HYRJE Politike Rama prezanton ministrat. Kabinet më i vogël

Rama prezanton ministrat. Kabinet më i vogël

0
62

Edi Rama prezantoi një qeveri të vogël, me 14 portofole gjithsej, përfshirë edhe atë te kryeministrit, nga 21 të mandatit të parë.

Ndryshimet në strukturë janë radikale. Vetëm 5 prej tyre, ato klasiket nuk preken në strukturë- Ministria e Mbrojtjes, e Brendshme, e Jashtme, e Drejtësisë dhe e Kultures. 3 ministri janë shkrirë plotësisht-  Integrimi, Inovacioni,  Zhvillimi Urban. Të tjerat janë bashkuar me Ministrinë e Financave, Energjisë, Mjedisit, Shëndetësisë apo të Arsimit.

Edhe përbërja e kabinetit ishte surprizuese. Duke nisur me emrin e zëvendëskryeministres. Senida Mesi, deputete e Shkodrës, me profesion ekonomiste me karriere në sektorin bankar, do të jete përgjegjëse për reformat strukture të qeverisë dhe eliminimin e burokracive shtetërore.

Dy ministra Shteti, Sonila Qato, ish-drejtoresha e Agjencisë se Pronave do të jetë ministre për Sipërmarrjen, të cilës Edi Rama planifikon t’i japë të gjithë mbështetjen dhe mbrojtjen për rritjen e Ekonomisë.

“Kur një sipërmarrës telefonon, ministri nuk ka asnjë punë më të rëndësishme. Kur një sipërmarrës dëshmon se ministri nuk i përgjigjet, ikën ministri. Nuk vuan më sipërmarrësi”, deklaroj Rama.

Me Pandeli Majkon si ministër Shteti për Diasporën, Edi Rama riktheu në qeveri jo vetëm ish-kryeministrin dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, por edhe një nga figurat klasike të socialistëve. Duke e përforcuar këtë linjë edhe me përfshirjen e Blendi Klosit, vlerësimi për të cilin dhe një shkelje syri, ka kapur në befasi të gjithë ata që besonin se Klosi e kishte mbyllur karrierën në qeveri.

“Është një komunikues shumë efikas me çdo shtresë, me çdo grup interesi, me çdo individ. E kanë provuar këtë ata që kanë punuar me të ata në Ministrinë e Mirëqenies dhe ata që kanë punuar me të apo kundër tij në Berat”, tha Rama.

Në kabinetin “Rama 2” do të jenë të tre ministrat që, për shkak të marrëveshjes së 18 majit, e lanë postin e tyre qeveritar. Fatmir Xhafaj dhe Olgerta Manastirliu kthehen në detyrat e tyre, përkatësisht të ministrisë së Brendshme dhe të Shëndetësisë, ndërsa Olta Xhaçka do të ulet në karrigen shumë të rëndësishme të ministres së Mbrojtjes duke zëvendësuar Mimi Kodhelin, e cila do të ketë një detyrë kyçe, siç tha Rama, në grupin parlamentar.

Në kabinet bie në sy një prurje e re. Etilda Gjoni, nga ish-zëvendësministre e Drejtësisë, do të ngjitet në nivelin më të lartë të dikasterit dhe do të kryejë detyrën e ministres së Drejtësisë. Por edhe vazhdimësia, si vlerësim për kontributin 4-vjeçar është një mesazh tjetër i dhënë nga kryeministri me qeverinë e re.

Nga zëvendëskryeministër, Niko Peleshi, do të marrë postin e ministrit të Bujqësisë, ndërsa 5 ministra të tjerë do të mbajnë detyrat e mëparshme. Për Ditmir Bushatin tek ministria e Jashtme, Edi Rama ka parë gotën gjysmë plot, kur e ricaktoi në të njëjtën detyrë, por…

“Por, është një por me o të gjatë. Sigurisht bie mbi Ditmirin, nga sot barra që është edhe publike e provës që duhet të japë më herët se vonë në çeljen e një rruge të re për diplomacinë tonë ekonomike”, u shpreh Rama.

Edhe për dy ministra të tjerë ka nga një “Por…”. Për Damian Gjiknurin, ministër i Energjetikës dhe infrastrukturës, kryeministri vërtet tha se është administratori më i mirë i vendit, por…

“Edhe për Damianin vlen parimi se nuk do të presë vitin 2021 për gjykuar sa e goditur është zgjedhja e tij, por do të vendosim objektiva, afate. E do të gjykojmë periodikisht mbi bazën e rezultateve”, vlerësoi Rama.
Një super ministri, si ajo e Gjiknurit, do të ketë edhe Arben Ahmetaj, tek Financat, Ekonomia dhe Puna, por…

“Natyrisht duhet të na provojë, sa më shpejt mundësisht, rezultate shumë konkrete se është në lartësinë e kësaj sfide të re”, tha Rama.

Gratë në qeveri do të jene në numër të barabartë me burrat. Mirela Kumbaro do të vazhdojë tek Kultura, ndërsa Lindita Nikolla tek Arsimi, Sporti dhe Rinia.

Por, ndryshimi më i madh që Edi Rama prezantoi nuk kishte të bënte as me strukturën, as me emrat e qeverisë. Por me kushtin me të cilin ministrat do të qëndrojnë në qeveri.

“A do ta përfundojmë mandatin me këtë qeveri, këtë do ta tregojnë vetëm pasqyrat periodike të rezultateve të çdo ministri dhe ministreje”, theksoi kryeministri Rama.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here