Home ShowBiz Reklama e kopjuar e Ciljetes

Reklama e kopjuar e Ciljetes

1087
0

Javën që shkoi teksa në TVSH shfaqej reklama… Çiljeta në formën e saj më seksi se kurrë, duke flirtuar me dy pushues të veshur deri në grykë, pranë detit… papritur mu ndez një llambushkë në kokë. “Unë e kam parë këtë reklamë diku!” Kisha më se të drejtë. Një reklamë e tillë për një birrë tjetër ka kohë që qarkullon në “YouTube” e cilësuar si një prej reklamave më të mira dhe më humoristike të bëra ndonjëherë. Në rolin e Çiljetës, është modelja e njohur Pietra Ferrari, e cila ka një trup të jashtëzakonshëm çka e bën reklamën dhe më të paharrueshme. Vetëm një orë më vonë, në FaceBook (që na është bërë si Euronews) dhjetëra “friends” publikuan të dyja videot me komente nga më të ndryshmet. Pasi u mësuam me kopjime nga të gjitha llojet (këngë, veshje, video, shkrime, spektakle etj.,) kurrë nuk do na kishte shkuar ndër mendje se në Shqipe tani do fillonin të kopjonin edhe reklamat. Nuk mund ta mohoj që është realizuar mirë, por përse duhej kopjuar pikë së pari? Kaq keq është për ide në vendlindje?

Sigurisht birra po merr një reklamë më të madhe nga çfarë kishte menduar dhe çdo qindarkë shpenzuar për Çilin ka treguar se është investuar më së miri, por në të njëjtën kohë duhet të kuptojnë se gjërat mund edhe të marrin drejtim të kundërt. Në Shqipëri ekziston ligji për të drejtat e autorit, i cili, siç pritej, nuk respektohet aspak, sepse siç shihet, të parët që shkelin të drejtat e autorit në emër të 500s janë vetë autorët. Së fundmi, një ligj i tillë është miratuar dhe në Kosovë, por dhe atje situata është pak a shumë e njëjtë.

E përmenda këtë për t’ju lënë të kuptoni se në vendin tonë kopjimi i një materiali artistik është i dënueshëm me ligj. Kjo do të thotë se nëse vihen në dijeni birra tjetër dhe kompania publicitare që ka krijuar këtë video, “simotrat” e tyre shqiptare mund të hidhen dhe të humbasin gjyqin për vjedhje të të drejtave të autorit. Ju takon të çuditeni, pasi sa këngë janë vjedhur dhe askush nuk e ka marrë mundimin t’i çojë në gjyq apo jo? Ka një shpjegim dhe për këtë; shuma që avokatët e shtëpive diskografike kërkojnë për çështje të tilla është disa herë më e madhe sesa të ardhurat e një viti (mos të them e 3 viteve) të një këngëtari shqiptar. Ndaj hedhja në gjyq e një artisti për një këngë të huazuar, nuk është e vlefshme… të paktën financiarisht. Ndryshon puna, kur bëhet fjalë për një kompani, e cila është e aftë të paguajë një faturë të majme nëse (largqoftë) punët shkojnë deri në gjykate.

Ndoshta nuk është faji i kompanisë… ndoshta është vetëm faji i kompanisë publicitare… por kjo s’ka aspak rëndësi në gjyq, pasi birra ka fituar publicitet tashmë nga publikimi i kësaj reklame dhe normalisht do t’i kërkohej dëmshpërblim. Do të ishte më e udhës që reklama të hiqej nga transmetimi dhe birra të kërkonte një reklamë të re. (fakti që është publikuar në “YouTube” do bëjë të mundur që në një mënyrë apo tjetër të gjendet nga dikush që ka lidhje me krijuesit e origjinalit, ashtu siç e vunë re dhe qindra përdorues shqiptarë). Nuk e themi këtë për t’i kritikuar, por më tepër për t’i ndihmuar.

Bile, jemi munduar dhe aq sa t’ju japim një ide për reklamën e re dhe të drejtat e autorit ia kemi falur. Skenë-Parlamenti shqiptar – Hyn Çiljeta! Socialistët në një anë, demokratët në anën tjetër. Do aprovohet ligji për hapjen e kutive. Shumë zhurmë në sallë, Jozefina nuk po e drejton dot situatën. Çiljeta ngjitet tek podiumi diç i pëshpërit në vesh. Fillojnë të serviren birra për të gjithë. Flet Çili – Kush është pro që kutitë të mos hapen? – Socialisti i parë hap birrën. Paf i ikën xhaketa Çilit. Hap birrën dhe socialisti i dytë. Fap fundi Çilit. Fillojnë socialistët hapin shishe, tapa nga të katër anët, fluturojnë votat pro. Heshtje! Flet Jozefina – Ligji u miratua! Çili me rroba banje (normale ) …A mund të më pish të tërën? Kësaj po i themi reklamë ne!

___________________

100 Mijë euro për një kopjim?!

Nëqoftëse janë të vërteta ato shifrat që thonë se është paguar reklama e re e Çiljetës, atëherë është pak si tepër për një… imitim.

Faqet rozë të shtypit të fundjavës thonë se Çiljetës i janë paguar 100 mijë euro për këtë reklamë, por kjo është seriozisht e pabesueshme, kur zbulojmë se bëhet fjalë thjesht për një kopjim të dobët.

Në këtë adresë në internet http://www.youtube.com/watch?v=v9oYYoQlIdE dhe http://www.youtube.com/watch?v=Sg6jHRkBDf4 shihet qartë që reklama e Çiljetës për një pije shqiptare është kopje enjë reklame të huaj.

Siç dihet kopja është gjithmonë më e keqe se origjinali, po kjo jona, është një kopje vërtet pa shije. Dhe këtu nuk kemi parasysh vetëm “përmasat” apo lojën e protagonistes së cilës në të kundërt të asaj çka sugjeron fabula e reklamës, të vjen t’i thuash: Aman mos u zhvish..!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here