Home Sport Shqiperia barazon me Francen, mesazh per Platinine

Shqiperia barazon me Francen, mesazh per Platinine

532
0

Shqipëria e vogël, por me zemrën e madhe ndal Francën në shtëpi në një barazim të merituar me rezultatin 1-1. Kuqezinjtë përballë ‘Gjelave’ të drejtuar nga Deshamp zhvilluan një nga ndeshjet më të mira edhe pse ishte miqësore.

mavraj

Shqipëria kaloi e para në avantazh me mbrojtësin Mërgim Mavraj në fundin e pjesës së parë, por nuk arriti që të mbante rezultatin deri në fund, pasi në minutën e 73 të pjesës së dytë, vendasit barazuan me Griezman. Pas 4 ditësh, Shqipëria udhëton për në Itali, ku do të ndeshjet në Genova me 4 herë kampionët e botës në një tjetër miqësore luksi.

Pjesa e parë
Shqipëria e ka nisur mjaft mirë ndeshjen përballë Francës, teksa ka qenë shumë pranë golit në minutën e 2 me kapitenin Lorik Cana, i cili godit tranversën pas një goditje nga këndi. Franca ka marrë në dorë frenat e lojës duke dominuar në fushë me raste, por rastet për shënim i ka pasur Shqipëria.

Kuqezinjtë nuk i tremb aspak emri i madh i kundërshtarit duke zbritur me kundërsulme të shpejta nga krahët. Në të 14’ Lenjani përfiton nga një gabim i Jallet dhe godet nga larg duke u munduar të befasoje Lloris, por topi përfundon jashtë.
3 minuta më pas kuqezinjtë kanë një tjetër rast të mirë për shënim , Agolli kroson në zonë pas një goditjeje dënimi dhe Mavraj krejtësisht i lirë godet fort, por topi përfundon ngjitur me tranversën.

Ndërkohë që Franca mundohet që të përgjigjet me disa raste për shënim, duke tentuar me Valbuenën, Benzemanë dhe Pogba, por Berisha ka qenë në kohën dhe vendin e duhur duke neutralizuar gjithçka. Në të 29’ vendasit zbresin me një kundërsulm të shpejtë me Valbuenën duke hedhur një top në zonë, por Agolli shpëton portën duke larguar rrezikun.

Në minutën e 40 Shqipëria surprizon duke vendosur heshtjen në stadiumin e Renne. Një skeme e mrekullueshme e kuqezinjve nga goditja e këndit me Memushajn, i cili e nis shkurt në zonë topin për Hysajn, që rrotullohet bukur dhe kroson me të majtën, topi gjen Mavraj, i cili godet saktë me kokë duke ndalur topin në rrjetë.

Pjesa e dytë
Pjesa e dytë nis aty ku përfundoi e para për Shqipërinë, në sulm frontal ndaj një France që kishte vështirësi në pasimin e fundit. Në të 51’ Franca ishte shumë pranë autogolit. Lenjani në krahun e majtë lëshon një predhë në drejtim të portës që u grushtua nga Lloris dhe u përplas në këmbët e Pogba. Lloris arriti ta zotëronte para se të kalonte vijën fatale.

Në të 60’ kuqezinjtë rrezikojnë sërish me Lenjanin, i cili nga krahu i majtë gjuan fuqishëm nga jashtë zone, por Lloris arrin ta zotëronte topin në dy kohë. 5’ minuta më pas Berisha ndalon sulmuesin e Realit pas një tentative jashtë zone. Në të 68’ Shqipëia kishte një rast të artë për të shënuar golin e dytë, teksa Hysaj përballë me portierin francez nuk arrinë që të shënojë.
shqiperia
Atë që nuk e bënë kuqezinjtë, e bën Franca në të 73’ me Antoine Griezmann, i cili driblon disa lojtarë para se të godasë bukur me të majtën duke mposhtur portierin Berisha.

2’ më pas Benzema humb një rast të mirë për të kaluar ‘Gjelat’ në avantazh, pasi nuk përfiton nga një top i mbetur në zonë pasi godet shumë fort dhe shumë lart mbi traversë.

Në minutën e 79 është radha e Pogba për të provuar nga jashtë zone, por topi përfundon mbi kuadrat.

Rama dhe Basha
Ndërsa në përfundim të ndeshjes Rama shkruan se “S’ka gjë, rëndësi ka që ndeshja bëhet mes të barabartësh dhe kjo është shumë për ne, Shqipërinë e vogël që kuqezinjtë e bëjnë të madhe”.

Ndërsa Basha shkruan “Paraqitje e shkëlqyer dhe fitore morale e Kombëtares në Francë. Përpara Shqipe”.

Mesazhi për Platini
Tifozët shqiptarë të pranishëm në stadiumin e Rennes, ku po zhvillohet ndeshja Francë – Shqipëri, ashtu siç kanë paralajmëruar, kanë dalë me një mesazh për UEFA-n.
platini

platinovic

“UEFA i tha po urrejtjes dhe racizmit, faleminderit Platinoviç”, shkruhej në transparentet e tifozëve shqiptarë

Prag ndeshja
Shqipëria zbret në fushë me këtë formacion: Berisha, Hysaj, Agolli, Mavraj, Cana, Lila, Kukeli, Memushaj, Abrashi, Lenjani dhe Cikalleshi.
Franca e drejtuar nga legjenda Deshmap ka përzgjedhur për formacionin e parë: Lorris, Jallet, Digne, Varane, Mbiva, Pogba, Cabaye, Sissoko, Valbuena, Benzema, Lacazette.
Lorik Cana ka hyrë në historinë e futbollit të Shqipërisë. Kosovari është bërë lojtari me më së shumti paraqitje në histori të Kombëtares shqiptare, 80 ndeshje.
Pas 4 ditësh kuqezinjtë do të udhëtojë për në Genova për t’u përballur me Italinë. Miqësoret e luksit për ekipin kombëtar të futbollit janë një mundësi mjaft e mirë për lojtarët e kombëtares për t’u afirmuar.

Të pranishëm në stadium për të ndjekur ndeshjen miqësore ndodhen një numër i madh shqiptarësh që kanë udhëtuar nga vende të tjera të botës, por edhe që ndodhen në Francë.

Përgatitjet
Në mungesë të disa prej lojtarëve kryesorë si Meha apo edhe Gashi, De Biasi do të zbresë në fushë edhe me elementë të rinj. Synimi kryesor sipas italianit do të jetë që të mos pësojnë shumë gola dhe të marrë një rezultat pozitiv dhe pse jo, fitoren deklaronte tekniku në konferencën e fundit në Durrës.

Megjithatë përballë Francës do të jetë shumë e vështirë që të pretendohet një rezultat pozitiv, pasi është një nga ekipet më të mira të momentit dhe ndoshta ka në përbërje disa nga futbollistët më të mirë në historinë e “Gjelave”.

Shqipëria ka zhvilluar plot 5 ndeshje përballë Francës, teksa ka humbur 4 me një golavarazh 11 të pësuar dhe 1 gol të shënuar. Përpara nisjes për të zhvilluar dy ndeshjet miqësore me Francën dhe me Italinë, Edi Rama është takuar me Kombëtaren shqiptare në Durrës.

Lajmi bëhet i ditur nga shefi i qeverisë, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, ka uruar futbollistët kuqezi dhe trajnerin italian Gianni De Biazi, duke theksuar se pavarësisht se këto janë ndeshje miqësore, kombëtarja ka shumë për të mësuar “Kafe ne Durrës me De Biazin&Çunat e Kombetares qe sa u nisen per ne France – u prifte e mbara neser nje miqesore ku ka shume per te mesuar” shkruan kryeministri Rama.

Ndërsa trajneri De Biasi vlerëson maksimalisht kundërshtarin kur shprehet për mediat franceze se do të falem tre herë në kishë përpara se të fillojë ndeshja në mënyrë që të mos pësojmë shumë gola. Në krahun tjetër trajneri Deshamp rithekson se Shqipëria ka një grup të fortë me një mbrojtje solide që ka pësuar shumë pak gola, teksa ka mundur edhe Portugalinë.

Ndërsa mbrojtësi francez, Raphael Varane në prag të ndeshjes me Shqipërinë shprehet se “miqësoren e kemi vlerësuar maksimalisht, pasi kërkojmë fitoren me cdo kusht përballë Shqipërisë. Kemi një grup shumë të mirë dhe po punojmë fort që të realizojmë një paraqitje pozitive në kampionatin Europian që do të zhvillohet në shtëpinë tonë më 2016” shprehet ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here