HYRJE Eduard Zaloshnja Rrotacionet në Dogana

Rrotacionet në Dogana

0
128

eduard-zaloshnjaDuke filluar nga viti 1992, Doganat shqiptare kanë mbledhur rreth 2/3 e të ardhurave fiskale (të ardhurave nga taksat e tatimet e ndryshme). Gjithashtu, qysh prej atij viti, ato janë perceptuar si një nga institucionet më të korruptuar, nga rrjeta e shpuar e të cilit ka rrjedhur me shumicë kontrabanda dhe evazioni fiskal. Për këto dy arsye, sa herë ka patur rrotacion pushteti ekzekutiv në Shqipëri, vëmendja e opinionit publik është drejtuar nga performance e Doganave nën qeverisjen e re, për të parë se sa seriozisht e ka ajo luftën kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal, për rritjen e të ardhurave të shtetit.

Dhe në fakt, të tre rrotacionet e pushtetit ekzekutiv në dy dekadat e fundit, të shoqëruara edhe me rrotacione në ekipin drejtues të Doganave, nuk i kanë zhgënjyer pritmëritë e publikut. Kështu, pas rrotacionit të vitit 1997, brenda 12 muajve, të ardhurat nga Doganat u rritën 15.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë rritja e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) ishte rreth 6% në ato 12 muaj. (Krahasimi me rritjen e PBB-së bëhet sepse me rritjen e saj rriten edhe të ardhurat Doganore — kur rritja e të ardhurave Doganore është më e madhe se rritja e PBB-së, kemi të bëjmë me pakësim të evazionit fiskal dhe/ose rritje të taksave e tatimeve që mblidhen nga Doganat).

Pas 8 vjetësh, në vitin 2005, u vërjet i njëjti fenomen. Ekipi drejtues i Doganave u ndryshua dhe brenda 12 muajve, të ardhurat nga Doganat u rritën 14.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë rritja e PBB-së ishte rreth 5.7% në ato 12 muaj. Më pas, rritja e të ardhurave nga Doganat thjesht ndoqi rritjen e PBB-së nga viti në vit.

Edhe rrotacioni i fundit në ekipin drejtues të Doganave, ai i bërë në 1 tetor 2013, nuk zhgënjeu. Të ardhurat nga Doganat, brenda 12 muajve, u rritën 14.2% (rreth 190 milionë dollarë), krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë rritja e PBB-së, sipas vlerësimit të FMN-së ka qenë rreth 2.1% në këto 12 muaj.

Akcizat kanë patur rritjen më të madhe gjatë këtij viti, si në vlerën e të ardhurave (27% më shumë) edhe në sasitë fizike (ton kafe, 20% më shumë; litra karburant, 13% më shumë; ton cigare, 4% më shumë). Ndërsa TVSH-ja, e cila përbën rreth treçerekun e të ardhurave nga Doganat, u rrit 11.6% në 12 muajt e fundit.

Ecuria e të ardhurave nga Doganat në dy dekadat e fundit na lë të kuptojmë se rritja në vitet e ardhshme thjesht do të ndjekë rritjen e PBB-së (rreth 3-4% në vit), pasi efekti i uljes së evazionit fiskal dhe kontrabandës është ezauruar gjatë vitit të parë të rrotacionit. Këtë ecuri dydekadëshe të të ardhurave nga Doganat mund ta përfytyrojmë si një shkallare, ku çdo shkallë është e lartë sa rritja vjetore e PBB-së. Në vitet e rrotacionit, Doganat ngjisin 2-3 shkallë brenda një viti, ndërsa pastaj vazhdojnë ngjitjen e shkallëve një nga një.

Por a ka gjasa për një ngjitje 2-3 shkallëshe pas një rrotacioni të ardhshëm? Një gjë e tillë ka më tepër gjasë të vijë nga një rritje e mundshme e shkalles se taksimit, se sa nga pakësimi i evazionit fiskal dhe kontrabandës ne Dogana. Sepse keto te fundit janë goxha të ulura nga tre rrotacionet paraardhëse…

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here