HYRJE Udhetim Rritet numri i turistëve të huaj, por mungon shërbimi

Rritet numri i turistëve të huaj, por mungon shërbimi

0
152

Turistët e huaj preferojnë çdo vit e më shumë të kalojnë pushimet në Shqipëri. Këtë e fakton edhe studimi i fundit i ODA-s, e cila raporton se gjatë vitit 2010, numri i vizitorëve të huaj ishte 2.3 milion, krahasuar me 1.8 milion që ishte një vit më parë, gjë që  tregon një rritje me 29% krahasuar me vitin 2009.

Fluksi

Ndërkohë gjatë viteve, me përjashtim të vitit 2009, muaji që ka fluksin më të madh të vizitorëve të huaj ka qenë muaji gusht, i cili përputhet edhe me periudhën e turizmit pranë plazheve të Shqipërisë. Ndërkohë në muajt e tjerë vihet re një numër shumë më i kufizuar vizitorësh. Kjo tregon që llojet e tjera të turizmit, përveç turizmit bregdetar janë tepër të pazhvilluara.

Të ardhurat

Sa i përket të ardhurave nga turistët, nga viti 2008, në vitin 2009, të ardhurat nga vizitorët janë rritur me 11%, ndërkohë që numri i vizitorëve të huaj është rritur me 34%. I njëjti trend vihet re edhe për periudhën 2007-2008: të ardhurat janë rritur me 17%, ndërsa numri i vizitorëve është rritur me 21%. Pra edhe pse numri i vizitorëve të huaj është një tregues i rëndësishëm i zhvillimit të turizmit në një vend, është e domosdoshme që të analizohet edhe rritja e të ardhurave nga ky aktivitet.

Akomodimi

Gjatë 2010-ës, numri i hoteleve në Shqipëri ishte 290, ose 19% më shumë se në vitin 2009. Numri i shtretërve në 2010 ishte 11,793, ose 8% më shumë se në vitin 2009. Bazuar në këto të dhëna, kapacitetet e hoteleve ne Shqipëri nuk janë adaptuar ndaj rritjes së fluksit të vizitorëve të huaj. Për këtë arsye mund të deduktohet se akomodimi i një pjese të vizitorëve është bërë pranë shtëpive private të individëve, në mënyrë të paregjistruar.

Mangësitë

Por në hulumtimin e saj Open Data Albania konkludon se është e domosdoshme që Shqipëria të zhvillojë të gjitha llojet e turizmit, dhe jo vetëm atë bregdetar për të maksimizuar të ardhurat. Gjithashtu duhet përmirësuar cilësia e shërbimit, pastërtia, rendi dhe gjithë faktorët e tjerë të cilët jo vetëm që rrisin numrin e turistëve që vizitojnë Shqipërinë nga kurioziteti, por edhe numrin e turistëve që e rivizitojnë atë pasi kanë kaluar eksperienca të këndshme.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here