Home Politike Sarande: Berisha fton Ramen per te votuar ligjin per gjykaten administrative

Sarande: Berisha fton Ramen per te votuar ligjin per gjykaten administrative

563
0

Nga Saranda kryeministri Berisha i ka bërë thirrje kreut të PS-së Edi Rama për të votuar ligjin për Gjykatën Administrative. Ndërsa ndodhej në Lukovë, të Sarandës, kryeministri Berisha tha se kreu socialist duhet të ndryshojë logjikën dhe të mos bojkotojë më votimin e ligjeve në Parlament, sipas tij për shkak të 20 përqindëshit.

Rama, tha Berisha duhet të përballet me ndryshimet e vendit.

Gjatë kësaj vizite kryeministri Berisha e cilësoi si një fitore të madhe votimin e projek/rezolutës për heqjen e regjimit të vizave.
Kryeministri Sali Berisha ftoi kreun e Partisë Socialiste Edi Rama që të votojë ligjin për Gjykatën Administrative.

****
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri dje të ditur se opozita nuk do ta japë votën për projektligjin aktual të Gjykatës Administrative, pa u marrë parasysh sugjerimet për ngritjen e saj, si dhe pa u pranuar hetimi i zgjedhjeve të fundit. Ndërsa shprehu keqardhjen për faktin se nuk e votuan këtë ligj, Rama theksoi se 1/3 e këtij drafti është kontestuar nga partnerët ndërkombëtarë. Në komunikimin e përjavshëm me mediat, kryesocialisti nënvizoi se nuk janë aspak të predispozuar që t’i japim Sali Berishës një tjetër gjykatë që ai të bëjë çfarëdo që të dojë. “Jemi gjithashtu shumë të keqardhur për faktin se e patëm të pamundur të japim pëlqimin tonë në kushtet kur dihet publikisht qëndrimi ynë, që është tërësisht parimor lidhur me Parlamentin dhe kur nga ana tjetër bëhet fjalë për një draft, i cili nga vetë partnerët është kontestuar në 1/3 e tij, e për më tepër në një Shqipëri, ku, pavarësisht asaj që ligjërohet, ajo që i jetësohet shpesh herë ngjan krejt e ndryshme”, – deklaroi Rama. Nga ana tjetër, ai theksoi se janë të gatshëm të japin kontributin e tyre për t’i çuar të gjitha gjërat përpara, duke zhbllokuar Parlamentin përmes hapjes së procesit të transparencës dhe duke kontribuar energjikisht për transformimin e këtij drafti kaq problematik, në një draft të gjithëpranuar.
Kryetari i socialistëve e cilësoi si një alibi deklaratën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për votimin e ligjit për heqjen e imunitetit të deputetëve. “Kjo është një alibi, ja ku jam unë, s’kam imunitet. Janë afro 40 kallëzime dhe padi të bëra në prokurori dhe gjykatë për të gjitha akuzat që më janë bërë. Përmes këtyre padive dhe kallëzimeve i kam sfiduar të gjithë akuzuesit të shkojnë dhe t’i provojnë akuzat e tyre në prokurori ose në gjykatë. Deri më sot nuk ka asgjë të tillë dhe më lejoni të shtoj se këtu nuk bëhet fjalë për akuza të ndërsjella”, – deklaroi Rama. Sipas tij, këtu bëhet fjalë nga njëra anë për prova dhe fakte që tregojnë përfshirjen e plotë të këshillit të ministrave në një veprimtari të mirëfilltë korruptive dhe nga ana tjetër baltë shpifjesh e fyerjesh që vazhdon intensivisht pikërisht për t’ju thënë shqiptarëve që këtu të gjithë janë njësoj.
I pyetur mbi deklaratën e Metës se është duke negociuar për të plotësuar numrin 84 vota për të kaluar ligjin e Gjykatës Administrative, lideri i opozitës deklaroi se në rast “që Ilir Meta nuk mban përgjegjësi me atë që thotë, gjë që e ka provuar vijimësisht, nuk kam kohë për të humbur me komentet e komenteve të tij”. Për sa i përket largimit të deputetit Vangjel Tavo, Rama tha se deputeti në fjalë ka pasur një qëndrim të shprehur për muaj me radhë për mosfunksionim e duhur, sipas tij, të partisë në rrethin e Gjirokastrës. “Unë nuk dëshiroj të bëj asnjë koment për këtë deklaratë largimi, sepse më parë jam shumë i dëshiruar të kem një mundësi për të sqaruar tërësinë e kësaj problematike, me vullnetin për t’i dhënë asaj zgjidhjen e dëshiruar”, – u shpreh kreu i Partisë Socialiste. I pyetur mbi protestat që do të nisin javën e tretë të tetorit, Rama tha se largimi i qeverisë është alternativa e mirëqeverisjes. Për opozitën, është përditë e më e qartë se Shqipërisë i duhet një kapitull i ri, me një qeveri të re dhe një model të ri qeverisës, gjë për të cilën ne do të bëjmë gjithçka është e mundur dhe do të përpiqemi me të gjitha forcat.
Media e huaj: Rikthehen protestat në Shqipëri
‘Tashmë është bërë e zakonshme në Shqipëri që çdo ditë maxhoranca dhe opozita të shkëmbejnë akuza të shumta ku në qendër janë aferat korruptive të kundërshtarëve, veçanërisht në botën e biznesit. Në konferencat për shtyp të dyja palët përmendin emra dhe sjellin argumenta që synojnë të bindin opinionin shqiptar se kundërshtarët, duke përdorur influencat politike, kanë ngritur dhe menaxhojnë biznese të fuqishme në sektorë të ndryshëm të ekonomisë – shkruan BBC lidhur me situaten politike ne Shqiperi
Reagimi i opinionit
Një situatë e tillë ka bërë që në opinionin shqiptar të krijohet ideja se pas çdo biznesi qëndron një politikan, apo çdo politikan mbështet një biznes.
Një qytetar i Tiranës i kontaktuar me telefon nga BBC, mendon se këto janë lidhje të qëllimshme. “Është atraktive për bizneset që të kenë nga pas një politikan, pasi e kanë më të lehtë edhe në marrëdhënie më ligjin” thotë ai.
Ndërsa një bashkëqytetar i tij e konsideron lidhjen politikë-biznes si “një binom të pandashëm”. “Nëse unë jam politikan dhe një i afërmi im merret me biznes, do të thotë që unë merrem me biznes”, shton ai.
Por duke parë këto lidhje të politikës me biznesin, mjaft qytetarë shtrojnë pyetjen se si politikanët shqiptarë dhe njerëzit e tyre janë bërë kaq të pasur? “Ku i kanë gjetur paratë?” pyet një qytetare e Tiranës.
Qytetarët i trishton më shumë është ajo që ata e quajnë “arrogancë e njerëzve të politikës” që mbështësin apo mbështeten nga bizneset. “Ndonëse u përmenden emrat, ata nuk duan t’ia dinë, madje pas kësaj dalin më të fortë”, thotë një i ri.
Pas datës 15 tetor do të organizohen manifestime e protesta në qytete periferike, për të arritur më pas në Tiranë.
Dialogu mes qeverisë dhe opozitës mund të konsiderohet inekzistent.
Komunikimi sporadik disamujor mes kryetarëve të grupeve parlamentare të PD, Astrit Patozi, dhe PS, Gramoz Ruci, duket i dështuar.
Komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e kaluara nuk është ngritur për shkak të mospajtimeve të panumërta mes paleve, ndonëse secila prej tyre thotë se kjo çështje është pikënisja e zgjidhjes së ngërçit politik.
Për rjedhojë nuk ka nisur hetimi i zgjedhjeve ashtu si kanë sugjeruar posaçërisht për Shqipërinë Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës disa muaj më parë.
Klima politike është acaruar edhe më shumë për shkak të fushatës së përndezur me akuza e sulme tejet të guximshme për afera korruptive.
Disa figura politike të shumicës janë vënë në pozitë të vështirë për shkak të aludimeve të forta nga ana e opozitës.
Me të njëjtën armë është përgjigjur edhe shumica, sidomos në adresë të kryetarit të PS Edi Rama.
Në këtë kontekst opozita po ndërmerr një fushatë të re protestash në rrugë, siç paralajmerojnë udhëheqësit e saj, të ngjashme me ato të pranverës së këtij viti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here