Home Sport Ronaldo mposht Ibren, Portugalia ne boteror

Ronaldo mposht Ibren, Portugalia ne boteror

825
0

RonaldoRonaldo në Botëror dhe Ibrahimoviç në shtëpi. Ka qenë ky verdikti që ka dhënë dje “playoff”- i mes Suedisë dhe Portugalisë. Suksesi i luzitanëve në Lisbonë në shifrat 1-0, është pasuar nga një tjetër fitore iberikase, por këtë herë shumë më spektakolare se më parë, me rezultatin 3-2. Protagonist absolut i takimit, e kush tjetër, Kristiano Ronaldo, që me një tripletë thyen rekordin e golave në përfaqësuese, por në të njëjtën kohë mund edhe Zlatan Ibrahimoviçin në duelin direkt në fushë, që ndalet në dy gola. Gjigandi nga Malmo, që në fund duartrokiti kundërshtarin dhe Ronaldon, duhet të heqë dorë kështu nga një eksperiencë e Kupës së Botës, që për të mund të ketë qenë e fundit, duke parë që në Botërorin e 2018-ës në Rusi Ibra do ketë lënë pas 37 vitet.
Kontroll portugez Me vetëm Hugo Almeidan në vend të Helder Postigës te Portugalia, skuadrat ofrojnë të njëjtat formacione që luajtën në Lisbonë, por ajo që ndryshon është loja e të dyjave në fushën e blertë. Zlatan Ibrahimoviç këtë herë duket më i përkushtuar për ekipin, sepse kërkon gjithmonë topin dhe madje kthehet shumë prapa për t’i ndihmuar shokët e tij të skuadrës, por kundërsulmet më të mira dhe rastet më të rrezikshme për gol u përkasin portugezëve. Takimi ndizet pas 30 minutave të para, me Kristiano Ronaldon që merr në dorë skuadrën e tij, por në tri raste është i pasaktë. Brenda 5 minutave, 29-vjeçari i shkon pranë golit pas një goditjeje me kokë; pak më vonë, e majta e tij ndalet në mënyrë spektakolare nga Isakson, ndërsa në fund të takimit e djathta nga distanca ledhaton traversën, raste me të cilat mbyllet edhe pjesa e parë. Tërbohen Ronaldo e Ibra Në pjesën e dytë Suedia nuk mund të presë më, por i duhet të shënojë që të besojë. Për këtë arsye, trajneri Hamren dërgon disi më përpara skuadrën, në të gjitha repartet e saj, dhe rreziku nis të bëhet më i madh në zonën e portugezëve. Larson është i pari që mund të shënojë, por topi fantastik i ofruar nga Ibra nuk goditet siç duhet nga mesfushori, që vetëm tri metra larg portës ia përplas sferën në trup portierit Patrisio. Ky i fundit nis me shpejtësi lojën dhe papritur topi shkon në këmbët e Ronaldos, që zbret shpejt brenda zonës suedeze dhe me të majtën djeg Isaksonin. 1-0 për Portugalinë, kur ky rezultat mund t’u buzëqeshte të zotëve të shtëpisë pak sekonda më parë. Gjithsesi, Suedia nuk demoralizohet, përkundrazi, i fut drithërimat kundërshtarit. Në minutën e 68-të, Zlatani barazon ndeshjen me kokë pas një goditjeje këndi, ndërsa katër minuta më vonë, një predhë nga një goditje dënimi prej 20 metrash shkund rrjetën. Sa hap e mbyll sytë 2-1 për Suedinë, e cila me një tjetër gol, kur kishin mbetur afro 20 minuta nga fundi, do linte jashtë Botërorit Ronaldon. Por, ky i fundit përgjigjet edhe më fortë se Zlatani. Nëse suedezit iu deshën 4 minuta për dy gola, Kristiano shënon dy të tjerë për 2 minuta. Perla e dytë është një gol fotokopje me atë të parin, ndërsa në të 79-ën minutë driblon portierin Isakson dhe tund rrjetën për të vendosur shifrat finale 3-2. Ibrahimoviç dorëzohet me kokën lart, me një dopietë, por Ronaldo ia vodhi skenën me 4 gola në dy ndeshje dhe e meritoi më shumë se ai “biletën” për në Brazil.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here