Home Eduard Zaloshnja Shtojini vetëm 1 cent 3-dollarëshit, Z. Ministër!

Shtojini vetëm 1 cent 3-dollarëshit, Z. Ministër!

703
0

saimir-tahiriBuletini Informativ i Ministrisë së Brendshme për periudhën 17 tetor – 17 nëntor solli një risi – për herë të parë informon publikun për koston e shërbimeve policore. Kështu, në faqen 30 të tij shkruhet se, bazuar në shpenzimet faktike të Policisë së Shtetit gjatë muajit (935,453,937 lekë), rezulton se kostoja mesatare e shërbimeve policore për çdo shtetas shqiptar ka qenë rreth 312 lekë, ose rreth 3 USD.

Është një kosto modeste kjo, por është ende shpejt për të gjykuar se sa efektive ka qenë në uljen e krimeve dhe aksidenteve rrugore, pas ndërrimit të ekipit drejtues të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Dy muaj janë pak (edhe pse shifrat e vrasjeve dhe plagojeve nga krimet e aksidentet ishin në ulje në tetor), për të ditur sesi do të jetë prirja statistikore e tyre në të ardhmen. Sidoqoftë, eksperienca e vendeve të tjera mund të na ndihmojë për të gjetur mënyra për shpenzimin sa më efektiv të parave publike, në funksion të uljes së vdekjeve dhe plagojeve nga krimet dhe aksidentet rrugore.

Kështu, studime të panumurta të institutit ku punoj tregojnë se 1 dollar i shpenzuar për fushata publicitare sensibilizuese për aksidentet rrugore, në shumë vende të botës, ka qenë shumë më efektiv se sa 1 dollar i shpenzuar për fushata shtrënguese (policore-ligjore). Në fund të fundit, nuk mund të nxirret nga një patrullë policore në çdo 100 metra dhe nuk mund të shtohen burgjet pafundësisht.

Fushatat publicitare sensibilizuese për aksidentet rrugore kudo në botë janë përqëndruar kryesisht në tri drejtime: 1 – Pakësimi i kilometrave të përshkuara nga shoferë të dehur; 2 – Shtimi i kilometrave të përshkuara me rripin e sigurisë të lidhur; 3 – Pakësimi i përdorimit të celularit në timon.

Kështu, në SHBA, për shembull, vetëm 1% e të gjithë kilometrave të përshkuara në vitin 2010 janë bërë nga shoferë me nivelin e alkoolit mbi 0.8 gram për litër gjak, ndërkohë që në vitin 1980 kjo shifër ishte 5.2%. Një reduktim i tillë dramatik nga 5.2% në 1%, i atribuohet 71% fushatave publicitare sensibilizuese dhe 29% fushatave shtrënguese policore-ligjore. Efektive kanë qenë sidomos spotet publicitare në televizion të shoqatës MADD (Nënat Kundër Ngarjes së Automjeteve nga Shoferë të Dehur), të cilat kishin në qendër nëna që kishin humbur bijtë apo bijat e tyre në aksidente ku alkooli kishte qenë faktor kryesor.

Aktualisht, në Australi e Kanada, niveli i përdorimit të rripit të sigurisë nga të gjithë shoferët/pasagjerët është përkatësisht 95% dhe 91% e totalit të kilometrave të përshkuara. Ndërsa në SHBA, është në nivelin 83%. Por në vitin 1980, përdorimi i rripit në SHBA ka qenë në nivelin 41%. Ky dyfishim i përdorimit të rripit të sigurisë i atribuohet 78% fushatave publicitare sensibilizuese dhe 22% fushatave shtrënguese policore-ligjore. Të panumërta kanë qenë spotet publicitare në televizionet amerikane, që tregonin shoferë/pasagjerë të palidhur në momente të simuluara aksidentesh tragjikë.

“Një vrasës i pamëshirshëm endet në rrugët tona. Eshtë i kudondodhur. Madje, tamam tani, mund të ndodhet në xhepin tuaj. Quhet telefon celular!” Me këtë tekst fillonte një spot publicitar i Departamentit të Transportit të SHBA-së në vitin 2009, i cili pasqyronte një skenë të tmerrshme aksidenti, ku dikush që dërgonte SMS gjatë kohës që drejtonte automjetin humbi jetën tragjikisht. Këtë spot Departamenti i Transportit të SHBA-së e transmetoi në të gjitha kanalet televizive amerikane, pas një sondazhi natyralistik të universistetit Virginia Tech, nga i cili rezultoi se rreziku për aksident ose pothuaj-aksident rritet 2.8-23.2 herë kur drejtuesi i automjetit përdor celularin për të folur apo për të komunikuar me SMS.

Në fakt, rezultatet e atij sondazhi shërbyen si shtysë për pothuaj të gjitha parlamentet lokale të shteteve të SHBA-së që të sanksiononin në kodet e tyre rrugore ndalimin e përdorimit të celularëve nga drejtuesit e automjeteve. Pra, u ndërthur fushata sensibilizuese me atë shtrënguese, për të parandaluar një “vrasës” që po bënte kërdinë në rrugët e Amerikës.

Ende nuk janë bërë studime për analizimin e efektivitetit të këtyre dy fushatave, por përvoja e fushatave të mëparshme (për alkoolin dhe rripin e sigurisë) tregon se fushatat sensibilizuese do të kenë qenë më efektive se sa ato shtrënguese.

Të dyja llojet e fushatave, si ato sensibilizuese edhe shtrënguese, synojnë të ngacmojnë ndjenjën e frikës tek përdoruesit e automjeteve – te parat frikën nga vdekja dhe te dytat frikën nga gjoba/burgu. Disa njerëz ndikohen nga spotet sensibilizuese e disa, ata më fatalistët (që mendojnë se ç’është e shkruar do të ndodhë), ndikohen nga fushatat shtrënguese policore-ligjore.

Përvoja botërore tregon se fushatat sensibilizuese, me më pak dollarë, ndikojnë tek më shumë njerëz. Bazuar në këtë përvojë, Ministri i Brendshëm bën mirë t’i kërkojë Ministrisë së Financave që në buxhetin e 2014-ës, të shtojë në shpenzimet prej 3 dollarësh të policisë edhe vetëm 1 cent në muaj për frymë, për t’u përdorur në spote publicitare sensibilizuese në lidhje me rripin e sigurisë, celularin, alkoolin etj. Ky cent përkthehet në rreth 30 mijë dollarë në muaj, me të cilat mund të transmetohen reklama në programet më të shikuara televizive…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here