Home Eduard Zaloshnja Situata e rendit, realiteti dhe perceptimi

Situata e rendit, realiteti dhe perceptimi

684
0

shperthimNë të trija buletinet mujore që Minsistria Brendshme ka publikuar qysh prej fillimit të punës së qeverisë së re, konstatohet një rënie e ndjeshme e vdekjeve dhe plagosjeve të rënda nga krimet dhe aksidentet rrugore, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Publikimit të këtyre buletineve, opozita i është përgjigjur me akuza për fshehjen nga Policia e Shtetit të 40% të ngjarjeve të rënda, por këto akuza nuk mund të merren seriozisht, po të kihet parasysh se mediat informative raportojnë në kohë reale çdo incident, sado i vogël, kudo që ndodh. (Kjo është një punë që mediat informative shqiptare e bëjnë më me zell se çdo gjë tjetër).

Por pavarësisht pakësimit të vdekjeve dhe plagosjeve të rënda nga krimet dhe aksidentet rrugore, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, perceptimi i publikut për situatën e rendit nuk është rozë. Dhe me perceptim të publikut nuk kam parasysh shkrime apo pronocime televizive të opinionistëve/analistëve mediatikë, të cilët, sipas Ministrit Tahiri, janë mllefosur ngaqë nuk po e ndjejnë më veten të privilegjuar/toleruar nga policia si më parë (Se sa i vërtetë është ky pretendim i Ministrit Tahiri për çdo rast konkret, mbetet për t’u vërtetuar).

Kështu, sondazhi Barometër24 i mesit të janarit tregonte se 52% e elektoratit urban mendonte që situata e rendit nuk po përmirësohet nën qeverisjen aktuale (Krahasimisht, në mes të tetorit, Barometër24 tregonte se vetëm 21% e të anketuarve mendonin që situata e rendit nuk po përmirësohej). Edhe sondazhi i SACP-it i 20 nëntorit tregonte për një shqetësim të publikut në lidhje me rendin. Sipas sondazhit, thyerja e rendit publik dhe sherret/përleshjet në rrugë përbënin shqetësim për 58.6% të popullsisë urbane (kampioni i sondazhit përbëhej nga 2000 të anketuar në 6 qytete të mëdha). Ndërsa 82.1% e të anketuarve e konsideronin si problem për komunitetin e tyre thyerjen e rregullave të trafikut, të tilla si dritat e trafikut, mosrespektimin e kalimtarëve, parkimin e gabuar, etj.

Por si shpiegohet ky hendek mes përmirësimit statistikor të situatës së rendit (që pasqyrojnë buletinet e Ministrisë së Brendshme) dhe perceptimit të publikut?

Së pari, ky hendek shpiegohet me ngjarjet e rënda që kanë ndodhur në muajt e fundit – një automjet që shpërthen me tritol tërheq shumë më tepër vëmendjen e publikut sesa një buletin i Ministrisë së Brendshme që tregon përmirësim të situatës së rendit. Së dyti, shpiegohet me transmetimin e ritransmetimin e pandërprerë, ditë e natë, të lajmeve mbi krimet dhe aksidentet në ekranet e televizioneve informative. Dhe së treti, lidhet edhe me daljen pothuaj të përditshme të eksponentëve të opozitës me deklarata që u bëjnë jehonë këtyre lajmeve.

Një mënyrë për t’u adresuar kjo situatë nga ana e qeverisë, është që ajo të kundërpërgjigjet me një fushatë deklaratash shtypi po të përditshme. Por kjo do të na kujtonte skeçin e Portokallisë me duelet e zëdhënëseve të shtypit…

Duke patur parasysh se beteja për perceptimin mbi rendin është beteja e parë kryesore që duhet fituar për rivendosjen e tij, Policia e Shtetit duhet të fokusohet së pari në rritjen e efektivitetit të saj. Sa më shumë të rritet zbulueshmëria e krimeve (sidomos atyre të rënda), si dhe arrestimi i kriminelëve e gjobitja e shkelësve të rregullave të trafikut, aq më të sigurtë do ta ndjejnë veten qytetarët e thjeshtë dhe aq më të pasigurtë do ta ndjejnë veten ata që shkelin ligjet.

Në fakt, sondazhet Barometër24 dhe ai i SACP-it kanë dy lajme të mira për Policinë e Shtetit. Kështu, 61% e të anketuarve në Barometër24 e përkrahnin fushatën e gjobave ndaj shkelësve të rregullave të trafikut. Ndërsa rreth 52% i të anketuarve në sondazhin e SACP-it mendonin se policia kujdeset për problemet e rendit publik në zonën e tyre të banimit. Pra, një rritje e punës së policisë, si në drejtim të trafikut edhe të rendit publik, do ta përmirësonin perceptimin e publikut për situatën e rendit shumë më tepër se sa deklaratat dhe kundërdeklaratat e zëdhënëseve në televizion.

Por pavarësisht kësaj, Ministria e Brendshme bën mirë ta vazhdojë traditën e publikimit të buletinëve mujorë mbi situatën e rendit. Sepse ato nuk duhet të mbeten në mbretërinë e errët të 5-6 specialistëve që merren me studimin e tyre – edhe publiku i gjerë duhet të njihet me shifrat e situatës së rendit dhe të dijë nëse ato tregojnë rritje apo ulje të vdekjeve e plagosjeve të rënda, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here