Home Aktualitet Sot mberrin ne Shqiperi Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit

Sot mberrin ne Shqiperi Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit

644
0

Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, pritet të mbërrijë sot në Tiranë për të zhvilluar përpjekjen e fundit për të arritur një marrëveshje politike mes maxhorancës dhe opozitës për zgjedhjet parlamentare.

Zyrtari amerikan do të zhvillojë takim me kryeministrin Edi Rama në orën 10:30.

Ndërkohë që takimi i tij me kreun e demokratëve është planifikuar të mbahet në orën 14:00.

Në një kohë që prej 3 muajsh opozita ka bojkotuar Parlamentin dhe është vendosur në çadrën e ngritur përpara Kryeministrisë dhe maxhoranca ka deklaruar se do të hyjë e vetme në zgjedhje, faktori ndërkombëtar po bën përpjekjet maksimale për t’i çuar palët drejt një marrëveshjeje që do t’i jepte fund krizës politike.

Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, do të vijë sot në Tiranë me detyrën e negociatorit pas dështimit të negociatave që Rama e Basha zhvilluan me zv.presidentin e PPE-së, McAllister, më 24 prill.

Duket se zyrtari i lartë amerikan do të vijë me mesazhe të qarta nga SHBA për liderët politikë në Shqipëri për zgjidhjen e ngërçit politik. Mesazhet politike, zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit i dha pa mbërritur në Tiranë. Gjatë fjalës së tij në forumin rajonal për siguri “2BS” në Budva të Malit të Zi, Yee u shpreh se ishte kundër çdo lloj bojkoti të institucioneve nga forcat politike.

MESAZHI

Sipas Yee, Parlamenti duhet të jetë institucioni që mbron interesat e qytetarëve. Për këtë arsye, zv.ndihmëssekretari amerikan kërkoi nga të zgjedhurit politikë që të mos bojkotojnë Parlamentin.

“Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët që bojkotojnë Parlamentin, shmangin përgjegjësinë e tyre dhe injorojnë këshillën e ishPresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Theodore Roosevelt, se është më mirë të jesh një lider i guximshëm në arenë, sesa një kritik apo vëzhgues nga jashtë”, deklaroi zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, duke theksuar se është kundër çdo lloj bojkoti të institucioneve.

Zyrtari i lartë amerikan gjatë fjalës së tij në forumin për çështjet e sigurisë të mbajtur në Malin e Zi, theksoi se qeveritë në rajonin e Ballkanit duhet të luftojnë kundër korrupsionit dhe udhëheqësit e rajonit duhet të gjejnë kurajën politike për të bërë reformat e nevojshme në interes të qytetarëve.

TAKIMET

Zyrtari i lartë amerikan pritet të mbërrijë sot, në orën 10:00, në Tiranë, nga ku do të nisë edhe një seri takimesh me liderët kryesorë politikë në vend. Në fokus të takimeve do të jetë zgjidhja e ngërçit politik mes maxhorancës dhe opozitës. Ende mbetet e paqartë nëse zv.ndihmëss-ekretari amerikan i Shtetit do të ketë një ofertë konkrete për dy liderët politikë, por pritshmëritë për këto takime janë të larta.

Sipas burimeve, Yee do të zhvillojë takime me Kryeministrin Edi Rama, kreun e opozitës, Lulzim Basha, dhe kreun e Parlamentit dhe Presidentin e zgjedhur, Ilir Meta. Ajo që bie në sy në axhendën e zyrtarit të lartë amerikan është takimi që pritet të zhvillojë me një grup deputetësh demokratë, kritikë të kreut të PD-së, Basha.

Bëhet fjalë për Majlinda Bregun, Jozefina Topallin dhe Astrit Patozin. Deputetja Bregu ka pranuar se ka marrë një njoftim për të zhvilluar një takim të tillë, por pa dhënë detaje rreth asaj që do të diskutojnë me zv.ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit Yee.

Gjatë mbledhjes së fundit të Grupit Parlamentar, ky grup deputetësh i kërkoi Lulzim Bashës të dialogojë me Kryeministrin Rama për arritjen e një marrëveshjeje politike për të mos e lënë Partinë Demokratike jashtë procesit zgjedhor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here