Home Sport Tirana, problemet qe kane ardhur nga keqmenaxhimi

Tirana, problemet qe kane ardhur nga keqmenaxhimi

1013
0

tiranaRefik Halili me të drejtë ankohet për faktin që një pjesë të problemeve, kryesisht ato financiare, i ka gjetur të mbartura te Tirana. Dihet që në dekadën e fundit klubi është menaxhuar nga disa duar dhe janë trashëguar fatura që nuk janë përgjegjësi e tij. Por a e shpëton kjo gjë presidentin nga përgjegjësia për momentin që po kalon Tirana…? Jo edhe aq! Dhe për këtë faktet flasin vetë.

Administrimi

Numri një i Tiranës mund ta përdorë si “kartë” argumentin që ka vetëm 22 muaj që e drejton i vetëm këtë klub (që pas privatizimit), por presidentët e tjerë (që drejtojnë klubet që janë në treshen e parë të tabelës) që nuk kanë më shumë se 4 apo 6 vite, jo vetëm kanë fituar trofe, luftojnë çdo sezon për titullin, por sistematikisht kanë marrë pjesë në Kupat e Europës. Kjo tezë nuk qëndron edhe aq, pasi Tirana në këta 22 muaj as zonën “Euro” nuk e ka arritur.

Dhe në ndryshim nga klube të tjera, Tirana ka asete (stadium dhe kompleks stërvitor) dhe mbi të gjitha ka qenë, është dhe duhet të jetë një “markë” në futbollin shqiptar. Por, në këto dy vite, marketingu nuk ka qenë një “armë e fortë” për bardheblutë. Dhe për këtë mjafton të përmendim faktin që nuk është arkëtuar asgjë, qoftë edhe nga shitja e ndonjë lojtari.

Premtimi

“KF Tirana fton tifozët të presin me optimizëm sezonin e ri që do të jetë absolutisht më i bukur dhe premtues se viti që lamë pas”, ka qenë kjo deklarata në gushtin e 2016-ës, ku Tirana në mënyrë të nxituar dhe gati-gati naive sulmonte mediat dhe premtonte që ky do të ishte një sezon ndryshe. Por ecuria dëshmon të kundërtën, pasi jo vetëm që nuk është ndryshe, por është më keq nga sa pritej. Dhe pse ndodhi kjo? Lind rrjedhimisht pyetja. Dhe, për këtë, mjafton që të bësh kronologjinë e një situate që solli krizën.

Merkato

Në merkaton e verës, Tirana nuk u kursye. Afroi disa futbollistë, ndër ta 6 erdhën nga kontinenti i largët afrikan. Por, me kalimin e muajve, përveç cilësive që ka shfaqur Merveil apo Moise, të tjerët janë hije e vetvetes. Dëshmi për këtë janë golat e dy sulmuesve, ndërsa vetëm Edeh më në fund u zhbllokua. Dhe dështimin e pranoi vetë presidenti, ndërsa deklaroi se tre prej tyre në verë nuk do të jenë më pjesë e ekipit.

Drejtuesit

Nuk ka profesionistë në të gjitha hallkat. Në klub, momentalisht, në rangun drejtues, është vetëm presidenti Refik Halili dhe drejtori Devi Muka, por vetëm këta të dy. Dhe sigurisht të vetëm nuk mund të bëjnë shumë. Kujtojmë që gjatë verës u largua administratori i klubit, Sajmir Shehri, ndërsa në janar shefi i klubit, Eduard Gjini. “Firo” këto që as nuk janë zëvendësuar.

Sulmuesit

Kanë tre vite që nuk gjejnë dot një “bomber”. Dhe duhet thënë që për sulmuesit presidenti ka shpenzuar me bollëk, pasi kush është afruar ka qenë ndër më të paguarit. Megjithatë, shifrat flasin që në sezonet e fundit nuk kanë gjetur dot një Salihi apo Pejiç, paçka se lojtarë si Elis Bakaj apo edhe Afrim Taku janë munduar që të zgjidhin krizën e golit.

Largimet

Tirana nuk di t’i trajtojë njerëzit që kanë potencial. Dhe kështu veproi gjatë janarit, ndërsa afrimet e bujshme, të projektuara si bazë e Tiranës, u larguan “mistershëm” dhe pa zhurmë. Largime të pamenduara me emra si Muzaka, Vucaj apo edhe Nika, që në këtë pjesë të dytë të sezonit po bëjnë mirë te Skënderbeu dhe Laçi.

Gjyqet

Borxhet e shumta janë dëshmi e gjyqeve të humbura. Tirana, pjesën dërrmuese të çështjeve në DHZK, apo edhe në Gjykatë, i ka të humbura. Mungesa e një studioje ligjore ka bërë që ndoshta të mos zgjidhen çështje të mprehta financiare. Dhe rasti i fundit është ai i Gjergj Muzakës, që i kushtoi afro 104 milionë lekë klubit bardheblu.

Trajneri

Tirana nxitohet duke larguar trajnerë. Rasti më flagrant është ai i Ilir Dajës. Ky i fundit arriti që të ndërtonte një ekip që prodhonte futbollin më të bukur në fillim të sezonit, por mjaftoi vetëm një humbje me Luftëtarin dhe një barazim me Vllazninë që të vinte shkarkimi i tij. Dhe kjo lëvizje nuk solli përmirësim, përkundrazi. Faktet flasin që Tirana nuk shijon trepikëshin prej 7 ndeshjesh radhazi dhe kolona e fitoreve në 2017-ën mbetet ende zero.

Tifozët

Tirana i ka cilësuar gjithnjë si oksigjen tifozët. Megjithatë, në momentin që u mor vendimi për të lejuar Partizanin që të luante në “Selman Stërmasi”, treguan mungesë të theksuar respekti ndaj tyre.

Sigurisht që ata nuk mund të kenë rol vendimmarrës, as nuk mund të bëjnë formacion e aq më pak nuk kanë të drejtën që t’u kërkojnë llogari lojtarëve (sikundër ndodhi në “Skënder Halili”), por minimalisht meritonin që të viheshin në dijeni para të firmosej akordi në bashki. Edhe pse iu premtua që nuk do lejoheshin, befas tifozët morën vesh që marrëveshja u arrit. Ultrasit e quajtën këtë vepër jo vetëm të turpshme, por prerje në besë.

“Klanet”

Tirana kërkon gjithnjë armiq dhe sheh gjithnjë dashakeqësi pas çdo kritike. E vështirë për t’u besuar, por ja që ndodh. Dhe është e papranueshme që analizat e përjavshme të ish-kapitenit Ervin Bulku (që janë pjesë e punës së tij) të konsiderohen si sulme. Por, gjatë kësaj kohe, kanë treguar se nuk dinë si t’i trajtojnë njerëzit. Dhe për të kuptuar këtë mjafton të kujtosh debatin publik me Gjergj Muzakën, për të cilin presidenti Refik Halili tha që “i ka fikur motorët”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here