HYRJE Aktualitet Shqipëria fiton me Bjellorusine, e vlefshme për në Euro 2012

Shqipëria fiton me Bjellorusine, e vlefshme për në Euro 2012

0
58

Kombëtarja shqiptare ka triumfuar 1-0 ndaj Bjellorusisë, në një ndeshje që ta quash fantastike është shumë pak. Kuqezinjtë kanë dominuar përgjatë gjithë kohës, kanë krijuar raste pa fund dhe në fund janë shpërblyer me një gol të Hamdi Salihit, që e ka kthyer mbrëmjen e së shtunës në një festë për të gjithë shqiptarët. Shqipëria ka zhvilluar një nga ndeshjet më të bukura të dekadës së fundit dhe në fund rezultati mund të kishte qenë disa herë më i thellë, por fati ka qenë me skuadrën bjelloruse. Ndeshja ka dhuruar emocione deri në çastet e fundit, teksa në fushën e lojës është parë një kombëtare totalisht sulmuese, duke e mbyllur në portë ekipin kundërshtar. Fitorja ka një vlerë të dyfishtë për Shqipërinë, sepse na ngjit në vendin e dytë në grup, por gjithashtu, sepse është marrë ndaj një kundërshtari direkt.

Pjesa e parë ka qenë një spektakël i vërtetë kuqezi. Skuadra e hedhur në fushë nga Josip Kuzhe e ka detyruar Bjellorusinë të mbyllet në zonën e saj. Rastet kanë qenë të shumta. Në minutën e 6-të, Lorik Cana për pak shënon pas një goditje këndi, por një mbrojtës bjellorus largon nga vija fatale me portierin e shtrirë. Në të njëjtin aksion, Bulku godet nga 30 metra dhe portieri Veremko largon me shumë vështirësi. Minuta e 17-të sjell një nga episodet më të diskutueshme të ndeshjes. Skela kroson për Salihin dhe ky i fundit shënon në dy kohë, por për arbitrin suedez Strombergson, shkodrani e ka prekur topin me dorë dhe goli anulohet. Përsëritja tregoi se kjo nuk kishte ndodhur. 3 minuta para fundit të pjesës së parë Lorik Cana ndalet nga traversa pas një goditje dënimi, duke krijuar një iluzion goli. Një minutë më pas, Salihi del i vetëm me Veremkon, por parabola e tij përfundon ngjitur me shtyllën. Në pjesën e dytë, Shqipëria futet në fushë me të njëjtën mënyrë, duke sulmuar vazhdimisht. Pas vetëm 5 minutash, Salihi godet me kokë, por portieri Veremko ka grushtuar në limite. Pas një goditje këndi, është Agolli që godet nga jashtë zonës, por sërish portieri bjellorus ka pritur me këmbë. Ndeshja pati një moment të çuditshëm, kur arbitri e ndërpreu për shkak të një lazeri në fytyrën e portierit kundërshtar. Minuta e 62-të, sjell momentin deciziv të takimit. Cana kroson nga gjysmëfusha e Shqipërisë, Bogdani e ul me kokë drejt zonës dhe mbrojtësi Martinoviç gabon, duke lejuar Salihin të shënojë me një goditje të bukur. Goli çliron kuqezintë, që 11 minuta më pas krijojnë një tjetër rast të artë, pas kombinimeve mes Skelës dhe Salihit. Por, shkodrani nuk shënon pak metra larg portës. Ai e ka bërë këtë në minutën e 76-të, por ishte në pozicion jashtë loje dhe goli u anulua. Bjellorusët ndërkohë nuk rrezikuan asnjëherë seriozisht dhe dalin kokulur nga “Qemal Stafa”. Ndeshja mbyllet me një festë të çmendur të tifozerisë kuqezi, që është parë e gjitha në delir për këtë triumf.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here