “Nënshkruan një marrëveshje për partneritet në ndërtimin e institucioneve të reja të Kosovës, të presidentit, qeverisë së re dhe dikastereve ministrore. Kjo marrëveshje është koalicion për Kosovën e Re për zhvillimin e Kosovës, për reforma demokratike, për krijimin e vendeve të reja të punës, për një Kosovë evropiane dhe bashkëpunim rajonal. Është marrëveshje për liberalizmin e vizave, për integrim në NATO dhe BE, si dhe rritjen e mirëqenies sociale të shtetit”, tha Thaçi.
“Shteti dinjitoz”
Mandatari për formimin e qeverisë së re theksoi se me Pacollin në postin e presidentit do të bashkëpunojë si kryeministër dhe do të jenë të përkushtuar për shtetit dhe gjithë qytetarët e saj. “Do të punojmë bashkë si ekip që të kemi një program – Programin e qeverisë së Kosovës”, tha kreu i PDK-së. Ndërkaq, pas nënshkrimit të marrëveshjes, Pacolli ka thënë se bashkë me PDK-në, bashkë me ekspertët e Koalicionit për Kosovën e Re dhe bashkë me anëtarët tjerë të koalicionit janë betuar për të punuar për interesat e qytetarëve të Kosovës dhe për ndërtimin e një shteti dinjitoz. Përpos tri ministrive, AKR-ja do të ketë edhe një zëvendëskryeministër, i angazhuar për çështje ekonomike dhe pesë zëvendësministra. Po ashtu gjatë ditës, mandatari për formimin e qeverisë së re, Hashim Thaçi do të nënshkruajë marrëveshje koalicioni me Listën Dr. Ibrahim Rugova, SLS dhe partitë tjera të pakicave.

Bashkëpunimi
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Thaçi dhe Pacolli thanë se do të punojnë si një ekip dhe besojnë në punën që do të bëjnë, duke ndërtuar një qeveri me program të përbashkët të dy partive. Para nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion qeverisës, krerët e PDK-së dhe AKR-së, Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli kanë mbajtur një takim kokë më kokë në shtëpinë e këtij të fundit në Hajvali të Prishtinës. Mësohet se në këtë takim janë tejkaluar të gjitha dallimet lidhur me ndarjen e posteve ministrore dhe pritet vetëm të nënshkruhet koalicioni në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. AKR-së do t’i takojnë tri ministri, ndërsa kjo parti ka insistuar që të ketë katër. Në qeverinë e ardhshme AKR-ja, përpos postit të presidentit do të drejtojë Ministrinë e FSK-së, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Vetëvendosja: Koalicioni PDK-AKR, në dëm të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje është kundër koalicionit PDK-AKR, për shkak të programit që ata paraqesin, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Visar Ymeri, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. “Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë të qartë disa herë deri më tash se ne i vendosim parimet tona programore dhe konceptin tonë politik përpara njerëzve dhe përpara çdo gjëje tjetër. Rrjedhimisht, ne jemi kundër këtij koalicioni për shkak të programit që ata paraqesin dhe për shkak të asaj që ata thonë se do ta bëjnë. Konsiderojmë që ky koalicion do të jetë koalicion i fillimit të vazhdimit të negociatave të reja me Serbinë, të cilat ne i konsiderojmë që përveçse janë të padrejta dhe asimetrike, janë shumë të rrezikshme dhe të dëmshme për Kosovën. Rrjedhimisht jemi kundër këtyre negociatave. Pra, meqenëse jemi kundër këtyre negociatave, jemi edhe kundër koalicionit që po përgatitet për to”, tha Ymeri. Për më tepër, Ymeri ka thënë se edhe kandidatura e Behxhet Pacollit për postin e Presidentit është e papranueshme për Lëvizjen Vetëvendosje. “Edhe ajo për çka kemi dëgjuar dhe kemi parë ne se për çka angazhohet Behxhet Pacolli është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë se për çka angazhohet Lëvizja Vetëvendosje. Rrjedhimisht, ai, edhe si person, edhe si kandidat për president është i papranueshëm për ne, për shkak të bindjeve të tij politike, të cilat i ka bërë publike në raste të ndryshme dhe në hapësira të ndryshme kohore. Kur themi është i papranueshëm, atëherë edhe s’e votojmë”, theksoi Ymeri.

Shoqatat e luftës kërkojnë sqarime nga Pacolli

Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së përmes një letre të hapur drejtuar kryetarit, kryesisë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kërkojnë që kandidati për postin e presidentit Behgjet Pacolli para seancës konstituive të Kuvendit më 21 shkurt të japë sqarime në lidhje me deklaratat e tija dhënë mediave të ndryshme të huaja, të cilat kohëve të fundit janë duke u publikuar edhe në mediat vendore. “Duke përcjellë në vazhdimësi zhvillimet në skenën politike të Kosovës, krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, duke qenë të vetëdijshëm se është i domosdoshëm funksionalizimi i shtetit të Kosovës, ne jemi të detyruar që për hir të vlerave që përfaqësojmë, t’i drejtohemi kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, që do të zgjidhen të hënën me 21 shkurt, njëkohësisht edhe deputetëve të këtij legjislacioni. Ne konsiderojmë se është e domosdoshme që në rend të ditës, para zgjedhjes së presidentit, kandidati për këtë post, Behgjet Pacolli, të japë sqarime para deputetëve dhe popullit të Kosovës, në lidhje me deklaratat e tija dhënë mediave të ndryshme të huaja, të cilat kohëve të fundit janë duke u publikuar edhe në mediat vendore”, thuhet në këtë letër. Po ashtu, shoqatat e luftës kërkojnë që Pacolli të japë shpjegime në lidhje me atë se cili është qëndrimi i tij për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çfarë ishte roli i tij në takimet me Millosheviqin gjatë kohës së luftës, por edhe për atë se çfarë iu sugjeroi Pacolli politikanëve shqiptarë në shtëpinë e tij në Hajvali gjatë kohës së luftës, si zgjidhje të çështjes së Kosovës.

Pacolli – lider që i jep Kosovës e nuk i merr

Tanimë është krijuar një opinion i pathyeshëm se profesioni më profitabil në Kosovë është – politika. Të gjitha figurat “karizmatike” në skenën politike (jo vetëm në parlament dhe në pushtet) i njohim si pronarë të ndërmarrjeve fitimprurëse në Kosovën që është një vend ekstremisht i varfër. Të tillët nuk kanë poseduar kurrfarë pronash para se të merrnin “poste” shtetërore dhe pushtetare, ose para se të “kooperonin” me personalitete shtetërore dhe pushtetare. Ky është një konstatim që del edhe nga sondazhet ndërkombëtare që jepen herë pas here për situatën ekonomiko-politike në Kosovë. Fatkeqësisht është kështu, (natyrisht me ndonjë përjashtim fare-fare të vogël). Analistë perëndimorë në trajtesat e shumta për vendet e tranzicionit të ish-bllokut eurolindor (në mënyrë pak edhe sarkastike) kanë pyetur: “Si mund të pasurohet shteti, para se të pasurohen pushtetarët e tij”! Prandaj në vendet shumë të civilizuara në skenën politike nuk mund të konkurrojë asnjë figurë, e cila nuk posedon pasuri të madhe private, ose para se të konkurrojë në skenën politike, të mbledhë fonde private nga mbështetësit e tij politikë, kështu që asnjëherë në rast të mandatimit të tyre pushtetar, të mos kenë nevojë të korruptohen nga “donatorë” që për ryshfetet e tyre kërkojnë kompensime nga buxheti i shtetit. Por derisa të pasurohen të gjithë ata nga “klasa politike” shteti do të fundoset fare, ose nuk do të dalë kurrë nga kriza permanente. Prandaj sot Kosova është vendi më i varfër në botë. Në rastin e Kosovës, për dallim nga shtetet e tjera të “tranzicioneve të gjata”, ky fenomen (dukuria transparente e pasurimit të pushtetarëve) është më i theksuar se kudo tjetër, madje edhe se (momentalisht) në Shqipëri, e të mos flasim për vendet e tjera, që edhe para kohës së socializmit kanë pasur një traditë dhe trashëgimi të politikëbërjes (sepse kanë qenë shtete të pavarura edhe para se të okupohen nga Bashkimi Sovjetik). Teoritë politike në mënyrë elokuente dëshmojnë se shtetin (gjatë historisë) e ka krijuar klasa borgjeze e një vendi (pasanikët), kurse dihet se në Kosovë, pas vitit 1948 (për shkak se Kosova ka qenë e okupuar dhe feudalo-socialiste, e jo borgjeze) nuk ka pasur “klasë pasanike”, prandaj të gjithë kanë marrë nga shteti dhe askush nuk i ka dhënë shtetit. Kjo gjendje vazhdon edhe sot, 11 vjet pas protektoratit ndërkombëtar, i cili i ka emëruar klasët politike të Kosovës nga strukturat gjysmintelektuale ose aktiviste patriotike paqësore dhe luftarake (meritokracia), por nuk ke pasur një të vetmin lider që do të jepte nga pasuria e tij për shtetin e Kosovës, e jo të merrte nga shteti e të pasurohet vetë në shtetin e varfër. Figura e parë e politikanit të pasur, që nuk ka qenë asnjëherë në pushtet (por në opozitë) është karizma e liderit – Behgjet Pacolli. Edhe para se të aktivizohej në jetën e organizuar politike në Kosovë me partinë e tij AKR, Behgjet Pacolli e ka ushtruar punën e tij politike jo nga fondet e ndryshme, madje as partiake, por krejtësisht vetjake. Dhe po bëhen shumë vjet që ky njeri e shkrin pasurinë e tij private për shtetndërtimin e Kosovës, fatkeqësisht duke u sfiduar nga ata politikanë dhe “analistë” që në personalitetin suprem të Pacollit shohin antipodin e tyre. Behgjet Pacolli na kujton figurat e lavdishme të borgjezisë shqiptare që gjatë Rilindjes Kombëtare dhe deri në Lidhjen e Prizrenit e shkrinë pasurinë e tyre për pavarësinë e Shqipërisë, dhe këtë ideal e arritën, sepse Shqipëria u bë dhe është definitivisht – shtet. Por ende nuk është bërë shtet për kombin, por është shtet për politikanët. Me Pacollin fillon një fazë e re e modelit perëndimor të shtetformimit.Nga Xhevat Mazrekaj,“Botasot”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here