Home Sport Stadiumi i ri Loro Boriçi has ne protesten e banoreve

Stadiumi i ri Loro Boriçi has ne protesten e banoreve

837
0

stadiumiBanorët e shtëpive përreth stadiumit “Loro Boriçi” kanë vijuar që në mëngjesin e djeshëm protestën e tyre, duke bllokuar vazhdimin e punës për rindërtimin e stadiumit “Loro Boriçi”.
Dje kanë qenë më të shumtë në numër, duke mos lejuar fadromat për të hapur gropat ku do të vendosen kolonat mbajtëse të tribunës.
Ata i kanë kthyer mbrapsht punëtorët dhe kanë vendosur që të mos lejojnë fillimin e punës, derisa pushtetarët qendrorë apo deputetët e Shkodrës të diskutojnë me pronarët e ambienteve rreth stadiumit për projektin e ri.

Kërkesat

Banorët kanë kërkuar që përfaqësuesit e pushtetit qendror në Shkodër, siç është prefekti Radovani apo drejtues të tjerë nga kryeqyteti, të vijnë dhe të diskutojnë me ta për të ardhmen e pronave të tyre. Pak ditë më parë, vetë kryeministri Edi Rama, si dhe deputetët e majtë të qarkut të Shkodrës deklaruan se rikonstruksioni i stadiumit nuk do të prekte fare familjarët përreth tij. Mirëpo, të hënën pasdite, familjarët përreth stadiumit kanë parë se shumë pranë avllive të shtëpive të tyre do të hapeshin gropa, të cilat do të ishin edhe këmbët mbajtëse të shkallëve të tribunës qendrore. Kjo ka bërë që ata të reagonin fuqishëm ndaj punëtorëve, duke u kërkuar ndërprerjen e punës. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe dje, ku sërish kanë ndalur punimet. Një nga familjet që mund të preket nga ndërtimi i tribunave të stadiumit “Loro Boriçi” është edhe ajo e ish-futbollistit të Vllaznisë dhe ekipit tonë përfaqësues, Suad Lici. Ai, ashtu si pjesa tjetër e këtyre familjeve me shtëpi afro 300- vjeçare, ka qenë i pranishëm në protestë.

Premtimi

Sipas banorëve, atyre u është premtuar se rindërtimi i stadiumit nuk ka për të prekur aspak hapësirat e tyre private. Megjithatë, ky premtim duket se nuk u është mbajtur ende banorëve, pasi gjatë punimeve, është filluar puna që të hapen gropat për të ndërtuar kolonat mbajtëse të tribunës, fare pranë avllive të shtëpive të tyre. Në këtë mënyrë, banorët nuk lejojnë që pronat e tyre të cenohen, përpara se të ketë një vendim për vlerësimin e dëmeve dhe për shpronësimin e atyre familjeve që do të preken nga rindërtimi i “Loro Boriçi”-t.

Ndër të tjera, bëhet fjalë edhe për ndërtesa që janë rreth 300-vjeçare, të cilave mund t’u hiqet e gjithë hapësira e oborrit dhe madje mund t’u afrohen së tepërmi kolonat e tribunës së stadiumit.

Protesta

Sipas banorëve, punimet do të mund të fillojnë që në momentin e parë që do të ketë një takim të tyre me drejtuesit e pushtetit vendor. Ata kanë bërë me dije se protestat do të vijojnë deri në momentin që do të marrin garancinë se pronat e tyre nuk do të preken ose, në rast se do të ketë prishje të avllive apo ndërtesave, do të ketë më parë një vlerësim të saktë në lidhje me procesin e shpronësimeve.

Afati

Ndeshja me Serbinë, e cila është vendosur si afati kur stadiumi do të jetë gati, është vënë seriozisht në rrezik. Vonesat e para për projektin dhe tashmë këto vonesa në fillim të kryerjes së punimeve, kanë bërë që koha për përfundimin e stadiumit të ngushtohet shumë dhe ndeshja me Serbinë mund të mos e gjejë të gatshëm impiantin e futbollit në Shkodër.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here