Home Bota Tensionohet situata ne Ukraine. Kievi gati per sulm ushtarak

Tensionohet situata ne Ukraine. Kievi gati per sulm ushtarak

564
0

ushtare-ukraineSituata në Ukrainë është më shpërthyese se kurrë dhe rrezikon që kriza të zgjerohet edhe më shumë. Është kjo deklarata e zëvendës sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Oscar Fernandez Taranco, bërë gjatë mbledhjes urgjente që u zhvillua mbrëmë të Këshillit të Sigurimit lidhur me situatën në ish-Republikën Sovjetike. Edhe për Rusinë, ekziston rreziku i përhapjes së krizës në Ukrainë. Gjatë mbledhjes ambasadori britanik në OKB, Grant tha se imazhet satelitore tregojnë praninë e rreth 40 mijë ushtarëve rusë në kufirin me Ukrainën. Përplasjet Rusi-Perëndim ishin mëse të dukshme edhe gjatë mbledhjes së djeshme.

“Mediat ruse po përhapin propagandë ndërsa populli ukrainas përballet me dhunë”, – tha nga ana tjetër ambasadorja amerikane Samantha Power. Sipas saj, SHBA-të janë ende të gatshëm të diskutojnë për mënyrat se si të mund të qetësojnë situatën, por në lindje të Ukrainës janë mbledhur ushtarë profesionistë të mirëorganizuar.

Por ambasadori rus Vitali Curkin u kundërpërgjigj duke thënë se shtetasit me origjinë ruse janë në rrezik në Ukrainë dhe ndaj është e nevojshme që të garantohet mbrojtja e tyre. Sipas tij, në pak orë situata mund të përshkallëzohet.

Por përfaqësuesi i përhershëm i Kievit në OKB tha se në lindje të vendit, nuk ka grupe manifestuesish sic përpiqet ti nxjerrë Rusia, por grupe të mirëfillta terroriste. “Në zonën lindore po aplikohen të njëjtat teknika të përdorura në Krime, por nuk do të lejojmë të përsëritet i njëjti skenar”-tha Yuriy Sergeyev duke përdorur madje fjalën terrorizëm sa i takon operacioneve të urdhëruara nga Moska.

Për një skenar të ngjashëm me Krimenë, foli dje edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Rasmussen. Ndërkohë qyteti Sloviansk në rajonin e Donetskut vazhdon të jetë tërësisht i rrethuar nga barrikadat e milicisë pro ruse ndërsa janë bllokuar dhe rrugët kryesore të qytetit. Ndërkohë ultimatumi i vendosur nga Ukraina për largimin e aktivistëve pro rusë nga ndërtesat qeveritare brenda orës 6 të mëngjesit tashmë ka skaduar. Kievi ka premtuar ndërhyrje ushtarake nëse njerëzit nuk largohen dhe tashmë pritet urdhri i presidentit Olexander Turchynov për të përdorur ushtrinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here