Home Aktualitet Semafori te Harry Fultz, konfliktohet policia bashkiake me ate te rendit

Semafori te Harry Fultz, konfliktohet policia bashkiake me ate te rendit

510
0

trotuarPolicia e Tiranës ka bllokuar në mënyrë arbitrare ndërtimin e një nyje semaforike, e cila do të garantojë më shumë siguri rrugore për nxënësit e shkollës ‘Harry Fultz’ në kryeqytet.

Në statistikat e aksidenteve automobilistike për kryeqytetin rruga ‘Asim Vokshi’, pranë shkollës ‘Harry Fultz’ në kryeqytet është evidentuar si njollë e zezë, për shkak të numrit të lartë të aksidenteve, ku automjetet kanë përplasur këmbësorë apo nxënës të kësaj shkolle.

Për këtë arsye dhe për shkak të ankesave të shumta të mbërritura në dyert e Bashkisë së Tiranës është vendosur ndërtimi i një nyje semaforike, por për habi të të gjithëve, policia e Tiranës dhe komisariati nr.3 në mënyrë arbitrare kanë penguar dhe bllokuar punimet e kësaj nyje semaforike, si dhe kanë shoqëruar në komisariat 5 punëtorë të bashkisë.

PËRPLASJE POLICI-BASHKI
Bashkia e Tiranës reagon sërish me forcë ndaj qëndrimeve të policisë së kryeqytetit që ndaloi 5 punonjës bashkiakë mëngjesin e së mërkurës. Përballë pretendimit të policies, se bashkia nuk ka vënë në dispozicion lejen e KRRT për zhvillimet në infrastrukturë dhe nuk ka njoftuar INUK, bashkia kundërpërgjigjet se reagimi i turpshëm i policisë së shtetit, tregon edhe njëherë se shteti ligjor është rrënuar në Shqipëri. Bashkia shprehet se ndërhyrja për nyjen semaforike është me dosje teknike të plotë dhe të gjitha dokumentat ligjorë janë paraqitur në polici.

Në përgjigje të policies, që pretendon se punimet janë bërë në një distancë rreth 35 metra në trotuar, ku janë hequr pemët, pllakat e trotuarit, bordurat e betonit, duke mos zbatuar rregullat e sigurimit teknik gjatë punimeve, Bashkia i mëshon fort faktit se nuk është aspak detyrë e policisë të kontrollojë dokumentacionin teknik ndërtimor dhe gjithashtu nuk është aspak detyrë e policisë të kontrollojë kushtet e sigurimit teknik në punë.

Policia e Tiranës në dosjen e përpiluar prej saj akuzon 5 punonjësit e Bashkisë për Shkatërrim të rrugëve” dhe “Prerje të drurëve dekorative dhe frutorë” , ndërsa dy drejtorët e Planifikimit dhe Menaxhimit të Shërbimeve, Fatmir Nezaj dhe Bujar Elezi i akuzon për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Në përmbyllje të deklaratës së saj institucioni i pushtetit vendor akuzon se policia e politizuar po përdor cdo pretekst për të penalizuar Bashkinë e Tiranës ashtu, sic u keqpërdor INUK për bllokimin e bulevardit të Tiranës.

POLICIA
Në një reagim të sajin policia e kryeqytetit, sqaron se ndalimi i 5 punonjësve të Bashkisë është bërë për të verifikuar lejen që ata pretendonin se kishin. Sipas policisë ata jo vetëm që nuk kishin lejen e posaçme por kanë shkatërruar trotuarin e rrugës si dhe kanë prerë pa leje drurët dekorues. Më tej sqarohet se janë vënë nën akuzë 5 punonjës të Bashkisë dhe 2 drejtorë.

“Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, sqaron opinionin publik, se ka nisur verifikimet dhe hetimet mbi pesë punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët kanë filluar punimet në ndërtimin dhe zhvendosjen e një semafori në rrugën “Asim Vokshi” në Tiranë duke prerë pemët, dëmtuar trotuarin dhe ndërhyrje të tjera në këtë rrugë. Policia e Tiranës ka bllokuar punimet dhe shoqëruar pesë punonjësit e Bashkisë Tiranë për të vijuar me verifikimin e dokumentacionit dhe lejes përkatëse për kryerjen e këtyre punimeve. Nga verifikimet paraprake është vënë në dispozicion shkresa me nr.Prot 8593 datë 11.06.2014, e cila është një urdhër pune i brendshëm i miratuar nga Drejtori i Planifikimit dhe Menaxhimit të Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës. Me qëllim sqarimin e mëtejshëm të rrethanave dhe dokumentacionit për kryerjen e këtyre punimeve, me shkresë urgjente me Nr.Prot 5177, i është kërkuar Bashkisë së Tiranes informacion mbi punimet e infrastrukturës në rrugën “Asim Vokshi” Tiranë, ku aktualisht ende nuk disponojmë një leje për zhvillimin e ndryshimeve të infrastrukturës në këtë segment rrugor”, thuhet në reagimin e policisë.

Policia sqaron se, “Për të realizuar këto punime, duhet paraprakisht një leje zhvillimi e infrastrukturës, mbi projektin e transportit multimodal, leje e cila miratohet nga Këshilli i Rregullimit të Territorit dhe Kryetari i Bashkisë”.

Më tej policia shton se, “Sqarojmë se, punimet kanë vijuar edhe pa vendosjen në dijeni të INUK, ku në një distancë rreth 35 metra në trotuar, janë hequr pemët, pllakat e trotuarit, bordurat e betonit, duke mos zbatuar rregullat e sigurimit teknik gjatë punimeve. Aktualisht nga Komisariati i Policisë Nr.3 Tiranë, po kryhen verifikimet duke referuar materialin hetimor, për 5 – punonjësit e Bashkisë për veprën penale të “Shkatërrim i rrugëve” dhe “Prerja e drurëve dekorative dhe frutorë”, parashikuar nga nenet 155 dhe 206 të Kodit Penal, ndërkohë materiali do të referohet edhe për shtetasit Fatmir Nezaj dhe Bujar Elezi, respektivisht me detyrë Drejtor të Planifikimit dhe Menaxhimit të Shërbimeve, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”.

BOZDO
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar sot edhe nënkryetari i Bashkisë, Eno Bozdo i cili e vuri guishtin drejtpërdrejt tek kryeministrit Rama, si përgjegjës për këtë situatë. Spas Bozdos, policia ka arrestuar punonjësit e bashkisë me urdhër të Ramës, pasi vendi ku do ngrihej nyeja semaforike, e cili do iu shërbente qytetarëve, prishte interesat e një biznesmeni, që është mik i ngushtë i Ramës.

“Një akt shumë i rëndë ka ndodhur sot: pesë punonjës të Bashkisë së Tiranës janë rrëmbyer sot nga policia e Tiranës dhe mbahen ende në mënyrë të jashtëligjshme dhe kundër çdo norme të shtetit ligjor, në qelitë e komisariatit nr. 3. Punëtorët e drejtorisë së përgjithshme nr. 2 të punëtorëve të qytetit ishin përgatitur për të filluar punën për ndërtimin e një nyeje të re semaforike në një zonë të Tiranës, si kërkesë e vetë banorëve të zonës. Pikërisht për të mos lejuar këtë investim, sepse binte ndesh me interesat personale të një individi, biznesmen i kësaj zone, policia ka rrëmbyer pa asnjë tagër ligjor dhe në thyerje flagrante të të drejtave të njeriut, punonjësit e Bashkisë së Tiranës”, tha Bozdo.

Sipas tij, “Individi në fjalë, për të cilin do të bëjmë shumë shpejt të ditur një dosje të plotë me aktivitetin e tij, sipas të dhënave që vijnë në mënyrë konfidenciale nga vete policia e Tiranës i ka telefonuar kryeministrit dhe ky i fundit, për të mos i prishur qejfin mikut të tij, ka urdhëruar personalisht strukturat drejtuese të komisariatit nr 3, që të ndërhyjnë dhe të marrin peng punonjësit e Bashkisë.Kjo ndodhi, e denjë vetëm për një vend totalitar tregon shumë se si ka pushuar së ekzistuari shteti ligjor në Shqipëri, se si interesat klienteliste dhe lidhjet e shkurtra me Edi Ramën mundësojnë që njerëz të lirë dhe në punën e tyre, të rrëmbehen dhe të mbahen në qeli pa asnjë shkak, në shkelje të plotë të të drejtave të njeriut”, tha ai.

Më tej Bozdo i bëri apel policisë, kryeprokurorit por edhe përfaqësive të huaja diplomatike në Tiranë, të reagojnë me forcë ndaj këtij akti, që sic tha ai është i denjë për një regjim totalitar.

“I kujtojmë drejtorit të policisë Tiranë, drejtuesve të komisariatit nr.3 se rrëmbimi i personit përbën një vepër të rëndë penale dhe se kushdo që është i përfshirë në këtë çështje do të paditet penalisht.
I bëjmë thirrje prokurorit të përgjithshëm z. Adriatik Llalla të ndërhyjë sa më parë me forcën e ligjit dhe të vërë përpara përgjegjësisë së plotë ata që janë fajtorë, të urdhëruar dhe urdhërues të kësaj ngjarje shumë të rëndë. I bëjmë thirrje përfaqësive të huaja diplomatike në Tiranë, ambasadës së SHBA, ambasadës së BE, OSBE, shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të regjistrojnë këtë akt të paprecedentë dhe të reagojnë me forcë ndaj këtij regjimi totalitar që po vendoset në Shqipëri”.

BASHKIA
Sipas Bashkisë, policia po bllokon ndërtimin e semaforëve dhe pranë shkollavë të tjera. Drejtoresha e Transportit dhe Lëvizshmërisë Nereida Hoxha e ndodhur pranë shkollës “Harry Fultz” tha se Policisë së Shtetit i janë dërguar të gjitha shkresat që janë hartuar nga Bashkia e Tiranës në lidhje me ndërtimin e kësaj nyeje semaforike, ndërsa i bëri thirrje policisë të mos pengojë këtë projekt që i shërben nxënësve e qytetarëve.

“Jemi këtu sot, jo për të inauguruar ndonjë fillim punimesh apo mbarimin e punimeve por për të bërë një deklaratë lidhur me pezullimin dhe pengimin e punimeve nga Policia e Shtetit. Bashkia e Tiranës, si enti pronar i rrugës, në kuadër të përmirësimit të vazhdueshëm të qarkullimit e sigurisë rrugore në qytetin e Tiranës ka vendosur të shtojë një tjetër nyje semaforike në këtë qytet. Kjo nyje vjen për disa arsye por ajo kryesore është rritja e sigurisë rrugore si për nxënësit e shkollës “Harry Fultz”, duke qenë se jemi edhe në prag të fillimit të shkollës por gjithashtu edhe për udhëtarët që udhëtojnë me autobusët e linjave urbane, pasi stacioni i autobusit është shumë pranë. Nga ana tjetër, kjo nyje shërben edhe për të lehtësuar trafikun, si për banorët e zonës por ashtu edhe për të gjithë qytetarët që vijnë e shërbehen në institucionet që janë në zonën, në krahun verior të Unazës së qytetit. Ky veprim i Policisë është i përsëritur pasi edhe në kuadër të projektit multimodal me të cilin përmirësoheshin disa nyje të qytetit, përsëri Policia në zonën e Kombinatit i ka pezulluar punimet duke thirrur në rajon për sqarime të mëtejshme edhe punonjësit e Bashkisë së Tiranës. Me këtë deklaratë, i bëjmë thirrje Policisë që të mos pengojë punën e Bashkisë së Tiranës e cila ka vetëm një qëllim, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe lehtësimin e vazhdueshëm të trafikut në qytetin e Tiranës. Policisë së Shtetit i janë dërguar të gjitha shkresat që janë hartuar nga Bashkia e Tiranës, me punonjësit e Ndërmarrjes nr.2 por nuk kemi asnjë komunikim zyrtar që të shpjegojë situatën e krijuar”, tha drejtoresha e Transportit dhe Lëvizshmërisë Nereida Hoxha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here