Home Teknologji Veliaj prezanton portalin e transparences

Veliaj prezanton portalin e transparences

814
0

Bashkia e Tiranës çeli portalin “Open data”, ku do të pasqyrohen të gjitha të dhënat për punët publike dhe shërbimet që ofron ky institucion. Nisma synon të rrisë transparencën e bashkisë, ndërsa aty do të ketë akses të lirë, shoqëria civile, media dhe të gjithë qytetarët e Tiranës.

Në portalin “Open data”, çdo qytetar i Tiranës do të mund të njihet me detaje për investimet e bashkisë për infrastrukturën në qytet, fluksin në linjat e transportit urban, hapësirat e gjelbra, trafikun në rrugën pranë banesës, arsimin, punësimin, sigurinë publike, sportin, kulturën etj.

Çdo e dhënë e grumbulluar në këtë faqe është publikuar në formën e statistikave, me qëllim ofrimin e sa më shumë transparence për median, shoqërinë civile dhe qytetarët.

“Sot, jemi në një situatë që unë nuk besoj që do i vijë ndonjë dëm bashkisë. Patjetër që do i shtohet vështrimi mikroskopik mbi punët e saj, por më shume se kaq, do të shtohet bashkëpunimi qytetar apo i aktorëve të tjerë dhe aktivistëve të tjerë mbi ide brilante, vetëm nga statistikat që ne kemi sot”, tha Veliaj.

Projekti që synon transparencën e Bashkisë së Tiranës si institucion, u zhvillua në bashkëpunim me zyrën e Kombeve të Bashkuara në Tiranë. Koordinatori i saj e cilësoi atë një nismë të vlefshme për çdo institucion, ndërsa theksoi nevojën për një të tillë edhe për pjesën tjetër të administratës publike.

Brian J. Williams tha: “Qytetarët mund të shohin çdo gjë që ndodh në lagjen e tyre, por më e rëndësishmja është se ata mund të përfshihen në debatet për politikat që duhen ndërmarrë apo çfarë duhet të jetë prioritet. Kjo ndodh sepse kur ata kanë informacionin, diskutojnë në komunitet, diskutojnë me shoqërinë civile dhe kështu ata mund të bëhen faktor për vendimmarrjen e institucionit dhe si rrjedhojë në mënyrën sesi qyteti funksionon për ta”.

Opendata.tirana.al vjen pas lançimit të aplikacionit “Tirana ime” një vit më parë, me të cilin synohej raportimi i problemeve në komunitet nga vetë qytetarët. Zyrtarë në bashkinë e kryeqytetit, thonë se aplikacioni ka rezultuar një ndihmë e madhe në zgjidhjen e shumë problemeve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here