Home Politike Vizita e Ramës në Serbi shtyhet më 10 Nëntor

Vizita e Ramës në Serbi shtyhet më 10 Nëntor

533
0

rama-vuciciiShtyhet për më 10 Nëntor vizita në Serbi e kryeministrit shqiptar Edi Rama, e paralajmëruar për tu zhvilluar të mërkurën e 22 Tetorit. Takimi është dakordësuar mes dy krerëve të qeverive, Edi Ramës dhe serbit Aleksandër Vuçiç pas një bisede telefonike që dy homologët bënë pasditen e së Dielës.

Mësohet se ka qenë kryeministri serb ai që i ka telefonuar Ramës në një bisedë e cila ka zgjatur përreth 30 minuta, prej orës 16:00 deri në 16:30. Krerët e qeverive ranë dakord se incidentet që shoqëruan ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri mbrëmjen e 14 Tetorit në stadiumin e Beogradit, ishin “tejet të padëshiruara”, siç theksohet në njoftimin për shtyp….Por se mosmarrëveshjet mes tyre mbeten të qarta, jo vetëm për dhunën që huliganët serbë ushtruan ndaj lojtarëve të kombëtares sonë, por mbi të gjitha për qëndrimet politike që mbajtën autoritetet më të larta serbe.

“Mes dy kryeministrave mbeten mosmarrëveshje të qarta lidhur me gjithë sa ndodhi, por ata ranë dakord që nuk duhet dhe nuk do ta humbin mundësinë për t’u takuar e për të punuar së bashku në funksion të stabilitetit rajonal, si edhe për të çelur një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve”, thotë njoftimi zyrtar i Kryeministrisë.

Mësohet se ka qenë pikërisht presioni i shtuar ndërkombëtar mbi Beogradin që të mos ndërpritej vizita e Kryeministrit shqiptar në datën e planifikuar. Vetëm pak ditë më parë kancelaria gjermane Angela Merkel telefonoi kreun e qeverisë serbe, ku mësohet se përjashtoi çdo mundësi për shtyrje pa afat të vizitës së Ramës, nga pala serbe.

Ndërsa Kryeministri serb ka kërkuar mirëkuptim, por për shkak të presionit të brendshëm nuk mund ta priste homologun shqiptar më 22 tetor.

Po ashtu mes dy qeverive është dakordësuar që të vazhdojnë dialogun e rëndësishëm që kanë nisur, si edhe për të siguruar që procesi i filluar në Berlin në 28 gusht, të shkojë përpara përmes punës për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të tyre, rajonit dhe Europës si e tërë.

Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u tensionuan pas incidentit që ndodhi gjatë ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri në stadiumin “Partizani” në Beograd ku mjaftoi valëvitja e flamurit me hartën e Shqipërisë së Madhe për të revoltuar tifozët serbë, të cilët zaptuan fushën e blertë dhe ushtruan dhunë ndaj kuqezinjve.

Njoftimi i plotë për mediat nga zyra e Kryeministrisë shqiptare
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiç, patën këtë pasdite një bisedë telefonike.

Ata ranë dakord se incidentet që shoqëruan ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri ishin tejet të padëshiruara. Mes dy kryeministrave mbeten mosmarrëveshje të qarta lidhur me gjithë sa ndodhi, por ata ranë dakord që nuk duhet dhe nuk do ta humbin mundësinë për t’u takuar e për të punuar së bashku në funksion të stabilitetit rajonal, si edhe për të çelur një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve.

Prandaj, ata u morën vesh që të vazhdojnë dialogun e rëndësishëm që kanë nisur, si edhe për të siguruar që procesi i filluar në Berlin në 28 gusht, të shkojë përpara përmes punës për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të tyre, rajonit dhe Europës si e tërë.

Për sa më sipër, dy kryeministrat ranë dakord që takimi i planifikuar midis tyre të mbahet në Beograd më 10 nëntor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here