Home ShowBiz Stella Sallaku, inxhinierja qe u be stiliste me fame

Stella Sallaku, inxhinierja qe u be stiliste me fame

2013
0

Zgjodhëm të shkonim tek një vajzë e re por me një pasion të madh. Atelie e saj modeste prodhon veshje të dizejnuara në një frymëzim e model krejtësisht të ri.

U ulëm pranë Stella Sallakut, stilistes që ndonëse është vetëm 28 vjeç, ka arritur të prekë në vendin tonë të vogël një sukses të madh.

stella sallaku

E shohim shpesh në panele televizive apo në mbrëmjet e personazheve VIP në Tiranë për të qenë syri vëzhgues i stilit të veshjeve që zgjedhin zonjushat dhe zonjat.

Ndonëse ka 5 vite që kur ka hapur atelienë e saj kur ishte vetëm 23 vjeç, Stela ka pasur koleksionet e veta duke u futur si një brand në Tiranën tonë ku është pjesë e gardërobës së personave më të rëndësishëm.

Puna e saj fillon në letër, aty ku dizenjon skicat e veshjeve të cilat më pas i realizon me makinën qepëse.

Për Stelën nuk ka qenë e lehtë të arrish të bëhesh një zë i rëndësishëm i stilistëve shqiptarë ku me gjurmët e saj po lë pas një emër.

Por, kur ka qenë pikënisja e parë e Stelës për të zbuluar veten si stiliste?

“Im atë më bleu një kukull në 1995. Ajo kishte vetëm një fustan jeshil dhe unë doja t’i bëja fustane të tjera. Prindërit nuk kishin qejf të më shihnin me gërshërë në dorë, ndaj mundohesha t’i bëja fustanet fshehurazi. Madje, babai im ruan një prej blloqeve të vizatimeve të mia të hershme”, thotë Stela.

stella sallaku

Eshtë ndoshta e rrallë që një vajzë të ketë frymëzimin e saj stërgjyshen.

“Unë jam rritur në një familje të madhe. Unë jetoja me gjyshërit, prindërit dhe stërgjyshen. Pasi prindërit dhe gjyshërit shkonin në punë, mua më linin me stërgjyshen. Ajo më tregonte gjithçka nga rinia e saj, më mësonte të qepja, të bëja shtiza dhe unë shumë kurioze doja të mësoja. Blinte fustane dhe i rregullonte vetë siç donte modelin. Ishte 78-vjeç dhe kishte një gusto shumë të rafinuar. Edhe halla e madhe ka shumë talent për të qepur. Rrobat i rregullonte vetë. Dhe unë kur shikoja këto shembull, thosha: dua të bëhem dhe unë kështu”, tregon ajo.

Stela një inxhiniere në profesion e ka patur jo pak të lehtë të zbulojë dhe të vërë në funksion talentin dhe pasionin e saj për dizajnin dhe stilimin. Në moshën 23-vjeçare pasi nuk bashkoi dot rrethin e profesionit të saj me pasionin dhe të ardhurat mendoi të hapte një atelie të vogël për të qenë më pas një prej atelieve që ka fituar një zë në Tiranë.

“Më pas unë ndoqa një degë tjetër. U diplomova për inxhinieri, pasi mendoja se stilimi nuk do më ndihmonte të paguaja faturat. E mendoja si një hobi. Pasi u diplomova punova në degën time, por nuk ndihesha mirë. Më pas, në moshën 23-vjeçare, mendova që këtë gjë që bëj më mire, pse të mos e vë në punë”, thotë Stela.

Stela është shembulli më i mirë për të gjithë të rinjtë të cilët kanë zbuluar talentin e tyre por u mungon hapësira apo koha për ta vënë në zbatim. Ja si e nisi Stela biznesin e saj…

“Në fakt në atë kohë një mikeshë e mamit tim më ka ndihmuar për të zbuluar veten se çfarë doja të bëja në të ardhmen. Zonja më ofroi një vend pune në një qendër grash. Kështu, në formë ëin -ëin, unë mund të ofroja atyre ndihmën time si stiliste dhe nga to përfitoja një vend ku mund të punoja falas. Këtë gjë nuk e kam bërë vetëm. Që në momentet e para kam patur një mikun tim menaxher që më ka ndihmuar. Mund të kisha të ardhura, por nuk mundesha ta filloja si biznes stilimi pa një menaxher.

Edhe familja më ka mbështetur nga ana emocionale. Ndërsa nga ana financiare nuk kam dashur të më ndihmonte familja. Është shumë e vështirë për një vajzë të re të ecë para, në një botë ku të gjithë janë si piranja apo peshkaqenë. Ne punojmë 14 orë në ditë por edhe më shumë nëse ka evente.

Unë punoj në tre fronte. Merrem me qepje, skicat por edhe leximet e literaturës apo ndjekjes së koleksioneve në botë. Ja ku e kemi një shembull konkret që disa të rinj mund ta ngrenë biznesin me të ardhura të pakta por duke bërë një punë të madhe për të marrë frytet më vonë. Nuk është se kemi harxhuar lekë për biznes, për menaxhim apo reklama.

Në fillim kemi patur vetëm lekë xhepi. Pasi ambientin na e ofruan falas. Punoja vetëm dhe nuk kisha shumë kosto. Unë nuk kam bërë asgjë me plan. Mua nuk më duken ndonjë ndryshim i madh. Në punën time çdo ditë evoluoj. Skicat përmirësohen dhe dizajnet po ashtu. Ne nuk kemi nevojë të shpikim gjëra të reja. Moda nuk është revolucion por është evolucion. Unë po eksperimentoj me copa më të vështira tani”, rrëfen Stela.

Nën lupën e syrit kritik të Stela Sallakut tashmë janë disa personazhe të ekranit dhe spektaklit. Është e vështirë të kritikosh shpesh dhe zonjat apo zonjushat që Stela i ka kliente por ajo ka zgjedhur të jetë e drejtpërdrejtë.

“Nuk është një rubrikë kritikuese demoralizuese por është kritikuese konstruktive. Më vjen shumë mirë që s’kemi patur përplasje. Shumica nga ne nuk dinë të kombinohen. Ne nuk mund të jemi shumë të mirë në çdo gjë”, thotë Stela.

Kur talenti takon punën me të ardhura të mira, atëherë ke zgjedhur të gjesh suksesin dhe lumturinë. E, Stela këtë shembull frymëzon. Ajo ka një mesazh për të gjithë të rinjtë që duan të zgjedhin rrugën e saj.

“Këshilla e parë është që të mos kenë frikë të jenë vetvetja. Secili prej nesh ka lindur me një talent. Kur ta zbulojnë talentin, mos ta lënë atë në sirtar. Le ta zbatojnë. Të gjejnë personat e duhur për të bashkëpunuar. Njerëzit në Shqipëri duan ta bëjnë vetë biznesin, por kjo është e gabuar. Dikush ofron idenë, ndërsa tjetri vullnetin. Vetëm s’mund të bësh asgjë. Unë jam dizajnere por s’di të bëj menaxhimin e të ardhurave. Ndaj, kam nevojë për një staf të kualifikuar. Mbase ne s’kemi të ardhura në fillim, ndaj mund të bëni një marrëveshje me stafin që doni të merrni. Të ndërtojmë biznesin dhe të hedhim secili atë që bëjmë më mirë, talentin dhe aftësinë. Më pas frytet e biznesit do i ndajmë bashkë. Është njëlloj sikur të punosh për dikë, por thjesht për atë do punosh gjithë jetën dhe s’do marrësh gjë mbrapsht. Ndërsa kështu, mund të keni më shumë përfitime. Nuk duhet të dekurajoheni për asnjë moment”, këshillon ajo

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here