Home Bota Si u rrëzua Serzh Sargsyan, politikani më i fuqishëm i Armenisë

Si u rrëzua Serzh Sargsyan, politikani më i fuqishëm i Armenisë

2718
0

Për 11 ditë, opozita ushtroi presion kundër Serzh Sargsyan, politikanit më të fuqishëm të Armenisë. Por, pak persona prisnin që ai të largohej aq qetë nga detyra.

Sargsyan, kryeministri i vendit dhe ish-president për një dekadë, dha papritmas dorëheqjen ditën e sotme. Opozita kishte mbushur sheshin kryesor të ish-republikës sovjetike. Dhjetëra mijëra protestues kërkonin largimin e tij.

Duke u përballur me një valë të tillë demonstruesish, duke përfshirë edhe braktisjen e ushtarëve, Sarsyan tha sot: “Unë e kisha gabim”. Kështu shkruhej në një deklaratë në faqen e tij të internetit, dhe ai dha dorëheqjen.

Banorët e kryeqytetit, Jerevan, u derdhën në rrugë për të festuar. “Lëvizja në rrugë është kundër udhëheqjes time. Unë po plotësoj kërkesën tuaj.” – thuhet në deklaratën e Sargsyan.

Qindra ushtarë me uniformë iu bashkuan demonstruesve anti-qeveritarë të hënën, në ditën e 11-të rradhazi të protestave.

Demonstrimet u nxitën nga vendimi i Sargsyan për të marrë postin e kryeministrit pasi shërbeu për më shumë se një dekadë si president i vendit, duke zemëruar partitë opozitare dhe grupet e tjera të protestës.

Demonstratat nisën pasi mandati i tij i dytë si president përfundoi, dhe si kryeministër ai tentoi të ndryshojë kushtetutën, për t’ja kaluar pushtetin ekzekutiv kryeministrit, dhe duke e kthyer presidencën me rol ceremonial.

Rusia, një aktor i fuqishëm rajonal që në të kaluarën është përpjekur të shmangë revolucionet në shtetet fqinje, duket se pranon dorëheqjen e Sargsyan. Kremlini tha se nuk do të përfshihej në politikën e brendshme të vendit.

Para se Sargsyan të jepte dorëheqjen, nën presionin e opozitës, policia liroi Nikol Pashinyan-in, një nga udhëheqësit e protestës dhe deputet i opozitës që ishte arrestuar së bashku me qindra demonstrues të dielën. Deri kur u lirua, asgjë nuk dihej për vendndodhjen e tij.

“Nikol! Nikol!” – thërrisnin protestuesit me flamurë armenianë teksa marshonin në Jerevan.

“Kjo është hera e fundit që do t’ju flas si kryetar i qeverisë. Nikol Pashinyan kishte të drejtë. Unë e kisha gabim.” – tha Sargsyan në një deklaratë të jashtëzakonshme.

Përpjekja e Sargsyan për zyrën e kryeministrit ngjan me kthimin e Vladimir Putinit në presidencë në vitin 2012, pasi kaloi katër vite si kryeministër i Rusisë. Putin u përball me demonstrata, por arriti t’i mbijetonte.

Në Armeni, zemërimi mbi kthimin e Sargsyan mori peshë pasi kundërshtarët politikë u bashkuan me aktivistët civilë, dhe bashkë vazhduan presionin mbi qeverinë.

Në ditën e 10-të të protestës, ata e detyruan Sargsyan të ulet në tryezë negociatash me opozitën në një hotel në Jerevan.

Të hënën, studentët që merrnin pjesë në grevë, duke sfiduar kërcënimet nga policia për të qëndruar larg, bllokuan rrugët në Jerevan, me dhjetëra ushtarë që u bashkuan me demonstruesit. Ushtarët dukeshin të paarmatosur.

Ministria e Mbrojtjes paralajmëroi të hënën se këta ushtarë, të cilët thanë se ishin anëtarë të një njësie paqeruajtëse, do të ndëshkoheshin ashpër për pjesëmarrjen e tyre në protestë.

Pas qindra arrestimeve të dielën, u duk se protesta në Armeni mund të përgjakej. Por, të hënën paradite, Sargsyan duket se u tërhoq. Opozitari Pashinyan u lirua, dhe deklarata e dorëheqjes së Sargsyan erdhi disa orë më vonë.

“Situata që është krijuar ka disa zgjidhje, por unë nuk jam pjesë e asnjërës prej tyre. Do t’a lë postin tim si kryeministër i vendit” – u shpreh Sargsyan. Ishte një pranim faji aq i sinqertë, aq sa dukej i pavend në politikën moderne.

Ministri i Mbrojtjes paralajmëroi se armiku i Armenisë, Azerbajxhani po përfitonte nga trazirat. “Armiku po shikon ngjarjet në vendin tonë. Paqëndrueshmëria brenda vendit tonë i hap një rrugë atyre për të ndërmarrë veprime. Ne duhet të njoftojmë shoqërinë për këtë” – u shpreh Vigen Sarkisian. Ai tha se ushtria mund të përfshihej vetëm nëse shpallej gjendja e jashtëzakonshme, për të cilën shpresonte se nuk do të ndodhte në vijim.

Një ish-oficer ushtarak i zellshëm, Sargsyan u zgjodh për herë të parë si president i vendit të varfër aleat të Moskës në vitin 2008. Ai u rizgjodh në vitin 2013, dhe mandati i tij përfundoi më 9 prill.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here