Home Ekonomi Spiropali: 18.9 mld leke me shume se 1 vit me pare, ulet...

Spiropali: 18.9 mld leke me shume se 1 vit me pare, ulet borxhi me 17.5 %

606
0

elisa-spiropaliTIRANE – Drejtoria e Doganave bëri sot analizën 12 mujore të punës së saj, nën qeverisjen e mazhorancës së majtë, ku të pranishëm ishin edhe Ministri i Financave Shkëlqim Cani si dhe zëvendësministri Niko Peleshi.

Në fjalën e saj, drejtoresha e këtij dikasteri, Elisa Spiropali, theksoi se gjatë këtij 1 viti të punës së doganave, janë arkëtuar 18.9 miliardë lekë më shumë se 1 vit më parë, ndërsa shtoi se tashmë doganat kanë edhe një kod të ri doganor që do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Sa i përket luftës ndaj korrupsionit, Spiropali u shpreh se në 12 muaj janë bërë 126 kallëzime, ose më saktë 117% më shumë se një vit më parë, të bizneseve që kërkonin të ruanin pozicionin e tyre në treg përmes pandëshkueshmërisë.

“Në 12 muaj dogana ka arkëtuar 18,9 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Shtatori ka qenë një muaj shumë i mirë dhe raportoj se janë mbledhur 13 miliardë e 595 milionë lekë. Tashmë ka një kod të ri doganor në punën tonë, që hyn në fuqi më 1 janar 2015.  Janë bërë 126 kallëzime për 12 muaj, me një rritje 117%. Ndoshta duket shifër e ashpër, por ka të bëjë me biznese të pandershme që duan të ruajnë pozicionin e tyre në treg përmes pandershmërisë, pra korrupsion.” theksoi Spiropali

Drejtoresha e doganave, në bilancin e paraqitur të këtyre 12 muajve të fundit, nënvizoi edhe uljen e borxhit doganor në nivelin 17.5%.

“Janë kryer kontrolle të drejtorisë aposteriori ku kemi marrë ekspertizën e doganës italiane, me 45 % më shumë. Pra jo sulme të bizneseve në treg, por kontrolll dokumentash. Borxhi doganor është ulur me 17.5% për këtë vit. Projekti i IPA-s ka ulur rrisqet në dogana. Tashmë edhe kontrollet janë më të efektshme.” u shpreh Elisa Spiropali

Spiropali: 1180 raste të shkeljes së akcizës, falë bashkëpunimit me Crown Agents
Duke vijuar më tej Spiropali vlerësoi edhe bashkëpunimin me “Crown Agents” që siç theksoi ajo ka dhënë një ndihmë të madhe, veçanërisht sa i përket akcizës, ku në 1 vit, janë zbuluar 1180 raste të shkeljes së akcizës, që sipas Spiropalit është shkalla më e lartë në Evropë.

“Disa fusha kryesore të punës së doganave, janë lufta ndaj korrupsionit, 8 skuadra doganore që analizojnë në terren. Kemi nisur disa fushata, e para është fushata e akcizës. Nëse shihni makina në territor të ndalimit të makinave nga Crown Agents është pagesa e doganave të automjeteve. Janë kryer 2292 kontrolle, janë 1180 raste të shkeljes së akcizë. Pra shkalla e zbulueshmërisë është më e larta në Evropë. Puna që do të bëjmë me Crown Agents do të duket më vonë. Në tërësi bashkëpunimi me Crown Agents ka qenë shumë i frytshëm dhe ka imponuar një sens të ri.” tha ajo

Spiropali: Brenda 3 javësh, gati tranziti i përbashkët me Kosovën

Sa i përket fushave të tjera, drejtoresha e doganave, u shpreh se detyra e doganave nuk është vetëm kontrolli por edhe lehtësimi i procedurave. Në këtë kuadër, ajo u shpreh se brenda 3 javësh do të jetë gati projekti i tranzitit të përbashkët me doganën e Kosovës, ku tashmë mes dy vendeve do të ekzistojë një pikë e përbashkët doganore.

“Dogana nuk ka vetëm funksionit të kontrollit, por edhe fasilitimit të tregtisë. Ne synojmë lehtësimin e procedurave. Ne besojmë se pa një administratë doganore evropiane nuk mund të kemi rezultate në të ardhmen, dhe nga marrëveshja me FMN na imponon një sens të ri përgjegjësie me qytetarin dhe bizneset. Ne kemi rritur transoarencën me publikun, si linja e gjelbër, faqja zyrtare në internet, kemi zhvilluar nga 21 korrik – 20 shtator një stazh me studentë të sapodalë nga universiteti dhe ne synojmë që nga ky brez studentësh të punësojmë sa më shumë. Besoj e keni parë jo të gjitha pikat kufitare kanë pamjen e një dogane evropiane. Pika e Morinës me këmbënguljen tonë dhe mbështetjen e BE do të bëhet një pikë e përbashkët me Kosovën. Një nga synimet është tranziti i përbashkët me Kosovën, dhe kjo do të jetë brenda 3 javësh.” nënvzoi Spiropali

Ndërsa sa i përket kapjes së anijes me cigare kontrabandë në portin e Durrësit, Spiropali u shpreh se çështja është në gjykatë, dhe se ai është një aksion model edhe për vendet e rajonit.

“Unë dua të përmend një nga rastet, rasti i kapjes së anijes me cigare kontrabandë në Durrës. ka kaluar në gjykatë. Është një nga rastet e kapjes së rasteve të kontrabandës në Ballkan, dhe ky merret si shembull nga vendet e rajonit.“ u shpreh ajo .

Cani: Rishikimi i buxhetit me rritje, falë punës së doganave e tatimeve
Ministri i Financave Shkëlqim Cani, teksa vlerësoi punën e bërë nga dogana në këtë vit të parë qeverisës, theksoi edhe një herë se rishikimi i buxhetit me rritje për herë të parë pas 5 vitesh është edhe meritë e doganave, që siç theksoi ai kanë 80% të ekonomisë.

Cani u shpreh se kjo rritje është në të mirë si të qeverisë ashtu edhe të biznesit, ndërsa nënvizoi se vendi po i largohet “gropës” në të cilën u gjend para 1 viti, por që ende nuk është në rezultatet e duhura. Ministri reagoi edhe lidhur me akuzat e opozitës për rritje të TVSH, duke siguruar se shifra prej 20% e tatim fitimit nuk ka lëvizuar.

“Të gjithë mundohen të sajojnë suksese, të tjerët sajojnë mos suksese, por shifrat i mbyllin të gjitha, në fakt s’ka pak ditë që në Kuvend u miratua ndryshimi i buxhetit, dhe kemi dëshirë apo jo, pas 5 vitesh thyem tabunë në një shumë jo kush e di sa, që të jemi modestë, por u shënua me rritje të ardhurash. Kjo është meritë e doganave dhe tatim taksave. Kjo është edhe meritë e biznesit, që me djersë kemi gjetur gjuhën e duhur për të dhënë rezlutate. Le të krahasojmë të ardhurat: 15.83% më shumë ose 330 milionë dollarë më shumë. Natyrisht shumë më shumë janë të ardhurat për biznesin. Nga kjo anë do të thoja që ka marrë buxheti, por edhe biznesi dhe familja. Është vetëm një vit më përpara, ku vetëm në thesar radha e faturave të papaguara, jo për borxhet, ishte afërsisht 100 milionë dollarë. Jam i imponuar të merrem me opozitën, të cilët morën vetëm rritjen e të ardhurave për tatimin e shtuar, dhe thanë se kjo i është marrë publikut. Nuk është absolutisht e vërtetë! TVSH ishte 20% dhe është 20%. Shqipëria ende nuk ka rritjen që ne duam. Por shifrat tregojnë se ekonomia po rritet. Këto janë para që deri vjet shkonin në xhepin e familjarëve të qeveritarëve. Sa i përket doganave, unë ju bëj thirrje të bëheni më agresivë me kritika, ju kuptojmë fare mirë që jeni motorri i ekonomisë, dhe keni 80% të ekonomisë sonë.” tha Cani

Peleshi: Korrupsioni në dogana luftohet me ndryshimin e sistemit
Ndërsa zëvendësministri Niko Peleshi, teksa vlerësoi rritjen e të ardhurave nga doganat, u shpreh se lajm i mirë për të, është lehtësimi i procedurave në pikat doganore në vend. Peleshi u ndal edhe tek çështja e luftës ndaj korrupsionit, ku nënvizoi se për të luftuar këtë fenomen, nevojitet ndryshimi i sistemit.

“Unë dua të falenderoj drejtorinë e doganave për rezultatet e arritura. Unë do të thoja që rritja e të ardhurave është një lajm i mirë edhe për qeverinë, pasi 190 milionë dollarë është ndihma e BB për të shpëtuar nga humnera që ndodheshim. Rritja e të ardhurave është rritja e mundësive për investim. Unë lajmin më të mirë të doganave sot nuk quaj rritjen e të ardhurave por të lehtësimit të procedurave sepse kjo është e vetmja mënyrë për të luftuar korrupsionin. Qenia njerëzore janë të gjithë njëlloj, kemi marrë të gjithë një kulturë e të njëjtin mentalitet, por ndryshimin e bën sistemi. Nëse ne arrijmë këtë, ne mund të vendosim sundimin e ligjit dhe të kemi arritje në luftimin e korrupsionit dhe evazionit fiskal.” tha Peleshi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here