Home Armand Shkullaku Rama, një fillim në rrugën e vjetër

Rama, një fillim në rrugën e vjetër

836
1

Mendoni për një çast Sali Berishën në parlament duke iu drejtuar opozitës: Më akuzoni për dhunë? Prisni se nuk keni parë gjë akoma! Pastaj me një vendim qeverie të urdhërojë të gjitha institucionet shtetërore të heqin fotografinë e Presidentit të Republikës. Të detyrojë opozitën të braktisë sallën e parlamentit në Shqipëri dhe të nesërmen të provokojë gati gjysmën e Kuvendit të Kosovës të largohet në shenjë proteste. Reagimi merret lehtë me mend. Berisha do të akuzohej menjëherë se po kërkon eliminimin e opozitës, poshtërimin dhe vënien nën kontroll të institucioneve, se po nxit dhe po provokon konflikt etj. Biografia e gjatë dhe e pasur me konflikte politike e Sali Berishës, sigurisht që favorizon menjëherë një reagim të tillë të ashpër. Por aktet e mësipërme nuk i ka bërë ai. Janë vepra të kryeministrit Rama, të realizuara vetëm në ditët e para të pushtetit të tij.

Është shumë shpejt për të përcaktuar që tani se rruga e Edi Ramës do të jetë konflikti për të mbuluar paaftësinë qeverisëse. Se do të mbizotërojnë aktet që provokojnë emocione në vend të punëve që sjellin mirëqenie. Se do të mbahet ndezur një sherr permanent për të justifikuar mosmbajtjen e premtimeve. Por shenjat e para nuk janë aspak premtuese. Vetë kryeministri i ri gjatë vizitës në Bruksel tha se dëshiron që Shqipëria të jetë pjesë e BE brenda 10-vjeçarit të ardhshëm. Dhe një nga kushtet themelore për të arritur këtë objektiv mbetet ruajtja e dialogut politik, fryma e bashkëpunimit dhe respektimi i institucioneve. Fillimi nuk është aspak i mbarë.

Vështirë të shpjegohet nevoja gati ekzistenciale e kryeministrit të ri për t’iu referuar në çdo moment, vend e pa vend, kundërshtarit të tij politik, për të cilin shqiptarët e morën një vendim më 23 qershor. Qeveria e re është votuar për të realizuar një program dhe jo për të recituar pamflete politike. Nëse vendime apo veprime të qeverisë së shkuar kanë shkelur ligjet apo përbëjnë pengesë për punën e mazhorancës së re, kjo e fundit i ka të gjitha mekanizmat për t’i anuluar, hetuar apo edhe për të kërkuar ndjekje penale sipas procedurave ligjore. Por këtë nuk mund ta bëjë me retorikë provokuese, fjalime agresive dhe akte populiste, të cilat nxisin vetëm spekulime dhe përçarje. Kryeministri i ri duhet të kuptojë se në atë post të lartë politik është zgjedhur që të administrojë sa më mirë interesat e të gjithë qytetarëve dhe jo të argëtojë disa e të provokojë disa të tjerë. Paraqitja në Kuvend e programit të një qeverie të re përbën një moment solemn të angazhimit maksimal ndaj premtimeve të marra dhe jo një vazhdim të fushatës elektorale. Edi Rama ka të gjithë të drejtën t’i referohet shifrave dhe situatës ekonomike që ka trashëguar, të bëjë transparencën e tyre para qytetarëve dhe të ekspozojë gjendjen e shtetit që ka marrë në dorëzim për ta drejtuar në katër vitet e ardhshme. Për këtë gjendje ka akuzuar qeverinë e shkuar, ka premtuar se do ta ndryshojë tërësisht, do ta rilindë dhe njerëzit e kanë besuar. Në këtë moment duhet të nisë rrëfimi tjetër, ai i punëve që e presin për të përmbushur pritshmëritë e shqiptarëve. Vazhdimi i rrëfimit me Berishën, nevoja për të mbajtur ndezur konfliktin, provokimi pa shkak apo lojërat me bojëra e fotografi janë një deja vu. Një tregues se vetë kryeministri e ka me frikë apo me përtesë t’u futet seriozisht angazhimeve të mëdha që ka marrë përsipër.

Rama kishte një shans që mandatin e tij ta niste pa u marrë fare me kundërshtarin e mundur. Të mos numëronte shuplakat, por të promovonte frymën e bashkëpunimit. Fituesi e ka gjithnjë këtë mundësi. Shqiptarët e dinë çfarë mendon Edi Rama për Sali Berishën dhe PD-në, dhe një fjalim konstruktiv nuk do ta kompromentonte aspak politikisht, përkundrazi. Rama, në ditën e votëbesimit të qeverisë së tij mund të jepte shembullin e një lideri që për shkeljet që janë bërë ia lë fjalën ligjit dhe fjalët e tij të ishin për programin dhe punët që e presin. Mund të shmangte në parlamentin shqiptar tonet provokuese për kundërshtarin dhe të përqendrohej në projektin e tij në ditën e parë të prezantimit si kryeministër. Mund ta kishte bërë këtë edhe në Prishtinë, ku të paraqiste vizionin për Kosovën dhe jo batutat ndaj paraardhësit të tij për patatofobinë, për inercinë e vjetër apo skeçet propagandistike. Të paktën në këto momente solemne mund të jepte një mesazh pajtues dhe të mos nxiste përçarjen e vjetër. Rama nuk e bëri këtë, madje shkoi edhe më tej me vendimin për heqjen e fotos së Presidentit të Republikës nga të gjitha institucionet shtetërore. Një akt i vogël e qesharak që nuk e bëjnë dot serioz as përmasat që kërkoi t’i japë në kurriz të Ismail Qemalit. Individi Bujar Nishani nuk ka lidhje me atë që përfaqëson presidenti Nishani, dhe kryeministri nuk është zgjedhur për t’u sjellë si drejtor muzeumi, por edhe të japë shembullin e respektimit të institucioneve, të ligjeve dhe procedurave ligjore. Vendimi për të hequr foton e presidentit, automatikisht e vendos institucionin e Presidencës në pozitën e kundërshtarit politik dhe nxit tension me opozitën. Mesa duket, Edi Rama nuk di të veprojë ndryshe. Fillimi i mandatit të tij u shenjua nga hija e politikës së vjetër. Rilindasit duhet të presin akoma.

1 COMMENT

  1. Perfytyro sikur Edi rama te kishte humbur zgjedhjet me njemilion vota.E sigurt qe do te kishte deklaru publikisht-me falni o shqiptare qe ju kam keqqeverisur.Ma bani hallall e bani c'te doni me mue.Per veten time po zhdkem nga skena politike shqiptare.Por Edi s'ka mberrit akoma ketu.Ai idhulli yt SB mberriti deri ketu dhe jo qe s'kerkoi falje por akuzon njemilion shqiptare per gjykim te mbrapshte.Ti je komplet idiot ore gje e trashe.Te vjen keq se nuk je as moshe e vjeter.Duket qe ia ke pa hairin qeverisjes se kaluar.Vafsh n'esfel,legen e zgjebe!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here