Home Politike Xhafaj: Reformë edhe në Polici

Xhafaj: Reformë edhe në Polici

1299
0

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj zhvilloi dje një bashkëbisedim me gazetarët, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi, ku la të kuptonte se do vazhdonte punën si ministër i Brendshëm.

Takimi pa praninë e kamerave, më tepër ngjante si një konfirmim i tij në postin e ministrit të Brendshëm. Edhe pse e ushtroi këtë funksion vetëm për 2 muaj, Xhafaj ka ndryshuar të gjithë drejtuesit e Policive në qarqe. Nga ana tjetër, deklarata e tij e parë si ministër i Brendshëm, që do të kishte proces vetingu edhe për Policinë e Shtetit, duket se sot janë më aktuale se asnjëherë.

Ndonëse në asnjë moment nuk konfirmoi se do të jetë ai ministri i ri i Brendshëm, duke folur kryesisht për Policinë dhe problematikat që ka ndeshur gjatë dy muajve në këtë detyrë, në një farë mënyre, është zbuluar edhe emri i parë i kabinetit të Qeverisë Rama.

Megjithatë paralelisht Xhafaj u ndal te Reforma në Drejtësi dhe procesi i vetingut. Sipas tij, rezultatet e para do të duken gjatë muajit tetor.

“Tetori besoj do të jetë muaji që do të japë rezultatet e para të vetingut për 50 prokurorë e gjyqtarë”, u shpreh Xhafaj. Gjatë takimit informal me gazetarët që mbulojnë sistemin e Drejtësisë, Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatat, ish-ministri i Brendshëm konfirmoi se për dy muaj që drejtoi këtë dikaster, kuptoi se, bashkëpunimi i Policisë me Prokurorinë lë për të dëshiruar.

E megjithatë nuk ngurroi që, mes Prokurorisë e Policisë, të veçonte këtë të fundit si institucionin më pak të korruptuar. Xhafaj paralajmëroi edhe një ridimensionim të Policisë së Shtetit. Sipas tij, është i nevojshëm një organizim i ri i funksioneve të Policisë, me më shumë efektivë civilë që merren me krimet, sesa ata me uniformë që rrinë në terren dhe që japin idenë e një “shteti policor”.

TAKIMI 
Në një kohë që ende nuk ka emra për kabinetin e ri qeveritar të Edi Ramës, Fatmir Xhafaj është përfolur muaj më parë se mund të rikthehej në postin që mbajti për 2 muaj si ministër i Brendshëm. Deri diku kthimin e tij në këtë detyrë, Xhafaj e paralajmëroi dje gjatë një takimi që zhvilloi me gazetarët.

Gjatë një takimi të mbyllur me gazetarët e kronikës, ai ka lënë të kuptohej se do rikthehet në këtë post edhe pse nuk preferoi të fliste paraprakisht rreth detyrës që ai do të mbajë në shtator. Xhafaj foli për nevojën e ndryshimeve në Polici, ku është shprehur se duhet një proces vetingu, edhe pse më parë duhej përgatitur legjislacioni i nevojshëm. Gjithashtu evidentoi nevojën për një marrëdhënie të re me publikun dhe median.

Sipas tij, me krijimin e institucioneve të vetingut do të rritet edhe bashkëpunimi Polici-Prokurori.

“Në shator do të krijohen institucionet e reja të vetingut dhe synimi ynë është të përforcojmë bashkëpunimin Polici-Prokurori. Për të monitoruar procesin pritet të vijnë gjyqtarë nga jashtë. Për prokurorët dhe gjyqtarët që i nënshtrohen vetingut çdo e dhënë do të jetë e aksesueshme”, u shpreh Xhafaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here