Home Aktualitet Vlore: qindra femije ne spital nga uji i ndotur

Vlore: qindra femije ne spital nga uji i ndotur

611
0
Uji i ndotur helmon fëmijët e Vlorës. Gjatë dy ditëve të fundit, reparti i pediatrisë në spitalin rajonal të Vlorës është duke u përballur me një fluks të jashtëzakonshëm pacientësh të vegjël që shfaqin shenja të helmimit. Drejtori i spitalit të Vlorës, Besnik Elezi, thotë se numri i fëmijëve që paraqiten në 24 orë shkon deri në 150 dhe një pjesë e madhe e tyre kanë nevojë për trajtim në spital, çka është e pamundur, për shkak të kapacitetit prej vetëm 50 shtretërish të repartit të pediatrisë. Drejtori i spitalit thotë se ka vënë në dijeni për situatën Ministrinë e Shëndetësisë dhe paralajmëron se situata mund të përkeqësohet, pasi aktualisht të gjitha ambientet e pavijonit të pediatrisë janë të zëna.
Sipas pediatres Rita Llanaj, fëmijët e shumtë që vizitohen dhe shtrohen njëkohësisht janë kryesisht nën 3 vjeç. Ata paraqiten me simptoma të njëjta: bark dhe të vjella, si dhe shqetësime të tjera, të cilat vijnë si pasojë e humbjes së lëngjeve të trupit. Mjekja pediatre thotë se shfaqja e shqetësimeve të tilla është e zakonshme për stinën, por krahasuar me vitet e shkuara numri i fëmijëve të prekur është jashtëzakonisht i madh, çka ngre dyshime se nuk bëhet fjalë për një virozë të stinës, por për faktorë të jashtëm që shkaktojnë këto çrregullime te të vegjlit.
Prindërit e pacientëve të vegjël thonë se kjo situatë është shkaktuar nga niveli i lartë i ndotjes së ujit të pijshëm. “Në çezmat tona uji është i ndotur. Ky është edhe shkaku i problemeve që po shfaqen te fëmijët e qytetit”, thotë njëri prej prindërve që ka shtruar foshnjën në spital.
Dyshimi i prindërve për ujin e ndotur nuk është vërtetuar ende nga autoritetet shëndetësore, megjithatë ky shihet si shpjegimi i vetëm për situatën, ndaj ka filluar marrja e masave në këtë drejtim. Drejtoria e Shëndetit Publik e Qarkut të Vlorës ka dhënë alarmin dje nëpërmjet një deklarate në mediat lokale. Kjo drejtori ka njoftuar të gjithë qytetarët e Vlorës që të mos konsumojnë ujë të pazier, pasi deri në mbarim të ujësjellësit të ri, uji nuk plotëson kushtet higjieno-sanitare për t’u konsumuar.
Brenda harkut kohor të një viti, ndotja e ujit të pijshëm është bërë edhe dy herë të tjera shkak për epidemi. Në fillim Ura Vajgurore e më pas Ballshi u prekën nga helmimi masiv i popullatës, që pas analizave rezultoi se ishte shkaktuar nga ndotja e ujit.
Ndryshe nga sa ndodhi në Urën Vajgurore dhe Ballsh, në Vlorë janë prekur nga helmimi vetëm fëmijët e vegjël, por kjo nuk e bën më të lehtë situatën. Vetëm gjatë dy ditëve, numri i vogëlushëve të sëmurë është më i madh se 200 dhe shumica e tyre kanë simptoma të rënda.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here