HYRJE Eduard Zaloshnja Qysh kur lindi partia dhe… deri në vdekje

Qysh kur lindi partia dhe… deri në vdekje

0
205

pd=berisha-91Ndërkohë që Lulzim Basha po mbaronte sot analizën publike vjetore të punës së Bashkisë së Tiranës, “deputeti i thjeshtë” Sali Berisha filloi kritikën publike vjetore të qeverisë shqiptare. Ndoshta kjo ka qenë një rastësi, por për shumicën e shqiptarëve përbën pa dyshim një konfirmim të realitetit në lidershipin e PD-së – kryetar de juro i saj vërtet është Basha, por kryetar de facto është Berisha.

Është ky një rol që Berisha e ka marrë qysh natën e 11 dhjetorit 1990 dhe s’e ka lëshuar për asnjë ditë, pavarësisht se kryetarë de juro mund të kenë qenë, sipas rradhës kronologjike, Azem Hajdari, Aleksandër Meksi, Eduard Selami, Tritan Shehu, e së fundi, Lulzim Basha.

Sipas kujtimeve të Preç Zogajt (në librin e tij “Fillimet”), në mbrëmjen e 10 dhjetorit 1990, Shinasi Rama, një nga udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Studentore, e akuzoi Berishën si njeri që bënte punën e Ramiz Alisë dhe se duhej të ikte nga Qyteti Studenti. Por Berisha qëndroi “duke duruar fyerjet dhe poshtërimin, mu sikur e ardhmja po e provonte me një mundim, për të kuptuar sa të trashë e kishte lëkurën dhe sa i mbante kurrizi… Qëndroi. Për t’i përcjellë të gjithë, për t’i nxjerrë të gjithë nga fusha e lojës, kur të binte ora e tij”, shkruan Zogaj.

Në fakt, ora e tij erdhi vetëm një natë më vonë. Ja ç’mbaj mend unë nga ajo natë.

Pasi ishte kthyer grupi i studenteve dhe i pedagogëve nga takimi me Ramiz Alinë, në orët e vona të datës 11 dhjetor, u dëgjua nga të gjithë të pranishmit në Qytetin Studenti incizimi i plotë i bisedës me presidentin. Kur mbaroi dëgjimi i bisedës me Alinë, unë kapa flamurin që një student e mbante në dorë dhe thirra “Rroftë Partia Demokrate!” Në atë moment, Azem Hajdari ma mori flamurin nga dora dhe më tha se kishin dhënë fjalën që partia të quhej e studenteve dhe e intelektualeve të rinj. Pasi ora kishte kapërcyer 12-ën, pra, kur kishte filluar dita e re, shumica e atyre që ishin takuar me Alinë, si dhe Berisha, Pashko, Mustafaj, Zogaj, Ballauri e unë, u futëm në godinën 15. Gjëja e parë që diskutuam ishte sesi do ta quanim partinë e re që Alia kishte lejuar të krijohej. Berisha, i cili e hapi këtë diskutim, tha se, emri që i ishte premtuar Alisë për partinë e re nuk e përfaqësonte masën e njerëzve të mbledhur në Qytetin Studenti dhe as shumë të tjerë që do t’i bashkoheshin eventualisht asaj. Unë, duke i qëndruar idesë time fillestare, sugjerova emrin Partia Demokrate. Por, Arben Imami më kundërshtoi me arsyetimin se një parti me të njëjtin emër ishte parti kryesore në SHBA. Në vend të emrit që unë sugjerova, Imami propozoi emrin Lidhja Demokratike. Por, Berisha e kundërshtoi këtë emër me argumentin se, mund të krijohej përshtypja në opinionin ndërkombëtar se partia jonë do të ishte një degë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Atëherë unë iu ktheva përsëri sugjerimit tim, por me një ndryshim të vogël, Partia Demokratike. Ballauri me shaka tha: “Pash Zotin, mos na kujto Frontin Demokratik!” Ndërkohë që të tjerët po qeshnin, Berisha rrinte i menduar. Pas disa çastesh ai tha me seriozitet: “Partia Demokratike më duket emër i goditur. Do të ishte mirë që të mos ekzistonte Fronti Demokratik, sepse, në fakt, emri më përshtatshëm për partinë tonë do të ishte pikërisht Fronti Demokratik. Sidoqoftë, emri Partia Demokratike më duket se e përçon idenë se ajo do të jetë një parti e të gjithë atyre që duan një sistem demokratik në Shqipëri”. Fjalët e Berishës i vunë vulën diskutimit mbi emrin e partisë. Pas emrit të partisë, diskutuam për programin e shkurtër, të cilin kishim premtuar se do ta shpallnim brenda ditës në Qytetin Studenti. Rreth orës 02:00, kur në kalendar ishte shënuar data 12 dhjetor, vendosëm të uleshim diku e t’i hidhnim në letër ato që kishim diskutuar. Unë sugjerova të shkonim në shtëpinë time, pasi ato ditë nuk kisha njeri në shtëpi. Por, Berisha e kundërshtoi sugjerimin tim me arsyetimin se, duhej të ishim sa më pranë studentëve. Ai tha se, pavarësisht nga përgjuesit që mund të ishin vënë në shtëpinë e Pashkos, atje ishte vendi më i përshtatshëm për të punuar për programin.

Qysh atë natë pra, kur lindi Partia Demokratike, në mënyrë të vetvetishme, Berisha mori rolin e drejtuesit që përcaktonte se, kush duhej të bënte çfarë. P.sh., mua më tha të bashkëpunoja për programin e bujqësisë me pedagogët e Universitetit Bujqësor, Rexhep Uka e Besnik Gjonkecaj; Pashkos i tha të përgatiste programin ekonomik, etj. Në sytë e tij atë natë mund të dallohej qartë një ndriçim jotokësor — ai dukej si një njeri të cilit sapo i kishte caktuar Zoti një mision special.

Duke e parë në konferencën e sotme të shtypit,“deputeti i thjeshtë” Berisha mu duk njësoj si kardiologu i natës së 11 dhjetorit 1990, me ndriçimin jotokësor të syve që e kanë njerzit që besojnë se Zoti u ka caktuar një mission special. Kam bindjen se Berisha, edhe sikur ta sigurojnë se s’do ta gjejë gjë për katër të vrarët me duar në xhepa në bulevard në 21 janar, apo për 26 të vrarët në Gërdec, etj., etj., do të vazhdojë të rrijë deri në vdekje si kryetar de facto i PD-së, me shpresën se do ta sjellë partinë e tij për herë të tretë në pushtet. Pavarësisht se shqiptarët, me revoltë masive apo votë masive, ia kanë çuar dy herë në opozitë…

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here