Home ShowBiz Rozana Radi: “Pse u ndava me Kreshen”

Rozana Radi: “Pse u ndava me Kreshen”

832
0

Kur në një këngë i këndohet dhimbjes, natyrshëm lind kurioziteti për të mësuar se sa dozë autobiografike ka në këtë krijim. Kështu ka ndodhur edhe me këngën më të fundit të Rozana Radit, konkurruese te “Kënga Magjike 2012”. Pika kulminante është ajo ku këngëtarja thotë: “Ah moj nënë, pse më bërë grua!”. Rozana sapo ka mbyllur një histori dashurie njëvjeçare me repistin nga Kosova MC Kresha dhe, nga ana tjetër, u këndon burrave që nuk dinë të trajtojnë një femër. Pyetja është, a thua kanë ndonjë lidhje këto dy ngjarje me njëra-tjetrën? Të gjitha këto na i sqaron vetë Rozana në këtë rrëfim për “Panorama plus”.
Nga e more frymëzimin për të bërë një këngë, teksti i së cilës është cilësuar si kundër meshkujve?
Natyrisht që spunton e parë e kam marrë nga vetja e më pas nga mikeshat e mia. Dihet që në biseda mes shoqesh, tema kryesore janë meshkujt, sa i duam, sa na bëjnë të vuajmë etj. Dhe të mbledhesh të gjitha historitë bashkë të këtyre femrave, ka një gjë që i bashkon, që është mungesa e respektit të këtyre meshkujve ndaj femrave. Kisha një periudhë kohe që e mendoja, mbase një vit e gjysmë. Gjëja që ma vështirësonte punën ishte teksti, pasi  unë ndonëse se jam autore tekstesh, kërkoja që aty të mos prekej vetëm diçka presonale, por me anë të fjalëve të sillja një dukuri që tashmë është kthyer në fenomen. Madje edhe tani që flasim, mendoj se ka ende gjëra për të thënë në atë tekst, por është e pamundur që brenda një kënge të thuash gjithçka.
A mendon se një këngë mund të ndryshojë diçka në raportet e femrave me meshkujt, a mund t’i ketë prekur kënga jote ata?
Mendoj se meshkujt, njeriu që duan më shumë në këtë botë është mamaja, dhe në momentin që e dëgjojnë këtë këngë, ata mendojnë për nënat e tyre. Them i ka prekur dhe mund të kenë reflektuar rreth faktit se nesër kur të kenë një grua, duhet ta trajtojnë me të njëjtin respekt dhe dashuri që trajtojnë nënat e tyre.
Si kanë reaguar meshkujt që ti njeh pasi kanë dëgjuar këngën?
Më kanë thënë se u ka pëlqyer, duke u distancuar nga ai tip mashkulli që unë kam përshkruar në këngë, pasi më thoshin që ne nuk jemi të atillë.
Ka një moment në këngë kur thua: “ Ah moj nënë, pse më bëre grua!”. A mendon ndonjëherë se do kishte qenë më mirë për ty po të kishe lindur burrë?
E mendoj shpeshherë.
Çfarë do ishte ndryshe në jetën tënde?
Mendoj se çdo gjë do ishte më e lehtë për mua po të isha mashkull. Plakat thonë që kur lind një femër, qajnë edhe dyert e shtëpisë. Kjo ndodh në vendet e botës së tretë ku jemi edhe ne, ku shoqëria është ende jo shumë e zhvilluar dhe patriakale. Femra duron, jep më shumë dhe merr më pak. Femra vuan më shumë, ndërkohë që burrat i marrin më lehtë gjërat. Natyrisht ka edhe përjashtime, por shumica janë ashtu siç e them unë në këngë.
Shohim që kënga është pëlqyer nga femrat, pse ky solidaritet femëror?
Mendoj që femrat e pëlqejnë, sepse aty flitet për një histori të vërtetë, që ne prekim për ditë. Kjo këngë është për atë burrin që guxon të ushtrojë dhunë mbi gruan në sy të gjykatësit e plot raste të tjera. Pra, është një temë aktuale.
Cili është ai ves tipik i mashkullit që ti e ke hasur rëndom dhe të ka acaruar?
Gënjeshtra, nuk e duroj dot.
Pse, femrat nuk gënjejnë?
Femrat mund të gënjejnë për të dalë nga situata, kurse meshkujt e kanë stil jete, nuk jetojnë dot pa të.
A je e kënaqur nga klikimet e këngës “Ti s’ke zemër” deri tani?
Unë s’u kam dhënë shumë rëndësi klikimeve, për mua janë sekondare, megjithëse më thonë që deri tani është parë shumë herë kjo këngë. Nëse do të synoja një këngë që të klikohej shumë, do të konkurroja me një këngë ritmike. Por unë hyj në këtë garë për të përcjellë një mesazh dhe më shumë se klikimet, më kënaqin komentet që bëhen në rrjetet sociale, të cilat tregojnë se unë arrita të merrja vëmendjen që doja.
Krahas komenteve të mira, për këtë lëngë ka pasur edhe disa vërejtje nga ndjekësit e tu. P.sh. është konstatuar se ka mbi 10 këngë, shumica popullore, që kanë titullin “Ti s’ke zemër”. Nuk e kishe parë që ky titull ishte tashmë shumë i konsumuar?
Në fakt nuk e dija, tani po e dëgjoj për herë të parë. Mendoj që ky tekst nuk mund të kishte titull tjetër që t’i shkonte më shumë.
Një tjetër koment është se kënga “Ti s’ke zemër” ngjan shumë me këngën “Femër” me të cilën ke konkurruar tri vite më parë. Ti si mendon, ngjajnë në fakt?
Ngjajnë për faktin se interpretimi mund të jetë i ngjashëm, por vija melodike është krejtësisht tjetër.
Thuhet gjithashtu se teksti i këngës është shumë i ngjashëm me këngën e Mia Martinit, “Gli uomini non cambiano”…
Mia Martini thotë që burrat nuk ndryshojnë, është fenomen i përbotshëm. Fakti që i ka kënduar ajo kësaj kategorie meshkujsh, nuk do të thotë që askush tjetër të mos e bëjë më.
Kalojmë te pyetja që i kuriozon të gjithë, sa flet për jetën tënde kjo këngë?
Ka elemente autobiografike në tekstin e këngës, kam hedhur rreth 50% të jetës sime.
Pra, 50% e jetës sate me meshkujt ka qenë një zhgënjim…
Natyrisht që ka qenë një zhgënjim. Nëse nuk do të ishte i tillë, unë do të isha me fëmijë sot, sepse e dua shumë familjen.
Ndërkohë ti ke pak kohë që ke mbyllur lidhjen me Mc Kreshën, sa ka nga kjo histori në atë tekst?
Ka nga jeta ime, por jo nga historia me Kreshën.
As ai momenti në këngë kur thua se ai më ka qëlluar? Të ka qëlluar ndonjëherë Kresha?
Jo asnjëherë, ne kemi pasur një histori dashurie shumë të bukur.
Po si mund të mbarojë një histori dashurie shumë e bukur?
Nuk e di si mund të mbarojë, përrallat mbarojnë me fund të lumtur, por mbeten përralla, nuk bëhen realitet.
Por gjithsesi një gjendje pesimizmi ta ka krijuar kjo ndarje, apo jo?
Patjetër që po, është njerëzore.
Ti që ke ndarë shumëçka me gazetarët, nuk ke preferuar ta ndash me ne arsyen e ndarjes, mund të na thuash diçka tani që ka kaluar pak kohë?
Është një arsye shumë personale, të cilën kam zgjedhur të mos e komentoj me të tjerët. Por mund t’ju them se për aq sa zgjati, ishte një histori shumë e bukur. Ne nuk jemi zënë për asgjë me njëri-tjetrin.
Pas mbarimit të kësaj lidhjeje, a mendon se dy partnerë nga arti mund të mos jetë marrëdhënia e duhur për ty?
Jo nuk e mendoj, varet se kë ke në krah, mamaja ime mbajti në krah një artist dhe lidhja e tyre qe perfekte.
Si i kalon ditët tani mbas rikthimit në Tiranë?
Jam shumë mirë, në një gjendje të qetë dhe e rrethuar nga njerëzit e mi të dashur.
Pas këtyre eksperiencave, a ke një stereotip të mashkullit që mendon se është i përshtatshëm për ty?
Vështirë të më përputhet fantazia me realitetin, sepse më ndodh që tjetër gjë ëndërroj dhe tjetër më del përballë.
Momentalisht je vetëm?
Po.
Ke vendosur të rrish gjatë kështu?
Nuk e kam problem, kam shumë shokë dhe them se duhet të mendohem mirë për të gjetur dikë të saktë, jo thjesht për të kaluar kohën apo për t’u dukur çift, por për të gjetur njeriun e duhur.

Rozana, po të ishte mashkull….
Po të ishe mashkull do të rrije përnatë nëpër pube?

Do rrija, por jo përnatë.
Do bëheshe tapë, meqë si mashkull askush nuk të paragjykon?
Ndonjëherë po.
Do luaje bixhoz?
Nuk e besoj.
Po të ishe mashkull, do t’i kishe praktikuar lidhjet “one night stand”?
Varet se ku do kisha lindur. Nëse do isha mashkull dhe do jetoja në Tiranë te “Tirana e re”, ku jetoj aktualisht, nuk e besoj, se shoh që çunat e lagjes nuk janë për aventurat e një nate, duken më seriozë.
Po të ishe mashkull, në çfarë momenti do vendosje të krijoje familje?
33 vjeç.
Po të ishe mashkull, do ta praktikoje gjatë bashkëjetesën për ta njohur mirë partneren dhe për të mos rrezikuar ndarjen e pasurisë që vjen si pasojë e celebrimit më pas e divorcit?
Do ta bëja për ta njohur më mirë, por jo për punë pasurie, sepse do të isha me siguri një mashkull intelektual.
Po të ishe mashkull, do të kërkoje një partnere të bukur duke mos i dhënë shumë rëndësi inteligjencës, apo për ty bukuria do të ishte e dorës së dytë?
Po të isha mashkull, do të kërkoja një femër te fortë, sepse pas një burri të suskesshëm, qëndron një grua e zonja.
Po të ishe mashkull, do ta tradhtoje ndonjëherë gruan?
Ma merr mendja që nuk do të bëja të tilla kompromise.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here