Home Ekonomi Tregtia me BE, Kroacia sulm eksporteve shqiptare

Tregtia me BE, Kroacia sulm eksporteve shqiptare

616
0

Një propozim i Kroacisë për t’i dhënë origjinën preferenciale produkteve kur ato kryejnë 70 për qind të procesit të përpunimit në vend, mund të rrezikojë seriozisht bizneset shqiptare që operojnë në sektorin e konfeksioneve. Para kësaj, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është duke punuar me propozimin e saj për të mos lejuar që kjo të ndodhë. Gjatë një takimi me biznesin, zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, u shpreh se qeveria do të vijojë negociatat me Pan-EUROMED për të ruajtur interesat e biznesit shqiptar. “Qeveria Shqiptare e ka ndjekur me vëmendje të veçantë këtë proces, sepse nën parimin e “akumulimit diagonal”, mundësitë për ekonominë prodhuese shqiptare janë me të vërtetë të shumta. Ky parim i lejon vendet të importojnë, dhe më pas, me një shkallë të caktuar të përpunimit, t`i origjinojnë këto mallra si të tyret. Vlera e procesit të Barcelonës është se në listën e vendeve nga ku Shqipëria mund të importojë, shtohen edhe vendet e Magrebit, Lindjes së Mesme dhe të EFTA-s”, tha Bozdo.
Propozimi i Kroacisë
Propozimi i Kroacisë vjen në kuadër të rinegocimit të rregullave të origjinës preferenciale të mallrave, sipas iniciativës EUROMED, apo ndryshe “Procesit të Barcelonës”. Pjesë e kësaj iniciative është edhe Shqipëria, e cila duhet të bëjë edhe ajo propozimet e saj. Kërkesa e Kroacisë jo domosdoshmërisht do të thotë miratim i saj, pasi të gjitha vendet kanë të drejtën e votës dhe, mbi të gjitha operimi në shkallë globale i kompanive i lë pak mundësi që të marrë miratimin për 70 përqindëshin. Aktualisht, që produktet të marrin origjinën preferenciale të një vendi, duhet të kryejnë 45 për qind të procesit të përpunimit brenda tij. Pra, një kompani që operon në fushën e konfeksioneve importon lëndën e parë pëlhurë dhe procesi që kryhet pas këtij momenti, e bën që në fund produkti të jetë me origjinim “Made in Albania”. Me propozimin e Kroacisë, i bie që Shqipëria të fillojë që nga prodhimi i fijes për të marrë origjinën. Interesi i këtij vendi për të filluar nga fija, lidhet me faktin që në Kroaci industria tekstile e prodhimit të fijes dhe endjes së pëlhurës është prezente gjerësisht qysh para viteve ’90.
BiznesAlbania, ftesë për t’u anëtarësuar në IOE
Për herë të parë që nga krijimi i saj, BiznesAlbania u bë pjesë e konferencës ndër-rajonale me ftesë nga Organizata Ndërkombëtare e Punës. “Forcimi i dialogut social të paskrizës – mundësitë dhe sfidat” ka qenë titulli i kësaj konference, e cila u zhvillua në Beograd, në datat 4-6 tetor. Një moment i rëndësishëm për përfaqësuesit e BiznesAlbania në Beograd ishte dhe takimi me Këshilltarin e Lartë të Organizatës Ndërkombëtare të Punëdhënësve (IOE), Eric Oechslin. Gjatë takimit drejtori i Përgjithshëm, Bardhi Sejdarasi, e ka njohur z. Oechslin me krijimin, funksionimin dhe rolin e BiznesAlbania. Oechslin ka përgëzuar lidhur me nismën dhe shtoi se vendi i Shqipërisë në IOE është në pritje të përfaqësuesve të punëdhënësve nga Shqipëria dhe ngulmoi që BiznesAlbania të fillonte procedurat ligjore për anëtarësimin e saj në këtë organizatë botërore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here