HYRJE Aktualitet Tirane, nis ndertimi i korsive per bicikleta te “Zogu I”

Tirane, nis ndertimi i korsive per bicikleta te “Zogu I”

0
15

Tirana po bëhet çdo ditë e më shumë miqësore ndaj atyre që kanë zgjedhur si mjet lëvizje biçikletat. Pas korsive të dedikuara në Rr. “Dritan Hoxha”, në Unazën e Vogël, Rr. e “Dibrës” dhe zonën e urbane të Unazës së Madhe, prej pak ditësh Bashkia e Tiranës ka nisur një tjetër investim të kësaj natyre, kësaj here në Bulevardin “Zogu i Parë”, duke hedhur një hap tjetër për krijimit e rrjetit minimal të korsive të dedikuara për biçikleta.

Fillimi i punimeve u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se ky investim do të përfundojë brenda këtij viti. “Jam shumë entuziast që projekti ynë i korsive dedikuar biçikletave po merr një përmasë tjetër, pra po del përtej zonës së qendrës. Po bëjmë një lidhje me sheshin “Skënderbej” dhe me Bulevardin e Ri, për t’u siguruar që ishujt si sheshi i Bulevardit të Ri, sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri apo zona e Liqenit, fillimisht lidhen mes tyre për të krijuar një rrjet minimal të biçikletave”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj nënvizoi se me ndërtimin e këtij segmenti, për të vijuar më pas me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mundësohet krijimi i një aksi qendror të korsive për biçikleta që nis në Kodrat e Liqenit dhe përfundon në Bulevardin e Ri. “Do të vazhdojmë edhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u siguruar që i gjithë segmenti kryesor, duke filluar nga Parku i Liqenit, ku edhe aty po bëhen korsitë e biçikletave, deri në fund të Bulevardit të Ri, të konturohet me korsi të dedikuara.

Pastaj, shtigjet e biçikletave në zonat e tjera të qytetit do t’i markojmë me sinjalistikë vertikale mbrojtëse, që edhe për ata shoferë të papërgjegjshëm që hynë në korsitë e biçikletave apo bezdisin ata që përdorin biçikleta, të kemi një garanci sigurie”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku shtoi se ambicia e Bashkisë së Tiranës është që të krijojë një rrjet sa më të madh të korsive të dedikuara për biçikletat, ku vetëm në fazën e parë parashikohen të ndërtohen 10 kilometra të tilla. “Ambicja jonë është të përfundojmë fazën e parë me 10 km të biçikletave, kemi filluar te rruga “Dritan Hoxha”, po vazhdojmë te “Rruga e Dibrës” dhe tani gjithë ishujt pedonalë po lidhen me njëri-tjetrin”, tha Veliaj.

Ai theksoi se me shtimin e këtij rrjeti të korsive të dedikuara për biçikleta, por edhe me kohën e favorshme që ofron Tirana, nuk ka më justifikim për askënd që të përdorë sa më shumë biçikletën si mjet lëvizje, jo vetëm si një mjet ekologjik, por edhe si një mënyrë për të mbajtur një fizik të shëndetshëm.

“Sot jemi në nëntor, jemi të bekuar me diell dhe me mot të mirë. Pavarësisht ndryshimeve klimaterike, Shqipëria prapë i ka 300 ditë me diell. Unë e di që për shumë njerëz makina ka qenë një status për të treguar që kemi dalë nga varfëria pas komunizmit, por nuk më rezulton që holandezët janë të varfër që rrinë tërë ditën në biçikleta, janë madje shumë të pasur, një nga vendet më të pasura. Në një qytet me kaq shumë diell, me distanca të vogla dhe me terren të sheshtë, një pjesë të madhe të udhëtimeve mund t’i bëjmë me biçikleta”, tha Veliaj.

Korsia e biçikletave do të kalojë në trotuarin e mesit në bulevardin “Zogu i Parë” dhe ajo do të fillojë në anë të Hotel Tirana International dhe Muzeut Historik Kombëtar dhe do të përfundojë në Unazë në zonën e ish-Stacionit të Trenit.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here