Home Aktualitet Wulff, presidenti i ri i Gjermanisë

Wulff, presidenti i ri i Gjermanisë

639
0
Gjermania ka një president të ri, pikërisht atë që prisnin të gjithë: 51-vjeçarin Christian Wulff. Por mënyra se si u zgjodh ai nuk ishte bindëse. Para së gjithash ajo ishte një sinjal i qartë për qeverinë e koalicionit.
Më në fund, në raundin e tretë Christian Wulff u zgjodh president i ri i Gjermanisë: Mbas dy raundeve dramatike, Wulffi arriti të mblidhte 625 vota. Në këtë mënyrë ai jo vetëm që fitoi ndaj kandidatit të opozitës Joachim Gauck, por ai arriti edhe shumicën absolute. Zgjedhjet konsideroheshin si test për koalicionin Merkel-Westerwelle dhe kjo provë u kalua me shumë vështirësi.
Respekt për rivalin
Menjëherë mbas zgjedhjes si president Christian Wulff deklaroi dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit të landit të Saksonisë së Poshtme, parakusht për të pranuar postin e presidentit.
“E pranoj këtë zgjedhje me shumë kënaqësi dhe bindje dhe gëzohem për këtë detyrë të përgjegjshme”, tha ai para Asamblesë së Përgjithshme.
Ai falënderoi delegatët dhe tregoi respekt edhe për ata që nuk e kishin e zgjedhur. Presidenti i ri falënderoi edhe rivalin Joachim Gauck: “Gëzohem që fjala juaj do të ketë peshë edhe më tej përtej kufijve të Gjermanisë”, tha ai. Në raundin e tretë Gauck arriti vetëm 494 vota.
Fitore e vështirë
Fitorja e Wulffit në raundin e tretë nuk ishte edhe aq e vetëkuptueshme: Partia e Majtë e tërhoqi kandidaten e saj, Lukretia Jochimsen, e cila në dy raundet e mëparshme kishte marrë mbi 120 vota. Para se të fillonte raundi i tretë partia socialdemokrate dhe të gjelbrit u munduan ta kthenin të majtën nga ana e tyre, por pa sukses: “Për ne, si Gauck ashtu edhe Wulff janë tepër konservatorë kështu që nuk mund të votojmë për ta, tha kryetari i grupit parlamentar, Gregor Gysi mbas takimit me dy krerët e partive. Ky ishte shkaku se përse në raundin e tretë 121 delegatë abstenuan.
Por armiqësia ndërmjet partisë së Majtë dhe ish-disidentit të republikës së RDGJ-së dhe drejtuesit të parë të Entit për Dokumentet e Shtazit i ka rrënjët më të thella.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here