Home Shkence Testohet aparati per leximin e mendjes

Testohet aparati per leximin e mendjes

762
0

Javën e kaluar në takimin e radhës të Shoqërisë për Neuroshkencën në Çikago, Xhek Galanti, nga pionierët e “çkodimit nervor” në Universitetin e Kalifornisë, Berklej, paraqiti një prej arritjeve më mbresëlënëse derimëtash të neuroshkencës.

Ai dhe kolegu i tij Shinzhi Nishimoto treguan se mund të krijojnë një riprodhim parak të një videoje që po shikon dikush, vetëm nëpërmjet “leximit” të veprimtarisë mendore të videoshikuesit.

Gjatë takimit u tha se çkodime të tilla nervore do të mund të përdoren për leximin e kujtimeve dhe të planeve të ardhshme të dikujt, madje dhe në diagnostikimin e çrregullimeve në ushqim.

Por si funksionon “çkodimi nervor”? Ekipi i Galantit bëri bujë vjet me aparatin e tij për përcaktimin e fotografive që shikon dikush, thjesht duke “lexuar” të dhënat nga korteksi pamor i trurit.

“Por thjesht çkodimi i fotografive nuk na bën punë”, thotë Nishimoto. “Përjetimet tona natyrore pamore janë më tepër si filma”.

Nishimoto dhe Galanti nisën kështu eksperimentin e tyre më të fundit duke iu shfaqur dy personave videoklipe dyorëshe të marra nga DVD të ndryshme, teksa ndërkohë iu skanonin trurin.

Një program i posaçëm kompjuterik bënte modelimin e veprimtarisë së tyre trunore gjatë shikimit të videove dhe e përqaste këtë veprimtari me të dhënat përkatëse filmike të videove si forma, ngjyra dhe lëvizjet e saj në çastin që shikoheshin.

Mandej programit iu “ushqyen” videoregjistrime të llojllojshme të marra nga shërbimi “YouTube” në harkun e 200 ditëve.

Pas kësaj dy personave iu dha dhe një seri e re videosh, pa lidhje me dy të tjerat, duke i riskanuar trurin. Programi kompjuterik ballafaqoi këto skanime të reja me të dhënat nga video të “Youtube”-it. Për çdo sekondë skanimi, programi zgjodhi 100 videoklipe nga “Youtube”-i që vlerësoi se do t’i ngjanin më tepër videove që ishin parë së fundi nga dy personat.

Rezultati përfundimtar ishin sekuenca të vagullta filmike që tregonin pak a shumë një pamje parake se çfarë përafërsisht ishin duke parë personat në fjalë. Sekuencat përdornin modelimin e parë të formave, ngjyrave dhe lëvizjeve për të riprodhuar atë që shikonin personat herën e fundit. “Kjo do të përmirësohet së tepërmi me kalimin e kohës,” shtoi Galanti.

Dyshja shkencore synon të përmirësojë rindërtimin e filmave duke e ushqyer programin me të dhëna shtesë rreth përmbajtjes së videove, veç formave, ngjyrave dhe lëvizjeve që përdorte derimëtani.

Ndërkaq filmat dhe fotografitë nuk janë të vetmet sende që mund të shquhen nga veprimtaria mendore. Një ekip tjetër nën drejtimin e Eleanor Meguajrit dhe Martin Çeduikut në “Junivërsiti Kollexh” të Londrës sollën në Çikago përfundime të punës së tyre kërkimore që tregojnë se as kujtimet nuk janë shumë larg leximit nga skanuesit e trurit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here