Home Sport Reali mposhtet ndaj Barces ne “El Clasico”

Reali mposhtet ndaj Barces ne “El Clasico”

533
0

Real-BarcelonaBarcelona di ta bëjë magjike një natë normale në Katalunjë dhe përpara 99 mijë tifozëve, skuadra e Luis Enrikes jo vetëm feston, por i jep edhe një pamje më të qartë kampionatit spanjoll. “El Clasico” numër 170 do të mbështillet nga ngjyrat kuqeblu, një sukses, i cili u lejon të zotëve të shtëpisë që jo vetëm të hakmerren ndaj rivalëve të përjetshëm për humbjen e fazës së parë, por në të njëjtën kohë i shkëpusin me 4 pikë në renditje.
Matjë dhe Ronaldo janë protagonistët e pjesës së parë, por fitoren 2-1 do ta vulosë “Pistolero” Suarez, i cili e ka plagosur rëndë rivalin kryesor për titullin kampion, ndonëse Reali do të ketë edhe 10 ndeshje kohë për të tentuar të ringrihet. Skuadra e Ançelotit provon të fitojë dhe të dalë nga kriza, por në fund, ishte Barcelona ajo që e meritoi fitoren, duke qenë për 60 minuta dominuse ndaj rivalit, me “galaktikët”, që nuk ditën të reagonin më pas golit të sulmuesit uruguaianit në të 55-tën. Suarez i bën kështu një dhuratë tifozërisë dhe trajnerit Enrike, që fiton pikë në lidhje me soliditetin e pankinës së tij, ndërsa për Ançelotin pritet një tjetër javë e turbulluar pas këtij dështimi.
Sfidë jashtëtokësorësh Të dy trajnerët zgjedhin modulin më sulmues të mundshëm, një 4-3-3 për të shfrytëzuar më së miri tredhëmbëshet e tyre fenomenale. Mesi kundër Ronaldos, ose dy lojtarët më të fortë në botë përballë njëri-tjetrit, përveçse edhe Suarez-Nejmar kundër Bejl-Benzema, dy sulme me vlerë 650 milionë euro, të cilët numërojnë 111 gola të shënuar së bashku, shifra marramendëse këto, të cilat i përshtaten më së miri edhe një panorame spektakolare që ofronte stadiumin “Kamp Nou” së bashku me 99 mijë tifozët e tij.
Matjë dhe Ronaldo… Të zotët e shtëpisë janë menjëherë agresivë në lojë, me dyshen Suarez-Iniesta, që tentojnë të frikësojnë një Real, i cili e nis në pritje. Mesi gjithashtu duket i frymëzuar, por disa topa të kaluar poshtë këmbëve të kundërshtarëve nuk mjafton për të zhbllokuar sfidën, ndërsa, nga ana tjetër, Ronaldo tregon menjëherë dhëmbët. Në kundërsulmin e parë të madrilenëve, “CR7″ disi si t’i vinte në heshtje vërshëllimat shurdhuese që shoqëronin atë në çdo prekje topi, duke goditur traversën, në fluturim e sipër, pas një krosimi perfekt nga Benzema.
Por, kaq mjafton që Barcelona të zhbllokojë sfidën. Matjë, një nga të harruarit në zonë nga Reali, i vjedh kohën Ramosit dhe me kokë dërgon në rrjetë goditjen e dënimit të Mesit, duke i vënë flakë stadiumit. Gjithsesi, avantazhi nuk e tremb Realin, përkundrazi, e shtyn që të bëjë lojën e tij më të mirë. Historia e pjesës së parë ndryshon mes minutës 31 dhe 32.
Ndërsa Nejmar humb një rast flagrant për të shënuar, duke goditur me gju topin, Kasijas nis shpejt me dorë një kundërsulm spektakolar; i cili finalizohet nga Ronaldo, që shfrytëzon më së miri një asist fantastik me thembër të Benzemasë. 1-1 dhe “galaktikët” duket se e kanë lojën në dorë, pasi trembin realisht katalanasit falë shpejtësisë së Marselos, Karvahalit e Bejlit, me këtë të fundit që gabon një gol gjysmë të bërë, pasi godet keq me të djathtën mes rrëmujës së zonës. Reali sulmon, i shkon pranë golit, por Matjë dhe Pike, me nga dy ndërhyrje decizive secili, arrijnë ta dërgojnë skuadrën e tyre në tunel, nën barazimin 1-1.
“Pistolero” nuk del huq… Edhe pse e dyta sheh një Real më agresiv, më kërkues, me Benzemanë që impenjon me një kthesë Bravon, por pikërisht atëherë kur pritej goli i miqve, “Pistolero” Suarez nuk i lë shpëtim kundërshtarit. Një pasim i lartë dhe i gjatë nga mesfushë në drejtim të sulmit stopohet magjishëm nga uruguaiani, i cili lëshon një diagonale vdekjeprurëse në hyrje të zonës, duke mundur Kasijasin për herë të dytë, në minutën 55-të.
Dhe është pikërisht ky gol që sposton totalisht ekuilibrin e ndeshjes, por këtë herë në favor të Barcelonës, e cila jo vetëm nis të ofrojë atë zotërimin perfekt, mbytës dhe të mërzitshëm për rivalin, por në të njëjtën kohë ndërton një mori me raste për shënim, në tri prej të cilave Nejmar tregohet shumë egoist. Edhe Mesi kërkon lavdinë personale, por pa sukses, ndërsa reagimi i vetëm i Realit është me një tentativë nga distanca të Benzemasë, të cilën Bravo e devijon në goditje këndi. Dhe ndeshja përfundon këtu, me katalanasit që hakmerren dhe mbajnë në distancë madrilenët…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here