Home Sociale Rritja e moshës së pensionit prek 45 mijë të moshuar

Rritja e moshës së pensionit prek 45 mijë të moshuar

604
0

Nëse reforma në pensione do realizohet ashtu siç është paralajmëruar së fundmi nga kryeministri Berisha duke rritur moshën e përfitimit me pesë vjet, ajo pritet të jetë një ndër reformat që prek të ardhurat e shumë qytetarëve njëherësh. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, për çdo vit, në Shqipëri futen në skemën e pensioneve rreth 20 mijë persona, nga këta rreth 15 mijë janë pensione pleqërie dhe pjesa tjetër pensione të tjera, siç janë ato të invaliditetit, familjar, etj. E thënë ndryshe, nëse ndryshimet ligjore hyjnë në fuqi deri në fund të vitit, do të jenë rreth 15 mijë të moshuar që kanë përgatitur apo dorëzuar dokumentet për pension, të cilët nuk do ta marrin atë. Këta të fundit do të duhet të presin të paktën edhe tre vite të tjera për të përfituar pensionin e pleqërisë. Kryeministri Berisha theksoi se mosha pritet të rritet të paktën me tre vjet, ç’ka me anë të një përllogaritje të thjeshtë të nxjerr në përfundimin se numri i të moshuarve që do të preken nga rritja e moshës së pensionit do të jetë rreth 45 mijë.

Sigurisht që një nismë e tillë do të japë ndikim në shpenzimet e skemës, qëllimi kryesor i ndërmarrjes së saj. Sipas këtyre përllogaritjeve, me rritjen e moshës së pensionit të paktën me tre vjet, qeveria parashikon të shkurtojë shpenzimet vjetore të skemës me rreth 10 për qind. Nëse aktualisht, e gjithë skema e pensioneve i kushton rreth 80 miliardë lekë në vit (subvencione nga buxheti dhe të ardhura nga kontributet), shuma që parashikohet të kursehet në një vit është përafërsisht 5 miliardë lekë.

Nisma për rritjen e moshës së pensionit nuk është e re në Shqipëri. Disa vite më parë është ngritur një grup pune me përfaqësues të partive politike dhe specialist për hartimin e reformave në këtë sektor, të cilat nuk dolën në një konkluzion përfundimtar për shkaqe të ndryshme.

Kryeministri Berisha paralajmëroi dy ditë më parë rritjen e moshës së pensionit me tre vjet si për burrat ashtu edhe për gratë. Në këto kushte, nëse aktualisht një grua del në pension në moshën 60 vjeçe ajo do të dalë në 65 vjeç, ndërsa burri nga 65 që është aktualisht do të mund të përfitojë pension pleqërie vetëm pasi të ketë mbushur 70 vjeç. Ka disa lloje pensionesh që përfitohen në këto raste, por për të marrë pensionin e plotë të pleqërisë, si gratë ashtu edhe burrat duhet të kenë të paktën 35 vjet sigurime. Por rritja e moshës së daljes në pension do të rrisë edhe numrin e viteve të detyrueshme me sigurime për të marrë pension.

Paralajmërimi i kryeministrit dy ditë më parë mund të lexohet edhe si një testim i reagimit të publikut para ndërmarrjes së kësaj reforme, por kurrsesi nuk vjen në një rrethanë të pastudiuar. Deklarata bëhet pikërisht në ditën kur opozita hyn në Kuvend, duke i bërë thirrje asaj për pjesëmarrjen në këtë sipërmarrje si edhe në periudhën kur të ardhurat në buxhet kanë një rritje të moderuar dhe buxheti i shtetit nuk mund të vazhdojë pambarimisht të financojë deficitin e skemës me para të taksapaguesve. Aq më tepër që përfaqësues të lartë të Bankës Botërore në Shqipëri kanë dhënë alarmin për falimentimin e skemës duke i kërkuar qeverisë që të ndërmarrë reforma në këtë drejtim.

 

Përse qeveria do të rrisë moshën e pensionit

Nisma e qeverisë për reformimin e skemës së pensioneve vjen në një kohë kur subvencionet e buxhetit të shtetit ndaj saj kanë arritur në shifra maksimale. FMN kishte kërkuar rritjen e kontributit për Sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore duke rritur të ardhurat në buxhet, por qeveria duket se mendon ndryshe. Reforma do të merret në kahun tjetër, atë të rritjes së moshës së daljes në pension duke ulur në këtë mënyrë shpenzimet e buxhetit të skemës.

Megjithatë, referuar buxhetit të këtij viti, qeveria pritet të rrisë edhe më tepër subvencionet duke siguruar vijueshmërinë e skemës, e cila pa ndihmën e parave nga buxheti i shtetit është thuajse e falimentuar. Kontributet që derdhen nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet vjetore të saj duke detyruar kështu qeveritë që në çdo vit kur bëhet hartimi i buxhetit të ndajnë edhe një shumë të posaçme për të mbuluar deficitin e skemës. E njëjta gjë po ndodh edhe këtë vit. Skema e Sigurimeve Shoqërore pritet të mos mbulojë në një masë të madhe shpenzimet e saj duke detyruar qeverinë që të rrisë edhe më tepër subvencionet. Madje, mosrealizimi i të ardhurave pritet të jetë më i madh nga sa ishte parashikuar në fillim të vitit. Nisur nga kjo, gjatë rregullimeve në buxhet një muaj e gjysmë më parë, ekzekutivi uli edhe me 1.2 miliardë lekë pritshmërinë për realizimin e të ardhurave nga Sigurimet Shoqërore, duke i zbritur ato nga 51.2 miliardë lekë që ishte parashikuar në fillim të vitit në 50 miliardë lekë.

Parashikohet që deri në fund të vitit, shteti shqiptar të shpenzojë rreth 79.8 miliardë lekë për pensionet, nga të cilat 50 miliardë lekë arrihet të mblidhen nga derdhja e kontributeve. E gjithë diferenca prej 29.8 miliardë lekë do të transferohet nga buxheti.

 

 

Si të përfitoni pensione alternative

Përpos pensionit të pleqërisë, i cili sigurohet pasi mbushet mosha e daljes në pension dhe me minimumi 35 vite të siguruara, ligji njeh të paktën edhe dy lloje pensionesh të tjera, të cilat mund të përfitohen pa i plotësuar këto dy detyrime bazë. I pari është pensioni i pjesshëm i pleqërisë dhe i dyti pensioni i reduktuar i pleqërisë, të cilët mund të përfitohen duke përmbushur disa kushte specifike të parashikuara në ligj dhe udhëzime.

Sipas ligjit “Për Sigurimet Shoqërore” pension të pjesshëm pleqërie përfitojnë të gjithë ata që kanë mbushur moshën e daljes në pension duke përfituar pension të plotë, por qe nuk mund ta marrin atë për shkak të viteve të pamjaftueshme të punës. Ky lloj pensioni vlen për të gjithë ata që kanë minimalisht 15 dhe maksimumi 35 vite pune. Aktualisht, mosha limit e përfitimit për gratë është 60 vjeç dhe për burrat është 65 vjeç. Në këto kushte, qytetari aplikon për pension të pjesshëm pleqërie duke përfituar vërtetë pension të plotë, por merr për aq vite sa ka derdhur kontribute. Masa e pensionit të pjesshëm të pleqërisë caktohet si pjesë e pensionit të plotë të pleqërisë dhe llogaritet duke shumëzuar shumën e pensionit të plotë me kohën e periudhës së sigurimit. Shuma e dalë pjestohet me 35 vjet, e cila është periudha e sigurimit minimale për të përfituar pension të plotë.

Pensioni i reduktuar i pleqërisë nga ana tjetër funksionin sipas një logjike tjetër. Kushti themelor është që qytetari të ketë mbushur minimumi 35 vite punë. Mosha kur lind e drejta për të përfituar është 62 vjeç për burrat dhe 57 vjeç për gratë. Të gjithë ata që përmbushin këto kushte, mund të aplikojnë për pension të reduktuar pleqërie. Marrja para kohe e tij ka sigurisht edhe kosto. Sipas ligjit, pensioni i plotë i pleqërisë reduktohet me 0.6 për qind për çdo muaj të dalë në pension para afatit të moshës të përcaktuar në ligj. E thënë ndryshe, nëse një burrë kërkon të dalë në pension në moshën 62 vjeç, shuma që ai përfiton do të jetë sa 78.4 për qind e pensionit të plotë. Pra, nëse pensioni i plotë i qytetit është aktualisht 11 117 lekë, shuma që merr ky qytetar është 8 715 lekë. Sipas ligjit, nëse një person kërkon të marrë pension të reduktuar, ai do të mbetet në fuqi deri në fund. Pra, në çdo rast, një burrë apo një grua e dalë në pension të reduktuar do të marrë sa 78.4 për qind e pensionit të plotë. Në fakt, ky lloj pensioni është bërë posaçërisht për të lejuar përfitimin e të moshuarve para se të ndërrojnë jetë në rastet kur kemi të bëjmë me rritje të moshës së daljes në pension.

 

 

Dokumentet për përfitimin e pensionit të pjesshëm të pleqërisë

Fotokopje e kartës së identitetit ose certifikatë lindje me fotografi
Certifikatë e gjendjes familjare
Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra)
Dy copë fotografi
Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri ne momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994)
Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.
Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (nëse shikohet e arsyeshme)
Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992
Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj)
Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët
Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here